Nga Artur Zheji
Pamvaresisht se cfarë shohim në debatet kuvendore, se si përleshet kryeministri i sotshëm, me ish kryeministrin, përleshje që ngjan si kacafytje gjelash luftarakë, nuk besoj të ketë njeri tjetër, si vetë Rama, që të adhurojë në fshehtësi “armikun” e vet, Berisha.
Ai, adhuron këmbënguljen dhe forcën e tij të paepur, për të qëndruar ballë për ballë kundërshtarit, në të mirë dhe në të keq dhe me barutin thatë.
Ai adhuron, aftësinë që ka Berisha, për të mbajtur zap dhe nën kontroll, grigjën e vet, aftësinë për të ushtruar pushtet dhe bindje. Dhe për të mbajtur në një rreshtim spektakolar, “forcat e veta të armatosura politike”.
Dhe si adhurues dhe piktor i zoti që është (përtej fjalëve të inatcorëve, kryeministri, është një piktor i mirë), ai prej vitesh, ka filluar pikturën e vet, një kompozim të madh, në telajon rozë të Partisë Socialiste, duke patur si model të gjallë, (piktorët nuk punojnë dot pa modele natyrale), kundërshtarin e vet tanimë historik, Sali Berishën.
Atë ndërhyrje të madhe që ai ka bërë në Partinë Socialiste, një parti “djemsh” e “vajzash” pasanike tanimë, ku askush nuk pipëtin më kundrejt kryetarit, pas largimit të Blushit, për model ka, padyshim partinë e Berishës. Të “displinuar”, të “bindur” dhe pa një disidencë të brendshme. Disidenca, sa do të kushtojë, del jashtë ose përjashtohet de facto, nga Piktura, Parti e Re Socialiste.
Ky është rregulli i Ri, post Fatos Nano, i cili grindej, shahej, por nuk të tregonte derën.
Rama mendon, duke studiuar dhe adhuruar objektin e vet të studimit, modelin Berisha, (sepse piktorët, jo rrallë dashurohen me modelet, që pikturojnë), se kjo është forma më e qëndrueshme e pushtet-mbajtjes, në eficiencë dhe në jetëgjatësi. Pamvarsisht se kjo eficiencë dhe jetëgjatësi e pushtet-mbajtjes, kërkon të shkelësh mbi parime apo moralitete, për të cilat molloiset në publik dhe në popull, gjithë ditën e bekuar të Perëndisë.
Dhe Parimi i Parë që shkelet, është Demokracia brenda partisë.
Demokracia vecse një fjalë boshe, që na ka ngecur në derë dhe që nevoja dhe zakoni e lyp, që ta bërtasim mëngjes e darkë, do të thoni ju të politikës që më lexoni të parët! Po sir, Demokracia, kjo fjalë boshe në Shqipëri, ka edhe vende ku funksionon, përmes meritokracisë. Në ato vende ku shohim, përparim dhe lulëzim dhe ku shumica e servilokratëve shqiptarë, shkojnë fundjavave të gjata për të shpenzuar capak mijëra euro, ndër parqet që në Shqipëri nuk gjinden dot, në atmosferën kaq afër përsosmërisë, që ndër ne nuk ka se ku të banojë, në optimizmin e shoqërive që gëzojnë begatinë dhe ndjesinë e lirisë që kanë ndërtuar, përmes punës së mirë shpërblyer, por edhe kësaj demokracisë budallaqe, që rri si gjyle nëpër këmbë këtej nga ne.
Sepse, partia apo partitë, nuk janë një detashment që shërben për të shërbyer, si një shpurë që bën vetëm fresk apo si formacion luftimi, për të ngritur kultin e Piktorit apo të Doktorit, por edhe, për të projektuar programe dhe platforma zhvillimi, që më të mirët, duhet ti bëjnë dhe ti realizojnë, për më të mirën e Shqipërisë (sa term demode ky!)
Dhe ka rëndësi kjo dreq demokracie brenda partisë! Sepse, sado e bezdisur dhe fjalëshumë që është, vetëm demokracia, ndalon përparimin e servilokratëve, që në thelb, shumicë e tyre, janë të paaftë, të paditur, të bindur por edhe zhvatës të pashoq të të mirave publike(teoria e kompensimit).
Dhe këta, drejtorët e ministrat e shumtë servilokratë, si rregull, të pazotë për punën që ju është ngarkuar, por mjeshtërisht kurriz ulur, edhe kur Liderit, një mëngjes, ngopur me gjumë të dhuruar nga verë e mirë, zgjohet me adrenalinë dhe autoidolatri, i vijnë vërtet, një apo disa ide realisht të mira, këta qyqarët, qysh mund tja dalin, që ti bëjnë?
Kur “këta”, nuk janë thirrur dhe nuk janë emëruar për këtë punë, në postet që kanë në makineri të shtetit?
Dhe atëhere, Lideri xhindoset dhe shan e uluret dhe bërtet dhe nxihet e skuqet rradhazi, por makinë e shtetit, nuk del, që nuk del dot nga lluca, sado të bërtasë e të shfryjë e të xhindoset Ay!
Për faj të atyre, që në të vërtetë, janë pjellë e faj i Tij! Dhe “këta”, futen skutave nga frika, shkojnë te qypat me para, i fusin ato më thellë, dhe presin me kokën mbuluar me carcaf, që stuhia të kalojë, shefi të zbutet dhe ti thërrasë përsëri. Sepse edhe këta e dinë këtë lojë:
Shefi ata do të thërrasë përsëri!
Dhe Shqipëria ikën për lesh, edhe kësaj rradhe! Edhe kur lideri kish vërtet ca ide të shkëlqyera, por jo guximin për të ftuar në ballë të sfidës, meritokratët, që kanë ca vese, që thirren sot gati me përcim, e që janë, krenaria, respekti për veten dhe e drejta për të qenë pjesë e grupit si bashkim njerëzish të Lirë!
Ashtu si pranohej dikur, vetë Rama, si njeri i Lirë, në Partinë Socialiste, duke ju vlerësuar puna e mirë që bëri aso kohe në fillimet e veta.
Dhe Parimi i Dytë që shkelet, është Mbajtja e Fjalës së Dhënë!
Këtu kryeministri, nuk se shkëlqen më pak, se miqtë dhe armiqtë e tij, sepese mosmbajtja e Fjalës së Dhënë, ndër ne shqiptarët që kemi shpikur edhe termin “Besa”, është një sport kombëtar i parapëlqyer. Por Ay, e ka cuar, si i talentuar që është, edhe disa hapa përpara.
Ata që kanë më shumë frikë nga ai, janë Miqtë e tij apo Ish Miqtë e tij.
Njerëz që, kush më shumë e kush më pak, i kanë dhënë mundësira, shanse, mbështetje, inkurajime, dashuri dhe besim, në të shkuarën apo në të sotmen.
Askush nuk e kupton “Përsenë” e këtij mekanizmi të cuditshm, që vepron te kryeministri i sotshëm, por këtu ai ndryshon nga të gjithë të tjerët. Miq dhe armiq.
Askush nuk ja kalon dot Piktorit, as edhe Doktori!
Në ftohtësinë e tij të thellë, ai është i paaritshëm! Në ngricën dhe akullin që Ay ka, aty, ku shumica e njerzve, kanë nënshtresa të ngrohta dhe të buta, qofshin edhe të gabuara apo të tepruara, Ay, edhe për të keqe të vet, ka vetëm dimër, acar dhe vetmi të thellë.
Askush nuk ecën si Ay, pa kthyer kokën pas, e pa rrëfyer kurrë, ndaj askujt, mirënjohjen apo borxhin më të vogël. Qoftë kjo, njerëzore, politike apo vanitoze!
Kjo dhe është pika e tij më e fortë dhe në këtë pikë, miqtë apo ish miqtë e kanë tanimë, më frikë se kushdo tjetër! Andaj dhe shumë kush ka kuptuar që është më mirë ta kesh përballë! Dhe shumë më e rrezikshme ta kesh në krah, apo ta llogarisësh si një mbështetje imagjinare.
Sepse kryeministri i sotshëm, njeh, respekton, adhuron apo merr në konsideratë, vetëm Forcën e Sotme që dikush ka dhe disponon. Pamvarsisht nga buron kjo Forcë, nga sferat e errta apo gri të shoqërisë, apo dhe krejt e pastër qoftë!
E pra, qytetari dobët, këtë kryeministër të “Majtë” që ka zgjedhur ta udhëheqë, vështirë ta ketë mik ndonjëherë dhe kjo është më e keqja!
Prandaj në këtë Vend, të pasurit do të bëhen më të Pasur, të fortët më të Fortë, nën qeverisjen e tij!
Sepse ata, të Fortët dhe të Pasurit, dhe jo populli, kanë zgjedhur sot, Kryeministrin e tyre!