Nga Bedri Islami
Sinqerisht, nuk jam habitur aspak kur kam mësuar ngjarjen e ndodhur me Flamur Nokën, “misionarin” e flaktë të Partisë Demokratike, udhëtimin e tij drejt ish-shtetit jugosllav, arrestimin, mbajtjen në paraburgim, informacionet e dhëna nga ai për UDB-në dhe nënshkrimin e çfarëdo dokukenti që mund t’i kenë paraqitur ato.
Nuk jam habitur pasi, në shumë raste të tjera të ngjashme, ka ndodhur e njëjta histori dhe ka pasur të njëjtat pasoja. Aq më tepër në fillimin e vitit 1991, kur shteti shqiptar ishte bërë han me dy porta, kur mijra njerëz po largoheshin nga vendi, në të gjitha drejtimet, por shumë pak në drejtimin e veriut. Në Prizrenin e asaj kohe ka qenë qendra e veprimit të UDB-së kundër Shqipërisë, prej aty janë bërë të gjithë koordinimet e veprimtarisë subversive kundër shtetit shqiptar, aty janë realizuar rekrukutimet më të ndjeshme dhe ka qenë njëkohësisht edhe qendra e veprimeve të mëtejshme.
A është Flamur Noka njëri prej këtyre rasteve? Veprimet e mëtejshme të tij të shtyjnë drejt pohimit të plotë të saj, por, edhe nëse do të kishte pasur gjysmë të vërteta, përsëri është e mjaftueshme për të pasur një pikëpyetje të madhe në jetën e tij politike, aq më tepër kur kjo është fshehur edhe një periudhë të tillë.
Nuk jam habitur edhe për shkakun e thjeshtë, por që u bë i natyrshëm, që, në PD-në e ditëve të para e, si duket edhe tani, lidhja e klanit udbash ka qenë e vazhdon të jetë e fuqishme dhe vendosëse, ajo ka sjellë përmes emisarëve të saj, të bërë pjesë organike e këtij shërbimi, qoftë përmes rekrutimit në Paris apo në Prizren, frymën dhe mendësinë që i është dashur më së shumti shtetit serb dhe strukturave të shërbimit të tij informativ, për krijimin e një shteti të dobët, sidomos në pluralizëm, krijimin e një ndasie fatale mes veriut dhe jugut dhe kalimin e një klime armiqësore mes dy pjesëve të të njëjtit vend. Ajo ka shkuar edhe më tej, në krijimin e një miti të rremë për ndasinë mes shqiptarëve në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, duke i paraqitur si dy popuj të ndryshëm, të pazotë për të bërë shtet dhe armiqësor ndaj njëri tjetrit.
Në vitin 1999, duke lexuar atë çfarë kishte deponuar një eksponent i vjetër i UDB-së, pikërisht nga Prizreni, për atë që kishte ndodhur mes dy shërbimeve, pamja ka qenë edhe më e qartë se asgjë nuk i është lënë rastësisë dhe se, mjerisht, e gjithë strktura e prishjes dhe stërprishjes së shtetit shqiptar, ka qenë një porosi e pagabuar, fatalisht, nga shërbimi i fshehtë serb. Një nga funksionarët e njohur të PD-së, menjëherë pas fillimeve pluraliste në Shqipëri, do të bëhej edhe një njeri i njohur si A.R. , i dënuar nga shteti shqiptar si njeri i UDB-së jugosllave, i ardhur përmes një misioni të veçantë në Shqipëri, i dërguar nga Vllado Vojkoviç, do të njihej si “Korbi”. Megjithë këmbënguljen e Koisionit të posaçëm, drejtuar nga zoti Bezhani, për largimin e tij nga postet e larta drejtuese në qeverinë e parë pëdëiste, ai vazhdon të mbetet aty edhe për shumë kohë, bëhet pjesë e njerës nga firmat piramidale dhe vazhdon lidhjet e tij, përmes Ramë Marës, me shërbimin e fshehtë serb.
A është Muli i vetmi njeri që mund të ketë qenë pjesë e klanit të fuqishëm serb në politikën shqiptare?
Është krejt e pamundur.
A është e rastësishme që të gjithë ata që kanë lidhje, qoftë direkte ose në ndërsjelltë mes shërbimin e fshehtë serb, njerëz të veçantë të saj apo kanë ndërmarrë veprime kundër lëvizjes çlirimtare në Kosovë janë gjendur pranë PD-së?
Me siguri që nuk është e rastësishme.
Po të ndiqet me vëmendje, do jetë krejt e qartë se asgjë nuk është e rastësishme. Në fillimet e saj, njerëz të dënuar si agjentë potencialë të UDB-së në Shqipëri, veprimtari të cilën e kishin pranuar e, më pas do e pranonin me mburrje, do të jenë në falangat e para drejtuese të PD-së. Në radhët e saj do të jenë frymëmarrje njerëz të njohur si “Hutini”, “Sqepari”, “Safeti”, “Ariu”, sidomos “Pashtriku”, njëri ndër eksponentët më të rëndësishëm rezidencialë të UDB-në në Shqipëri, që arrin deri në postin e zevendësministrit në vitin 1992. Jo rastësisht njerëz të njohur si figura të krimit dhe bashkëpunues të UDB-së, nga trevat shqiptare në Maqedoni do të jenë ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Gazidedes, sa që do të njihen si eminencat gri të tij, duke përcjellë mesazhe nga të gjithë anët. Më pas, në skenën politike do të sillen figura kontraverse serbo- boshnjake, si Fazlliqi, nipi i shefit të UDB-së në kohën e Millosheviqit, nëna e të cilit kishte qenë për disa kohë në kabinetin e ministrit të Brendshëm serb, dhe përmes tij, jo rastësisht, do të “piqen” figura politike si Basha e të tjerë rreth tij, të cilët, ende nuk kanë hequr nga vetja misterin e krijimit të dosjeve për strukturat e larta drejtuese të luftës çlirimtare në Kosovë.
Në njërën nga intervistat e tij, një ndër drejtuesit e Shërbimit Informativ të Kosovës, ndoshta jo rastësisht, ka thënë se “ne kemi jo një apo dy a tre thasë me dokumenta të shërbimit të fshehtë serb, por shumë më tepër”. Unë besoj se aty do të jenë edhe shumë nga deponimet që kanë bërë figura të njohura të strukturave të UDB-së në Kosovë, duke thënë ndoshta edhe lidhjet që kanë ushtruar në shtetin shqiptar. Mund të kenë treguar për shembull, se si në janarin e vitit 1991, njëri nga njerëzit e afërt të familjes Bullatoviq, ndihmës i strukturave pranë Milllosheviqit, erdhi i maskuar në Shqipëri, çfarë parash solli, sa milionë ishin ato, me cilin u takua dhe çfarë biseduan. Jo rastësisht ky njeri, më pas, pas vitit 1992 do të vendosej në Tiranë dhe largimi i tij do të ndodhte në pranverën e vitit 1997. Ndoshta, ku ta dish, dikush tjetër nga këto struktura të larta të shërbimit të fshehtë sekret serb, mund të ketë dhënë shumë më tepër informacion nga sa është pyetur, sepse nuk ka qenë kurrë interesuar shteti shqiptar i para vitit 1997; por të mësuar me zellin për të shërbyer, mund të kenë dëshmuar se si erdhën në rilidhje udbashët e vjetër, vijë-sjellja që u është dhënë atyre; shkaku përse pikërisht duhej të ishin pjesë në PD-në e asaj kohe, njerëzit që duheshin larguar si nacionalistë.
Shumë gjëra janë të njohura për njerëzit: është i njohur fakti i thyerjes së embargos ndërkombëtare nga ish-shefi i shtetit shqiptar dhe takimi i tij i fshehtë me ish-shefin e qeverisë malazeze, takim të cilin e mbajti të fshehur deri sa ish kolegu i tij dhe mik njëkohësisht, e bëri të njohur; është e ditur se furnizimi i makinerisë serbe erdhi në një pjesë jo pak të vogël përmes shtetit shqiptar; është e njohur ardhja e Arkanit në Shqipëri dhe takimi i tij me shefa të lartë të strukturave informative, apo takime të tjera e qëndrime të tjera në dëm të shtetit shqiptar.
Të tjera gjëra do të jenë një ditë të zbardhura. Shumë njerëz kanë shumë për të thënë, ose kanë thënë shumë deri tani.
Muli, Flamur Noka, nuk është një rastësi e as i vetmi trim në luftë.
Në ditën kur mund të fillojë një katarsis në politikën shqiptare, ish shefi i qeverisë, i përkëdheluri i shërbimit të fshehtë serb, fton përsëri për një përleshje mes veriut e jugut… është e njëjta gjë me porosinë që mund t’u ketë dhënë shumë rezidentëve të vet shërbimi i fshehtë serb.
Një ëndërr e vjetër që dështoi në vitin 1997.
Një Mul i vetëm nuk mund të bëjë asgjë më tepër se sa të fshehë një të vërtetë, që, edhe nëse është e saktë deri këtu, duhet të sjellë largimin, ose më saktë, shporrjen e tij nga komisioni i sigurisë kombëtare dhe nga salla e parlamentit.
E keqja është është se nuk është vetëm një. Gazeta Dita