Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin për heqjen e mandatit të deputetit të PS-së Koço Kokëdhima.
Pas kësaj, Kuvendi dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të nisin procedurën për zëvendësimin e Koço Kokëdhimës.
Në listën e qarkut të Vlorës, të Partisë Socialiste rezulton se deputeti me fat do të jetë Edmond Leka, ish drejtor i Portit të Durrësit. Ai ishte i shtati në listën e kandidatëve në zgjedhjet e vitit 2013.
Edmond Leka është aktualisht kryetar i PS Vlorë, ndërsa mban edhe detyrën e drejtorit të portit.
Edmond Leka ka lindur në 14 mars të vitit 1964 në Vlorë, aty ku ka kryer edhe shkollën fillore, Naim Frashëri. Më pas është transferuar në Tiranë, ku fillimisht ka kryer Politeknikumin në degën specialist elektronik, ndërsa në vitet 1983- 1988 ka kryer studimet e larta në universitetin e Tiranës në degën Inxhinier elektronik për industrinë.
Edmond Leka disponon edhe dimplomën për jurist, si dhe master i nivelit të parë jurist (e drejtë administrative).
Pas përfundimit të universitetit, prej vitit 1991 deri në vitin 1997, ka qenë në Greqi, ndërsa prej atij viti ka nisur punë si administrator pranë Aulona SHPK, kompani për shërbime publike. Në vitin 1999 krijoi kompaninë LINEA DEKOR, së bashku me ortakë të tjerë deri në vitin 2007, vit në të cilin është zgjedhur në krye të dhomës së tregtisë dhe industrisë në Vlorë.
Në vitin 2010 ka marrë postin e nënkryetarit të bashkise Vlorë, post në të cilin qëndroi deri në vitin 2013. Aktualisht, prej një mandati është edhe kryetar i PS, Vlorë, ndërsa pas fitores së PS në zgjedhjet e 2013 është emëruar drejtor i institutit të sigurimeve shoqërore dhe me pas drejtor i portit, post të cilin mban aktualisht.
Edmond Leka është i martuar dhe ka dy fëmijë.
Lista e deputetëve të PS, qarku Vlorë
EDI RAMA
VALENTINA LESKAJ
KOÇO KOKËDHIMA
LUIZA XHUVANI
FATMIR TOÇI
ANDREA MARTO
EDMOND LEKA
SHUAIP BEQIRI
MIRA SHEHU
SHEME LULO
SOKOL BANA
GENCI KOJDHELI
NEIME GJIKA
NORETA KALCUNI
INES STASA