Elena lindi djalin e saj kur ishte 16 vjeç. Ajo nuk është historia tipike e vajzave të vogla që lindin fëmijë, duke qenë vetë fëmijë, por ja çfarë tregon Elena e rritur.
“‘Tani jeta e saj u shkatërrua’, ka qenë kjo fjalia që dëgjoja rëndom në bisedat e shoqeve apo njerëzve që më rrethonin.”
E bërë mama në moshën 16-vjeçare, jeta e Elenës, nuk ka qenë aspak e lehtë. Ajo është rritur në një ambient plot ulërima dhe dhunë nga babai i alkoolizuar.
Një fëmijë që i pëlqente vetmia, i rrinte gjithmonë larg problemeve, por ishin ato që e ndiqnin.
“Nuk kam qenë një fëmijë i lumtur, kisha turp kur mësuesit na kërkonin të shkruanim për prindërit tanë. Babai im ka qenë armiku im më i madh, e imagjinoni që të jetë gjaku yt që të lëndon? Prandaj dëshira ime më e madhe ishte të ikja që aty. Dëshiroja të studioja për mjekësi, e çdo ditë rrija mbi libra për t’ia arritur qëllimit tim.”
Elena ishte e sigurt, që sapo të shkonte në universitet, çdo problem do të venitej. Por në moshën 15 vjeçare do të ishte një histori dashurie që do i ndryshonte rrënjësisht jetën.
“Tonin e njoha nga një mikeshë e jona e përbashkët, më tërhoqi shumë pasi fliste bukur. Në atë kohë ai ishte 20 vjeç. Si një fëmijë që isha, u dashurova marrëzisht me të. Dhe kështu lindi historia jonë, një gjë solli një gjë tjetër dhe sot ne jemi këtu.”
“Lajmin e mora vesh kur bëra testin e shtatzënisë, u terrorizova, nuk doja të ndodhte kështu. Të gjitha planet e mia u shumëzuan me zero. U zhgënjeva nga vetja pasi isha betuar që do të bëja fëmijë vetëm kur të isha e bindur që do të isha një prind i mirë. Kisha frikë se do të isha një prind i keq, ashtu siç ishte babai im me mua. Mendimi im i parë ishte ta abortoja, por ishte nëna ime që më ndryshoi mendjen.”
“Unë jetoja në një fshat të Vlorës dhe kuptohet që vështirësia ishte edhe më e madhe, pasi duhet të përballesha me një komunitet të gjerë. Përpos përgjegjësisë që kisha ndaj prindërve, duhet t’i jepja llogari edhe fqinjes, deri edhe asaj zonjës që sillte qumështin në mëngjes.”
Elena detyrohet të braktisë shkollën dhe sikundër, edhe ëndrrën e saj për Universitetin.
“Në atë kohë isha shumë e mërzitur se do të lija shkollën, por kur linda Kleon gjërat ndryshuan. Çdo problem që kam pasur ishte shumë larg. Kam pasur një shtatzëni pa shqetësime serioze, edhe pse rreziku ishte i madh, për shkak të moshës sime të vogël. Edhe pse ditën e lindjes kam vuajtur shumë, kam qëndruar në sallën e operacionit për 19 orë, por Kleo lindi pa probleme. Me sy të zinj si babai i vet dhe biond, ai ishte shumë i bukur, i shëndetshëm dhe i gjithi i imi,”- tregon vajza, me sytë që i shndrisin nga krenaria.
Sot 25-vjeçarja jeton në Tiranë, ku ka nisur të punojë si estetiste.
“Nuk arrita të plotësoja ëndrrën time mbi profesionin që doja, por nuk pendohem pasi po i jap djalit tim jetën që ai meriton. Punoj shumë që Kleos mos t’i mungojë gjë, dua të jem një njeri më i mirë vetëm për të. Nuk jam mamaja më e mirë në botë, por çdo ditë mësoj diçka të re dhe përpiqem të jem një shembull për të.”
Historia e Elenës, shkoi mirë, por jo kështu shkojnë qindra histori të tjera nënash të reja, të cilat lindin kur janë vetë fëmijë. Nuk ka shifra për to, as për numrin e aborteve të tyre, por pranohet se shtatzënia në adoleshencë është një problem serioz, kjo pasi disa shtatzëni shkojnë në abortim, ndërkohë pjesa tjetër e vajzave që bëhen nëna në atë moshë, përballen me sfida e rreziqe. Një prej rreziqeve kryesore është shëndeti i tyre.
Eliona Demaliaj, obstetër-gjinekologe dhe nëndrejtoreshë në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”, thotë për dritare.net se “rreziku i të qenit shtatzënë në moshën e adoleshencës është si fizik ashtu edhe psikologjik. Kur flasim për mosha nën 17-18 vjeç, trupi i vajzës ende nuk është në gjendje për të përballuar një shtatzëni. Edhe studimet e kryera kanë treguar që shtatzëni të tilla kanë predispozitë për të pasur komplikacione gjatë lindjes, si tensionin e lartë të gjakut apo parazitozat. Por më shumë është rreziku psikologjik, pasi në atë moshë nuk janë ende të përgatitura për të qenë nëna” – thotë Demaliaj.
Përballja më prindërit, të afërmit, shoqërinë, mësuesit dhe dilemat se çfarë e presin pasi të bëhet nënë bëjnë që ekuilibri emocional të jetë delikat. Duke shtuar këtu edhe familjen nga ato vijnë, arsimimin, gjithashtu aspektin financiar, por edhe atë gjeografik. Sipas doktoreshë Demaliaj diferenca midis zonave rurale dhe atyre urbane është e dukshme.
“Vajzat adoleshente që bëhen nëna, kryesisht në zonat rurale, duan të martohen në moshë të re, duke menduar se martesa është mënyrë për tu integruar në shoqëri. Pra mungesa e emancipimit bën të mendohet martesa si një zgjidhje për jetën. Ndërkohë në zonat urbane, sidomos të metropolit, siç është Tirana, vihet re që ka një numër më të vogël të të çuarit përpara të një shtatzënie në moshën e adoleshencës, por jo më të vogël si përqindje e shtatzënisë, por numër më të lartë të ndërprerjes së saj.” /Dritare.net/