Më datë 27 Maj 2016, SVP Albania organizoi Ditën e Vlerësuesit në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
Në takimin e zhvilluar ishin të pranishëm përveç anëtarëve të SVP-së: përfaqësues të institucioneve Vendore dhe Qendrore, përfaqësues nga shoqata të vendit dhe rajonit, nga institucionet bankare, nga universitetet publike dhe private, etj.
Nderonte me pjesëmarrjen dhe me fjalën e tij Z. Gjon Radovani, Zv. Ministër i Zhvillimit Urban i cili theksoi rolin e SVP- së në ngritjen profesionale të vlerësuesve të pasurive.
Nderonin këtë event Sekretari i Përgjithshme i Shoqatës se Bankave, i nderuari Z. Spiro Brumbulli.
Të pranisheëm ishin edhe nga Dhoma e Përmbaruesve Privatë, Kryetari i Shoqatës së Gjeodetëve, Agjensia e Pronave, Prof. Dr. Agim Selenica nga Universiteti Metropolitan i Tiranës, si dhe Prof. Assoc. Dr. Elfrida Alliu, ish Presidente e SVP-së.
Nga Shoqatat homologe e pranishme nga Mali i Zi, ishte Zj. Sanja Radoviç Presidente e Institutit të Çertifikimit të Vlerësuesve dhe Zv. Presidenti i kësaj organizate Z. Dragoljub.
Nga Kosova, Shoqata e Vlerësuesve të Kosovës (SHVK) ishin të pranishëm anëtarë të Kryesisë së kësaj shoqate që është ndër më të rejat në Rajonin e Ballkanit.
“Të flasësh për fillimin e profesionit të vlerësuesit të pasurive të paluajtshme”, theksoi Zj. Mirela Behluli, Presidente e SVP-së, “duhet t’i referohesh bazës ligjore të njohjes së tij në vendin tonë. Dhe kthehemi rreth 20 vite më parë në të cilën Këshilli i Ministrave i asaj kohe me Vendimin Nr.394, datë 27.5.1996 “Për Dhënien e Liçencave Profesionale për Vlerësimin e Pasurive të Paluajtshme”, ka vendosur ndër të tjera që: Çdo person fizik ose juridik shqiptar që dëshiron të ushtrojë profesionin privat të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, duhet të pajiset me liçencë profesionale, në përputhje me rregulloren e posaçme të hartuar nga shoqata “Shoqëria e Vlerësimeve të Pasurive të Paluajtshme”.
Sot, liçensat profesionale për veprimtarinë e personave fizikë dhe juridike, në fushën e vlerësimit të pasurive të paluajtshme, miratohen nga komisioni i posaçëm i ngritur sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave në ngarkim të Ministrise së Zhvillimit Urban.
SVP Albania që prej 20 vitesh ka përfaqësimin e saj në këtë komision.
Prej mëse 20 vitesh SVP Albania ka statusin e një shoqate profesionale të pavarur,
jo–qeveritare, jo-fitimprurëse, është një shoqatë vullnetare, pa asnjë qëllim fitimi, dhe prej mëse 20 vitesh është anëtare me të drejta të plota në Grupin Europian të Shoqatave të Vlerësuesve të Pasurive, TEGoVA.
SVP Albania ka në anëtarësinë e saj: 112 anëtare individë dhe 10 Studio vlerësimi dhe të gjithë anëtaret e SVP-së deklarojne se njohin, pranojnë dhe zbatojnë Statutin e shoqatës, Kodin e Etikës dhe Standartet Europiane të Vlerësimin të Pasurive të Paluajtshme.
Misioni i Shoqatës së Vleresuesve të Pasurive të Paluajtshme është: të sigurojë vazhdimësinë e zhvillimit profesional të vlerësuesve anëtare të saj sipas standarteve profesionale dhe etikës në fushën e vlerësimit të pasurive në përputhje me ligjet e vendit dhe në të njëjtën kohë shoqata si një organizëm i gjallë ju jep mundësinë anëtarëve të përfitojnë nga njohuritë dhe eksperiencat e më të mirëve; si dhe mbron, udhëheq, orienton, udhëzon dhe përfaqëson interesat e çdo anëtari të saj, SVP është streha e tyre.
Në “Ditën e Vlerësuesit” për të gjithë të pranishmit u lançua për herë të parë, numri i parë i vitit të parë të botimit të saj Revista“VLERËSUESI”, botim i SVP-së. Në numrin e parë të revistes gjendet përshëndetja e Zj. Eglantina Gjermeni Ministre e Zhvillimit Urban, e cila thotë: “të vlerësosh një pasuri me paanshmëri është një përgjegjësi dhe sfidë për çdo profesionist”. SEV 2016 është në projektet e përbashkëta të afërta të SVP Albania, SHVK-së dhe MZHU-së për përkthimin në gjuhën Shqipe.
Fjala e Z. Krzystof Grzesik, Kryetar i TEGoVA-s, në faqet e kësaj reviste mban titullin: “E ardhmja e vlerësuesit shqiptar është Europiane” dhe është një mesazh shumëkuptimplotë për të gjithë vlerësuesit shqiptar dhe vendin tonë.
Ai thekson se një vlerësues shqiptar që e ushtron profesionin e ka të nevojshme të jetë i zoti me Standartet Europiane të Vleresimit 2016, standarte të cilat Banka Qendrore Europiane i ka dhënë prioritet mbi të gjitha standartet e tjera të vlerësimit. Dhe të jesh i zoti me njohjen dhe të zbatosh Standartet Europiane të Vlerësimit të Pasurive të hartuara dhe të miratuar nga TEGoVA, është me e lehtë për t’u bërë nëse vlerësuesi shqiptar është pjesë e SVP-së. Anëtarësimi në SVP Albania i jep mundësinë çdo vlerësuesi anëtar për tu bërë REV- Vlerësuesi i Njohur Europian ose TRV – Vlerësuesi i Njohur Europian i Pronave Residenciale.
Siguria që shpreh Z. Krzystof duke thënë se : Ne jemi të sigurtë se SVP do të arrijë së shpejti statusin e dhënies së REV (Vlerësuesi i njohur Europian) dhe /ose TRV (Vlerësuesi residencial i TEGoVA-s një markë cilësie në vlerësimin e pronave residenciale)
dhe ndërkohë mirëpresim elitën euro-shqiptare të vlerësuesve në rradhët e TEGoVA-s” është meritë e kryesisë aktuale të SVP-së me punën që ka bërë për të forcuar marrëdheniet me TEGoVA-n dhe po ashtu duke ndërtuar ura bashkëpunimi edhe me shoqata të vlerësuesve në rajon: Rumaninë, Bullgarinë, Malin e Zi, Greqinë, Maqedoninë e Kosovën.
Në fjalën e saj Presidentja e SVP-së, theksoi se Dita e Vlerësuesit dhe Revista Vlerësuesi janë një shembull real për të gjithë opinionin publik se emërtimi ASVP (anëtar i SVP) është markë cilësie e lartë profesionale që bën diferencën në treg, një treg i cili është gjithmonë edhe më shumë konkurrues dhe vlerësues të tjerë që operojnë dhe nuk kanë anëtarësime në organizata profesionale nuk përmbushin plotësisht kriteret për t’u cilësuar si Vlerësues të Kualifikuar.
Ndaj ftojmë dhe mirëpresim të gjithë vlerësuesit e liçensuar të jenë pjesë e SVP-së.
Shkruani në adresën:[email protected] ose vizitoni www.svpalbania.al