Sipas rregullores së re që ka miratuar enti rregullator i energjisë, nëse klienti dyshon në saktësinë e matësit elektrik në përdorim të tij, ai paraqet një kërkesë, pranë zyrave të OSHEE si dhe çdo institucioni tjetër përgjegjës, për verifikimin e aparatit matës, duke plotësuar formularin e kërkesës.
Në rastet kur klienti paraqet një kërkesë për verifikim të saktësisë të aparatit matës të energjisë elektrike pranë institucioneve të tjera përgjegjëse, ato do të regjistrojnë kërkesën e tij dhe do t’ia përcjellin OSHEE në zbatim të afateve kohore për trajtimin e kërkesave.
Në të gjitha rastet, institucioni përgjegjës, të cilit i është drejtuar kërkesa e klientit për verifikim të saktësisë të aparatit matës të energjisë elektrike, do të vërë në dijeni dhe klientin për përcjelljen e kërkesës së tij pranë OSHEE.
Me paraqitjen e kërkesës, përfaqësuesi i OSHEE është i detyruar të regjistrojë kërkesën dhe të pajisë klientin me një numër unik të kërkesës së paraqitur.
OSHEE planifikon shërbimin e inspektimit dhe testimit të matësit elektrik tek klienti jo më vonë së 3 ditë pune prej ditës së paraqitjes së kërkesës.
OSHEE njofton klientin për ditën dhe orën kur parashikohet të kryhet inspektimi dhe testimi i matësit tek klienti.
OSHEE planifikon kryerjen e shërbimit duke njoftuar subjektin e autorizuar nga DPM për verifikimin e matësave elektrikë që mbulon zonën administrative të klientit që ka paraqitur kërkesën. Nëse matësi elektrik ka qënë i verifikuar më parë nga nje subjekti i autorizuar që mbulon zonën administrative të klientit që ka paraqitur kërkesën,OSSH njofton një subjekt të autorizuar që kryen aktivitet në një zonë tjetër administrative që të kryejë këtë shërbim.
OSHEE dhe subjekti i autorizuar kryejnë shërbimin e inspektimit dhe verifikimit të matësit elektrik për saktësinë e të cilit është ankuar klienti. Verifikimi i saktësisë do të kryhet në prezencën e OSSH, subjektit të autorizuar për verifikimin e matëseve elektrikë si edhe në prezencë të klientit që ka paraqitur kërkesën.
Shërbimi i verifikimit të matësit tek klienti do të kryhet pa e shkëputur matësin elektrik nga lidhjet elektrike. Regjime të ndryshme ngarkese do të realizohen ose nëpërmjet vetë klientit ose duke realizuar ngarkesa të ndryshme në vend nga subjekti i autorizuar.
Nëse gjatë verifikimit në terren subjekti i autorizuar nuk është në gjendje të gjykojë mbi saktësinë e matësit të energjisë elektrike, atëherë ai kërkon që aparati matës të testohet në kushte laboratori. Kjo kërkesë dëshmohet duke vendosur nga ana e tij etiketa sigurie Ri-Testim në Laborator.
Me përfundimin e inspektimit përgatitet raporti i testimit i cili firmoset nga përfaqësuesi i OSSH dhe përfaqësuesi i subjektit të autorizuar. Një kopje e raportit të testimit i dorëzohet edhe klientit që ka paraqitur kërkesën.
Nëse aparati mates i konstatuar i dëmtuar do t’i nënshtrohet procesit të riparimit OSSH , njofton më parë Klientin për këtë , duke i bërë me dije këtij të fundit afatet brenda të cilave mund të kërkojë të ushtrojë të drejtën për të kërkuar ritestim të aparatit pranë një tjetër subjekti të autorizuar nga DPM.
Nëse gjatë inspektimit dhe verifikimit të matësit elektrik, indetifikohen parregullsi apo ndërhyrje të paautorizuara ne sistemin e matjes, që ndikojnë në regjistrimin e konsumit të energjisë elektrike dhe nuk përbëjnë vepër penale, OSSH do të faturojë dëmin ekonomik sipas metodologjisë së llogaritjes së dëmit të miratuar nga ERE.
Interpretimi i rezultateve të verifikimit
Kur pas verifikimit nga subjekti i autorizuar në prani të përfaqësuesit të OSSH dhe klientit që ka paraqitur kërkesën, konstatohet se gabimi i matjes i regjistruar pas testimit është përtej gabimit maksimal të lejuar dhe nuk ka prova të dëmtimeve me dashje të bëra nga klienti, atëherë OSSH kryen përllogaritjet përkatëse të sasisë së energjisë së faturuar më shumë ose më pak, sipas rezultatit të pasaktësisë në matës dhe në këtë mënyrë bëhet rimbursimi sipas rregullave dhe procedurave të parashikuara në Kodin e Matjes.
Rregullimet për pasaktësitë e matjeve do të kufizohen për periudhën e fundit 12 mujore.
Kur konstatohet nga subjektet e autorizuara për kryerjen e testimit të matëseve elektrik, që matësi i kalon kufijtë e saktësisë të përcaktuara (minus ose plus), atëherë do të aplikohet procedura e kompensimit e mëposhtme:
Në rastin kur ka rezultate që vërtetojnë se matësi nuk bërë matje të saktë të energjisë elektrike dhe gabimi i matjes i kalon kufijtë e përcaktuar në kontratën tip mbi verifikimin e matëseve të energjisë elektrike dhe vulosjen e tyre dhe klienti ka paguar më pak (gabimi i testimit është negativ), atëherë klienti është i detyruar të paguajë diferencën e vlerës midis gabimit të matjes dhe tolerancës së gabimit maksimal të lejuar për 12 muaj të mëparshëm duke filluar prej ditës kur është bërë verifikimi ose për periudhën midis dy verifikimeve, nëse ka më shumë se një verifikim të saktësisë se aparatit matës brenda 12 muajve.
Në rastin kur ka rezultate që vërtetojnë se matësi nuk bën matje të saktë të energjisë elektrike dhe gabimi i kalon kufijtë e përcaktuar në kontratën tip mbi verifikimin e matëseve të energjisë elektrike dhe vulosjen e tyre dhe klienti ka paguar më shumë (gabimi i testimit është pozitiv), atëherë OSSH është i detyruar të kompensojë diferencën e vlerës midis gabimit të matjes dhe tolerancës së gabimit maksimal të lejuar për 12 muaj të mëparshëm duke filluar prej ditës kur është bërë verifikimi ose për periudhën midis dy verifikimeve, nëse ka më shumë se një verifikim të saktësisë se aparatit matës brenda 12 muajve.
Apelimi i kërkesës
Në rastet kur klienti nuk është i kënaqur me trajtimin e kërkesës nga OSSH apo kur klienti nuk është dakord me vlerësimin e bërë nga OSSH pas verifikimit të matësit elektrik, atëherë klienti paraqet në ERE ankimin mbi trajtimin e kërkesës që lidhet me saktësinë e matësit elektrik, nga OSSH .
Sektori i Mbrojtjes së Konsumatorit në ERE është përgjegjës për administrimin e kërkesave në formë apelimi
ERE i kërkon palëve dorëzimin e të gjithë dokumentacionit që lidhet me kërkesën, raportin e verifikimit të matësit elektrik nga subjekti i autorizuar, raportin e inspektimit të kryer nga operatorët e OSSH si dhe çdo informacion tjetër që mund ti shërbejë shqyrtimit të kërkesës nga ERE.