Abuzimi në emër të pushtetit vazhdon të jetë problematikë në institucionet shtetërore në Shqipëri. Doganat, Tatimet, OSHEE, KESH, OST, apo sistemi shëndetësor në Shqipëri, institucione që xhirojnë miliona euro në duar, po zhvillojnë tenderë me vlera stratosferike, në emër të përmirësimit të shërbimit ndaj qytetarëve. Por, në vend që këto investime të kthehen në dobi të vetë qytetarëve, zyrtarët po i bëjnë vetëm për të rrjepur institucionet ku punojnë, çka përkthehet në të mira materiale për ta, apo për emrat e pushtetarëve të lartë. Jo më kot, në krye të këtyre institucioneve janë vendosur të besuarit e pushtetarëve, çka përkthehet në “ndarjen” e këtyre të ardhurave.
Bold News ka siguruar dokumentet e një tjetër megatenderi që ka bërë OSHEE, i cili bën fjalë për identifikimin e abonentëve të këtij operatori derë më derë. Sipas këtyre dokumenteve, OSHEE ka kërkuar nga operatorët privatë që të garojnë për të identifikuar abonentët. Megjithëse OSHEE ka të gjitha kapacitetet njerëzore për të identifikuar vetë abonentët, ajo ka vendosur që ta japë me “koncesion” edhe këtë shërbim, i cili duhet të jetë “A-ja” e punës së këtij Operatori. Sipas dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik, OSHEE ka hapur objektin e prokurimit që bën fjalë për “identifikimin dhe popullimi i adresës për çdo shtetas në terren (derë më derë) si dhe përditësimi i të dhënave të konsumatorëve të OSHEE sh.a”.
Mësohet se fondi për këtë tender është plot 7 milionë USD, ndërsa burimi i financimit janë të ardhurat e OSHEE-së dhe të buxhetit të shtetit. Tenderi do të zhvillohet më datë 7 korrik të këtij viti në mënyrë elektronike.
Bold News ka siguruar edhe specifikimet teknike të këtij tenderi, ndërsa mësohet se qëllimi i projektit është ndërthurja e përditësimit të të dhënave të RKGJC, RKA me përditësimi i të dhënave të Konsumatorëve të OSHEE-së. Mësohet se do të verifikohen dhe regjistrohen në çdo banesë të konsumatorëve që banojnë në të ose e kanë në pronësi, duke bërë njëkohësisht regjistrimin e tyre në adresën ku banojnë. Në përfundim te këtij procesi do të dihet me saktësi kush konsumator banon ku. Do të bëhet saktësimi i të dhënave të klientëve të OSHEE-së, në mënyrë që të vendoset një marrëdhënie kontraktore e rregullt në shërbim të palëve: klientit dhe furnizuesit duke realizuar
ofrimi i gjeoreferencimit të pozicionit të klientëve në sistemet e Informacionit, identifikimin e sistemit të matjes, vjetërsisë së tyre.
Mësohet se me përditësimin/ plotësimin e këtyre të dhënave për OSHEE synohet që të bëhet evidentimi i saktë i të dhënave të klientit si dhe të objektit që furnizohet me energji elektrike dhe shmangia e rasteve të paqarta dhe konfuze, për shkak të pasaktësisë së këtyre të dhënave. Synohet gjithashtu edhe plotësimi i të dhënave të kërkuara sipas këtyre formularëve me qëllim përmbushjen e detyrimit kontraktor, referuar kushteve të Kontratave Standarde të Furnizimit me Energji Elektrike, për klientët familjarë e jo familjarë, të miratuara nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike.
Mësohet se procesi i përditësimit është planifikuar të kalojë në disa faza. Synohet realizimi i proceseve të punës në lidhje me grumbullimin e informacionit në terren kundrejt krijimit dhe trajnimit të grupeve të punës, pajisja me mjetet e nevojshme të punës; formular, palmar ose tablet etj si dhe trajnim për plotësimin e formularit ose palmarit, tabletit etj.
Në dokumentet e tenderit thuhet se suksesi i realizimit të qëllimit të projektit më sipër lidhet direkt me rezultatet që do të grumbullohen gjatë procesit të intervistimit të banorëve në zonën e shërbimit dhe administratorëve të aktiviteteve private dhe publike. Identifikimi i saktë i tij krijon kushtet e besueshmërisë së informacionit në lidhje me marrjen e një përgjigje për pyetjen bazë “Cilit qytetar/subjekt i shërbejmë?”. Për konsumatorët e OSHEE-së: Identifikimi i Kontratës së Furnizimit – bazuar në formuluarin e përgatitur në aneks këtu më poshtë; Identifikimi i Mbajtësit të Kontratës së Furnizimit apo përdoruesit të saj në rastet e qiramarrësve – bazuar në formuluarin e përgatitur në ankes këtu më poshtë. OSHEE thotë se me anë të këtij seksioni do marrim siguri në lidhje me mënyrën e vlerësimit të sasisë të shërbyer duke përcaktuar qartë nëse klienti: është i pajisur me matës; vjetërsia e matësit apo koha në të cilën është instaluar; gjendja fizike e matësit dhe nëse matësi është instaluar nga shoqëria kundrejt instalimit të elementit të sigurisë VULA.
Në dokumente thuhet gjithashtu se identifikimi i vendndodhjes është informacion i rëndësishëm në lidhje me identifikimin e klientit është pozicioni gjeografik i vendndodhjes apo ndryshe koordinatat e vendndodhjes së pikës së shërbimit /Instalimit të matësit. Seksioni i koordinatave gjeografike do të ofrojë një bazë të mirë në lidhje me dixhitalizimin e përdoruesit fundor të shërbimit.
Mësohet se në fund do të firmoset një procesverbal i printuar i gatshëm për çdo grup pune në terren, për deklarimin e të dhënave të kërkuara nga i intervistuari dhe grupi i punës. Të dhënat e grumbulluara sipas pyetësorit do të regjistrohen në sistemet në pronësi të kontraktorit dhe çdo fund dite ky i fundit do të sigurohet që ky informacion të transferohet në sistemin qendror. Për të realizuar procesin me saktësi është i nevojshëm grumbullimi i bazave të të dhënave si regjistri i gjendjes civile dhe regjistri i shoqërive dhe institucioneve publike në zonën e shërbimit. Mësohet se ky regjistër do të shërbejë për të ndërlidhur informacionin vijues: Identifikimin e plotë me ID të klientit; Regjistri i taksapaguesve të tarifave të televizionit kombëtar; Identifikimi i njësisë bazë të familjes – duke evidentuar kryefamiljarin; Identifikimin e tatimpaguesit – kryefamiljarit për tarifën dhe identifikimin e numrit të aparateve televizive në përdorim.
Mësohet se regjistri i adresave do të krijojë mundësinë e përditësimit të të dhënave kundrejt identifikimit të pronës, ndërsa regjistri i pronave do ofrojë mundësinë e kontrollit të pikave të lidhjes, llojit të pronës (ndërtesës), mbajtësit të titullit të pronësisë dhe hartat e zonës së shërbimit.
Realizimi i intervistës
Është e rëndësishme të merren në konsideratë disa faktorë social:
· Orari i punës – rreth orës 8:30 anëtarët e komunitetit kanë përfunduar afërsisht punët rutinë deri në orën 13:00 që është ora e drekës.
· Në rastet e mos kontaktimit të banorëve në oraret e mësipërme duhet të merret në konsideratë që orari më i mundshëm është ai i që rezulton pas orarit zyrtar: ora 16:30- deri 20:00.