Zbardhet projekti përfundimtar të ekspertëve të EURALIUS e OPDAT, i cili u prezantua sot në mbledhjen e komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi. Thelbi i debatit mes mazhorancës dhe opozitës për shumicën e domosdoshme për zgjedhjen e titullarëve të institucioneve të sistemit të drejtësisë, duket se merr fund nga projekti i ekspertëve të BE e SHBA.
Opozita insistoi për shumicë absolute, 2/3 e anëtarëve të Kuvendit, ndërsa mazhoranca kërkoi votim me 3/5. Në draftin final të ekspertëve të huaj, është reflektuar pikërisht shumica prej 84 votash e nevojshme për zgjedhjen e anëtarëve të institucioneve kushtetuese. Krahas shumicës për zgjedhjen e përfaqësuesve të institucioneve të sistemit drejtësisë, drafti përfundimtar i ekspertëve të EURALIUS e OPDAT, nuk ka reflektuar asnjë nga 10 propozimet e Partisë Demokratike, të cilët kanë qenë edhe tek rekomandimet e Venecias.
Këshilli i Lartë i Drejtësisë do të pushojë së funksionuari, ndërsa ngrihet Këshilli i Lartë Gjyqësor. Në KLGJ nuk do të jetë më anëtar Presidenti i Republikës dhe as Ministri i Drejtësisë. Ky i fundit do të jetë i pranishëm në disa mbledhje, por pa të drejtë vote.
Nga ana tjetër, anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës së Lartë Administrative do të jenë në tagrin e Presidentit të Republikës, me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, për një mandat 9 vjeçar, pa të drejtë riemërimi.
Reduktim të kompetencave të Presidentit ka edhe në raport me emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm, i cili aktualisht emërohet nga Presidenti me pëlqim të Parlamentit.
Është Këshilli i Lartë i Prokurorisë ai që do të përzgjedhë kandidatura, të cilat i përcillen Parlamentit. Prokurori i Përgjithshëm emërohet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Bazuar në një thirrje publike për kandidatët, Këshilli i Lartë i Prokurorisë përzgjedh dhe rendit sipas një procedure transparente dhe publike tre kandidatët më të kualifikuar dhe me reputacion më të mirë dhe ia përcjell ata Kuvendit.
Sipas procedurës, nëse Kuvendi nuk emëron Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve nga paraqitja e propozimeve, kandidati i renditur më lart nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë konsiderohet i emëruar.
Prokurori i Përgjithshëm emërohet për një periudhë 7 vjeçare pa të drejtë riemërimi.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë, gjashtë prej të cilëve zgjidhen nga prokurorët e të gjitha niveleve të prokurorisë dhe pesë anëtarë zgjidhen nga Kuvendi nga radhët e juristëve jo prokurorë.
Anëtarët prokurorë përzgjidhen nga radhët e prokurorëve me moral dhe integritet të lartë profesional sipas një procedure transparente dhe publike që siguron një përfaqësim të drejtë të të gjitha shkallëve të prokurorisë.
Kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen dhe renditjen e kandidatëve të cilët vijnë nga radhët e prokurorisë rregullohen me ligj. Anëtarët jo prokurorë përzgjidhen nga radhët e juristëve të spikatur me jo më pak se 15 vjet përvojë pune në profesion, me integritet të lartë moral dhe profesional. Kandidatët nuk duhet të jenë dënuar më parë për kryerjen e një vepre penale.
Ata nuk duhet të kenë mbajtur funksione politike në administratën publike dhe pozicione drejtuese në parti politike, gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit.
Anëtarët jo prokurorë zgjidhen nga Kuvendi me tre të pestat e të gjithë anëtarëve mbi bazën e propozimeve nga radhët e avokatëve, një anëtar, nga radhët e noterëve, një anëtar, nga trupa e pedagogëve të drejtësisë, një anëtar, nga trupa e pedagogëve jo gjyqtarë ose prokurorë të Shkollës së Magjistraturës, një anëtar dhe nga shoqëria civile, një anëtar. Për çdo vend vakant organizmat propozuese i paraqesin Këshillit të Emërimeve në Drejtësi tre kandidatë të përzgjedhur, sipas një procedure transparente dhe publike. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi bën renditjen e kandidatëve dhe ia dërgon Kuvendit.
Kuvendi voton veçmas për secilin grup kandidatësh. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk arrin shumicën prej tre të pestave, organizmi propozues bën një propozim të ri brenda 15 ditëve. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerëson dhe rendit kandidatët brenda 7 ditëve nga dorëzimi i propozimeve të reja.
Kuvendi voton për kandidaturat e reja brenda 7 ditëve nga dorëzimi i vlerësimit dhe renditjes. Në rast se kjo shumicë nuk arrihet as në votimin e dytë, kandidatët nga të dyja raundet, të cilët renditen të parët për secilin grup konsiderohen të emëruar.
Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo prokurorë, me shumicën e të gjithë anëtarëve.
Në rast se kryetari nuk zgjidhet në mbledhjen e parë, anëtari më i vjetër nga radhët e prokurorisë organizon zgjedhjen e kryetarit me short në mbledhjen e radhës, e cila zhvillohet e hapur. Kryetari qëndron në detyrë deri në përfundim të mandatit si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë e ushtrojnë detyrën me kohë të plotë për një periudhë prej pesë vjetësh, pa të drejtë rizgjedhjeje të njëpasnjëshme.
Në përfundim të mandatit anëtarët prokurorë rikthehen në vendet e mëparshme të punës. Anëtarët jo prokurorë që përpara emërimit punonin me kohë të plotë në sektorin publik, rikthehen në vendet e mëparshme të punës ose në pamundësi, në detyra të barazvlefshme me to.
Prokuroria Speciale
Në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, Kushtetuta është ndryshuar në disa nene të rëndësishme të saj. Krijimi i Prokurorisë së Posaçme është një nga strukturat e reja që krijohet nga reforma.
Kjo strukturë do të jetë e pavarur nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në draftamendamentet kushtetuese thuhet se Prokuroria e Posaçme për ndjekjen penale si dhe njësia e posaçme për hetimin (Byroja Kombëtare e Hetimit) e veprave penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe të akuzave penale kundër funksionarëve të lartë janë të pavarura nga Prokurori i Përgjithshëm dhe krijohen me ligj. Njësia e posaçme hetimore raporton vetëm tek Prokuroria e Posaçme.
Për organin e akuzës, Prokurorinë, Kushtetuta preket në nenin 143 të saj, ku Presidentit të Republikës i hiqet kompetenca e propozimit të prokurorit.
Prokuroria e Posaçme do të përbëhet nga 10 prokurorë me mandat 9 vjeçar të emëruar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë me mandat 3 vjeçar, pa të drejtë riemërimi, sipas ligjit.
Tribunali Disiplinor
Tribunali Disiplinor i Drejtësisë vendos në lidhje me masat disiplinore për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorin e Përgjithshëm dhe zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Tribunali Disiplinor i Drejtësisë përbëhet nga Kryetari i Gjykatës së Lartë, një gjyqtar tjetër nga Gjykata e Lartë i zgjedhur me short, një gjyqtar i Gjykatës së Lartë Administrative i zgjedhur me short, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga gjykatat e apelit të zgjedhur me short, dhe një gjyqtar dhe një prokuror nga gjykatat e shkallës së parë të zgjedhur me short. Ligji parashikon procedurën dhe mënyrën e përzgjedhjes me short.
Ankimet kundër vendimeve të Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë si dhe ankimet kundër vendimeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese.
Kryetar i Gjykatës së Lartë është Kryetari i Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë, i cili krijon kushtet e punës për ushtrimin e veprimtarisë së Tribunalit Disiplinor të Drejtësisë.