Thellohet vala e borxheve në ekonominë shqiptare, e cila po përkeqëson krizën e likuiditetit që ka pushtuar ekonominë që prej vitit 2008. Vetëm në sektorin e industrisë janë zbardhur deri më tani rreth 1 miliard dollarë detyrime nga të cilat, 595 milionë dollarë i takojnë kompanisë ARMO dhe 375 milionë dollarë Kurum. Detyrimet janë thelluar edhe për sektorë të tjerë, si ndërtimi dhe tregtia. Nënkontraktorët, më të prekurit. Përmbaruesit pohojnë: Janë rritur kërkesat për ekzekutimin e borxheve ndërmjet bizneseve
Blerina Hoxha
Ekonomia e vendit është përfshirë nga një valë e shtuar borxhesh këtë fillimvit, e nxitur nga kriza e sektorit të industrisë, e cila po vuan çmimet e ulëta të naftës dhe mineraleve në tregjet ndërkombëtare dhe klimën jo fort të përshtatshme të ambientit të brendshëm të biznesit.
Ende pa u parë rezultatet e pastrimit të 60 miliardë lekë borxhe qeveritare të prapambetura të krijuara para 2013-s, mungesa e likuiditetit po shtrihet si një merimangë në të gjithë kapilarët e ekonomisë. Fenomeni ka përfshirë edhe qeverinë, e cila në fund të 2015 ka krijuar detyrime të reja ndaj kompanive private të kontraktuara për punë publike dhe rreth 10 milionë euro.
Nga ana tjetër, lista e borxhlinjve të këqij në tatime vetëm për tre muajt e parë është shtuar me 1366 subjekte të reja, teksa ekstraktet e QKR janë tejmbushur me sekuestro nga shoqëritë përmbarimore për shkak të detyrimeve që kanë ndaj bankave dhe të tretëve.
Sistemi bankar po kërcënohet nga një valë e re kredish të këqija, si rrjedhojë e shitjeve nën kosto në sektorin e industrisë. Banka e Shqipërisë ka lajmëruar se, vetëm nga falimenti i kompanisë Kurum borxhet e kreditë e këqija mund të rriten me 1 pikë përqindje. Detyrimet zinxhir në sektorin e industrisë arritën në 1 miliard dollarë, ku kryesojnë kompanitë ARMO me 595 milionë dollarë dhe Kurum me 375 milionë dollarë. Ndërsa qindra kompani të sektorit të industrisë minerare dhe naftës janë duke punuar me humbje. Disa prej tyre kanë shpallur falimentin dhe të tjera janë duke kërkuar blerës. Për rrjedhojë, ndaj kompanisë publike së nxjerrjes së naftës, Albpetrol është akumuluar një detyrim prej 60 milionë erosh, nga mospërmbushja e detyrimeve kontraktore në zinxhirin e sektorit.
Ky zinxhir borxhesh duket se ka prekur edhe pjesën më vulnerabël, punonjësit e kompanive, të cilët këto ditë janë hedhur në protesta për pagat e prapambetura.
Në sektorë të tjerë, kriza e borxheve është thelluar edhe nga mungesa e likuiditetit. Rënia e konsumit ka ulur të ardhurat për kompanitë, të cilat po hasin së fundi vështirësi në shlyerjen e faturave. Gelas Yzo, nga shoqëria përmbarimore EPSA, pohoi se kohët e fundit është shtuar ndjeshëm ekzekutimi me forcë i arkëtimeve biznes me biznes edhe për faktin se fatura e TVSH është titull ekzekutiv që prej vitit të kaluar. Redona Sokoli, një ekonomiste në biznesin e pjesëve të këmbimit, pohoi se këtë vit edhe klientët seriozë po hasin vështirësi në likuidimin e furnizimeve sipas kontratave. Ajo shpjegon se ekzekutimi nga përmbarimi i faturave ka kosto të larta.
Kriza e borxheve është thelluar edhe në sektorin e ndërtimit. Hajredin Fratari nga Konfindustria, pohon se nga anketimet e shoqatës borxhet që kompanitë e ndërtimit i kanë njëra-tjetrës dhe zinxhirit të sektorëve i kalojnë të 200 milionë dollarët aktualisht.
Llazi Balliu, një kontabilist i vjetër thotë se, borxhet janë pasqyrë e zhvillimit të dobët të ekonomisë. Sipas tij, përmirësimi i konsumit është guri i themelit për të rigjeneruar rritjen, por kjo nuk ka sesi të ndodhë nëse burimet që financojnë konsumin nuk rriten.
Industria, më e goditura
Industria nxjerrëse, sektori që përjetoi kulmin e shkëlqimit deri para dy vitesh, duke u rikthyer si kontributor në eksporte dhe në rritjen e PBB-së, tani është në grahmat e mbijetesës e zhytur në borxhe dhe makth i ri për të gjithë ekonominë që nga treguesit makro deri te rrogat e punonjësve.
Zinxhiri i borxheve ka arritur në 1 miliard dollarë, teksa kompanitë e sektorit po falimentojnë, nga ana tjetër bankat rrezikojnë të përballen me një valë të re kredish të këqija. Të gjithë kompanitë në sektorin e industrisë aktualisht janë duke punuar nën kosto. Burimet në Ministrinë e Energjetikës, pohojnë se 1 ton mineral nga kromi po shitet 20 dollarë më lirë se bursa. Pothuajse shumica e kompanive që punojnë në sektor kanë kërkuar pezullim të përhoshëm të lejeve. Por nëse situata e çmimeve të ulëta zgjat, falimenti është sigurt. Kompanitë e nxjerrjes së mineraleve janë të vogla dhe nuk kanë likuiditet të mjaftueshëm për të përballuar efektin e çmimit të ulët. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe kompanitë e naftës. Pothuajse të gjithë koncesionarët janë duke ushtruar aktivitet me linja overdrafti pasi, çmimi i naftës në bursë është sa kosto dhe për shumë kompani poshtë kostos. Panajot Soko, një ekspert i fushës tha se, kompanitë e naftës janë duke vuajtur pasojat e çmimeve të ulëta të naftës dhe cilësisë së dobët të naftës shqiptare. Soko tha se, tregu ndërkombëtar aktualisht është i ngopur me naftë të cilësisë së lartë dhe për naftën shqiptare që thuajse është e kategorisë së fundit nuk ka treg, edhe pse me çmime të ulëta. Shkurt, naftën shqiptare nuk e blejnë as lirë, tha Soko i cili pohoi se situata e kompanive shqiptare do të ndryshojë, jo vetëm kur të rritet çmimi, por edhe kur të rritet kërkesa për naftën e “keqe”. Por nëse kjo situatë zgjat, Soko thotë se, kompanitë nuk do të mund të përballojnë humbjet. 2016-a cilësohet si viti i mbijetesës, teksa kompanitë janë futur në një zinxhir të frikshëm borxhesh dhe falimenti.
ARMO, perandoria e borxheve 595 mln USD
Në fund të tremujorit të parë të 2016, detyrimet e kompanisë ARMO në total kanë arritur në 595 milionë dollarë sipas burimeve në Ministrinë e Energjetikës. Borxhet e kompanisë janë rritur në mënyrë të frikshme, teksa pronarët e kompanisë nuk janë prezentë, ndërsa punonjëit kanë filluar protestat për mosmarrjen e pagave prej muajsh.
Të njëjtat burime bëjnë dije se, nga totali i detyrimeve afërsisht 300 milionë dollarë janë kredi bankare dhe pjesa tjetër e borxheve ndahet ndërmjet Albpetrolit, tatim-taksave, të tretëve dhe punonjësve. Teksa ish- kompania shtetërore e naftës ka krijuar ajsbergun e borxheve rafineritë e saj kanë qenë në punë qysh nga privatizimi i saj. Por duket se, problematika e saj është përtej aftësive në administrim.
Pak ditë më parë, kompania shtetërore e nxjerrjes së naftës, Albpetrol ka marrë në ruajtje rafinerinë e ARMO-s, në Ballsh. Lëvizja ka ardhur, pasi pak ditë më parë, Albpetrol fitoi gjyqin në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë ndaj rafinerisë së përpunimit ARMO për një detyrim 30 milionë euro. Në proces gjyqësor janë dhe 20 milionë euro të tjera. Nga ana tjetër, punonjësit e ARMO-s prej ditësh janë në protesta pasi kanë gati një vit pa marrë pagat.
Pak javë më parë, kompania përmbarimore EPSA nxori në shitje një tjetër uzinë të përpunimit të naftës të rafinerisë së ARMO, (truall dhe ndërtesa në fshatin Drizë) për llogari të bankës Raiffeisen, për një kredi të pashlyer prej 2.8 miliardë lekësh (rreth 20 milionë euro). Si ankandi i parë, ashtu dhe i dyti, ku vlera e shitjes u përgjysmua në 10 milionë euro, dështuan dhe uzina i ka kaluar në pronësi bankës Raiffeisen. Përveç Raiffeisen Bank, edhe Tirana Bank është vënë në radhë për të mbledhur borxhet nga kreditori më i madh më i keq në Shqipëri.
Në gusht të 2013-s, Heany Assets Corporation bleu aksionet e Anika Merkuria Associated Oil, e cila zotëronte 85% të aksioneve të ARMO sh.a. Në datën e blerjes, Heany Assets Corporation njohu detyrimet e shoqërisë, të cilat arrinin në 243.5 milionë dollarë. ARMO, gjatë vitit 2014, përfitoi të ardhura, si qiradhënëse e dy rafinerive, si pronare e tyre. Mirëpo, detyrimet e kompanisë janë shtuar në mënyrë galopante dy vitet fundit duke shkuar në gati 600 milionë dollarë.
Shitet Transatlantik Petroleum, lë pas 31 milionë USD detyrime
Më 4 mars 2016, u bë e ditur shitja e koncesionarit të naftës, Transatlantik Petroleum Ltd (ish Stream Oil) tek GBC Oil në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarësh tek banka Raiffeisen dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. Për gazin e Delvinës, Transatlantic njofton se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 milionë dollarësh të lidhura me të, tek Delvina Gas Company Ltd. (DelvinaCo), një kompani e re, në pronësi po të Transatlantic.
Që në momentin e deklarimit të shitjes, Albpetrol bëri të ditur se nuk e miratonte transaksionin në rast se kompania nuk shlyente borxhet (rreth 10 milionë dollarë vetëm ndaj Albpetrol) dhe së dyti, blerësi duhet të ishte një kompani me eksperiencë).
Kompania, pronësia e të cilës po kalon dorë më dorë shfrytëzon me koncesion 4 vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës,
Detyrimet ndaj Albpetrol, mbi 60 milionë euro
Vështirësitë që po kalojnë koncesionarët e naftës janë përplasur tek Albpetrol. Burimet pranë kompanisë pohuan se deri më tani janë akumuluar mbi 60 milionë euro detyrime, nga të cilat 50 milionë euro i ka kompania e përpunimit të naftës ARMO, 10 milionë euro janë detyrime të trashëguara nga Transatlantik Petrolium te blerësi i ri GBC OIL.
Koncesionarët e naftës, në shitje në rastin më të parë
Drejtori i Albpetrol, Endri Puka, tha se me çmimet aktuale kompanitë kryesore, veçanërisht Bankers e Albpetrol, do të mund të kalojnë testin e 2016-s. Duke i paraprirë krizës, këto dy kompani kanë ulur ndjeshëm kostot e prodhimit për fuçi gjatë viteve 2014 dhe 2015. Kompanitë e tjera që operojnë në Shqipëri duhet të bëjnë përpjekje thelbësore për ta kaluar këtë test pa goditje të rëndësishme, tha Puka. Në këtë situatë, shpjegoi ai, të gjitha kompanitë private do t’i shohin me interes ofertat që do t’u vijnë për të shitur pjesën kontrolluese të aksioneve dhe pritet që disa ndryshime të rëndësishme të ndodhin në 2016-n.
Falimenton Kurum, lë pas 375 mln USD detyrime
Kompania e prodhimit dhe përpunimit të hekurit, një nga bizneset më të mëdha në vend, pak ditë parë shpalli ristrukturim nëpërmjet falimentit. Kompania e dytë më e madhe eksportuese në vend, la pas të paktën 375 milionë dollarë borxhe (300 milionë euro), gjyma e të cilave janë ndaj bankave dhe pjesa tjetër ndaj palëve të treta. Burimet pranë kompanisë pohuan se, shkak i falimentit ishin çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare, ndërsa Shqipëria ofron kosto të larta prodhimi. Për rrjedhojë një ton hekur nga Kina në Durrës kushton 9 dollarë më pak se hekuri i Kurum-it. Falimenti i kompanisë ka krijuar shqetësim në treg. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë lajmëroi se, falimenti i Kurum ka ndikim me 1 pikë përqindjeje në rritjen e kredive të këqija. Kompania Kurum nga bankat vendase mësohet se ekspozimin më të lartë e ka tek Raiffeisen Bank, me rreth 30 milionë euro.
Kompania është zhytur në krizë likuiditeti, teksa nga njëra anë pret të arkëtojë 19 miliardë lekë nga furnitorët dhe në anën tjetër ka rreth 17 miliardë lekë detyrime ndaj të tretëve.
As qeveria nuk shlyen faturat
Mungesa e korrektësisë për të shlyer faturat në afat ka kapur edhe qeverinë, e cila në fund të vitit që shkoi nuk ka arritur të shmangë krijimin rishtas të detyrimeve të prapambetura. Më 2015, qeveria akumuloi detyrime të prapambetura në vlerën e 1.4 miliardë lekëve (10 milionë euro) nga të cilat 950 milionë lekë u përkasin kompanive të rrugëve.
Detyrimi i akumuluar në Ministrinë Transportit më 2015 është 950 milionë lekë, sipas burimeve zyrtare në Ministrinë e Financave. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) akumuloi detyrime të krijuara rishtas për kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 594 milionë lekë.
Ministria e Financave sqaron se këto janë kontrata shumëvjeçare dhe buxheti vjetor është i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.
Shoqata e Ndërtuesve pohon se, qeveria ka akumuluar borxhe ndaj kompanive të rrugëve, për të njëjtin shkak si edhe para 2013. Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve shpjegoi se, shkurtimi i buxhetit në mes të vitit 2015, ka prekur edhe fondet dedikuar ndërtimit të rrugëve. Kompanitë ishin tenderuar me fondet e fillimvitit, po shkurtimi i tyre në mes të vitit ka krijuar detyrime të qeverisë për disa kompani – shpjegoi Dervishi.
Në vijim të borxheve, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka akumuluar detyrime në vlerën 180.1 milionë lekëve, që kanë ardhur si pasojë e mos planifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2015 nga ARRSH, shpjegon Ministria e Financave në një raport të posaçëm për këtë çështje. Në kontratat e supervizioneve të punimeve janë akumuluar detyrime në vlerën 11.8 milionë lekëve.
Marrëveshja më Fondin Monetar Ndërkombëtar e detyron qeverinë të shlyejë detyrimet e akumuluara ndaj kompanive private në vitin fiskal pasardhës. Por Ministria e Financave konstaton se nga detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2015, ARRSH ka planifikuar në buxhetin e vitit 2016 për shlyerjen e këtyre detyrimeve vetëm 44.7 milionë lekë, me argumentimin e tavaneve buxhetore të këtij viti të pamjaftueshme për të përballuar financimin e kontratave shumëvjeçare të angazhuara më parë. Kjo shumë është mjaftueshme për të shlyer vetëm një të dhjetën e borxhit të krijuar nga Autoriteti Rrugor më 2015.
Pas sektorit të rrugëve, kompanitë publike të ujësjellës-kanalizimeve kanë akumuluar borxhe ndaj kompanive private në vlerën 89 milionë lekëve, të cilat kanë të bëjnë me pagesat e rimbursimit të TVSH dhe kosto lokale për projektet me financim të huaj. Sipas informacionit që Ministria e Transportit ka paraqitur në Ministrinë e Financave sqarohet se detyrimet e krijuara në periudhën 1 janar 2015 – 31 dhjetor 2015 në këtë sektor, janë planifikuar për t’u shlyer me fondet e buxhetore të këtij viti për Drejtorinë e Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve
Detyrimi i akumuluar i Ministrisë së Arsimit për vitin që shkoi kap vlerën e 55 milionë lekëve, nga të cilat 31.3 milionë lekë janë detyrime për investime të kryera në Universitetin Aleksandër Moisiu në Durrës dhe 3.7 milionë lekë janë vendime gjyqësore për Zyrat Arsimore në rrethet: Skrapar, Përmet, Tepelenë dhe Kamëz. Siç raporton Ministria e Financave, këto detyrime janë planifikuar të shlyhen brenda këtij viti.
Ministria e Drejtësisë ka krijuar detyrime të reja që shkojnë në vlerën 129.2 milionë lekë, nga të cilat Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave 120.7 milionë lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, nga të cilat rreth 6.5 milionë lekë duhet të ishin raportuar dhe shlyer në zbatim të VKM nr. 405, datë 13.05.2015 (shlyerja e detyrimeve të prapambetura për vendime gjyqësore).
Detyrimi i akumuluar në Ministrinë e Shëndetësisë arriti më 2015 në 16.3 milionë lekë, të krijuara në disa Drejtori të Shëndetit Publik në disa rrethe, për vendime gjyqësore për largim nga puna.
Ministria e Punëve të Brendshme ka raportuar në Ministrinë e Financave se, për vitin 2015 ka akumuluar 10.2 milionë lekë detyrime, nga të cilat Emergjencat Civile 5.3 milionë lekë, të cilat duhet të ishin raportuar dhe shlyer në zbatim të VKM nr. 50, datë 05.02.2014 (për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura) por, nga ana e njësive të qeverisjes vendore, këto detyrime janë raportuar me vonesë dhe pa dokumentacion të saktë pranë emergjencave civile.
Policia e Shtetit ka krijuar 3 milionë lekë borxhe për ekzekutim të vendimeve gjyqësore dhe 1.9 milionë lekë detyrime për shpenzime korrente për disa drejtori policie vendore dhe qarku.
Ministria e Bujqësisë ka krijuar detyrime që kapin vlerën e 65.6 milionë lekëve, nga të cilat mbi 3 milionë lekë janë krijuar nga Drejtoria e Bujqësisë në Elbasan si borxhe ndaj ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Pjesa tjetër, 62 milionë lekë, është krijuar për projektin “Ndërtimi i Portit të Peshkimit në Durrës” dhe ka të bëjë me detyrime për kosto lokale dhe TVSH për këtë projekt. Sakaq Ministria e Bujqësisë ka sqaruar për Ministrinë e Financave se fondet e akorduara në programin e peshkimit janë të pamjaftueshme për t’u likuiduar këto detyrime me buxhetin e vitit 2016.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik raportoi në qeveri se për 2015, detyrimet e krijuara janë në vlerën 48.4 milionë lekëve të lindura nga vendimet gjyqësore të formës së prerë. Këto detyrime raportohen në vlerën rreth 1.1 milionë lekë në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe vlerën rreth 47.3 milionë lekë në aparatin e Ministrisë.
Borxhet e krijuara rishtas nga Ministria e Integrimit më 2015 kapin vlerën e 3.6 milionë lekëve, që kanë të bëjnë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.
Ministria e Mirëqenies Sociale ka krijuar 13.9 milionë lekë borxhe më 2015, të cilat përfaqësojnë vendime gjyqësore. Likuidimi i tyre është planifikuar të bëhet me buxhetin e vitit 2016. Nga kjo vlerë, rreth 1.1 milionë lekë duhet të ishin shlyer në zbatim të VKM nr. 50, datë 05.02.2014 (për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura), por duket se kanë mbetur të pashlyera.
Ministria e Kulturës ka krijuar 1 milion lekë borxhe vitin e kaluar ndërsa Ministria e Mjedisit 64 milionë lekë, të gjitha për vendime gjyqësore për largim nga puna. Këto vendime gjyqësore kanë ardhur si pasojë e ristrukturimit të Drejtorive Rajonale të Shërbimit, ku pjesa më e madhe e raportimit dhe depozitimit të tyre në Ministrinë e Mjedisit ka qenë gjatë periudhës janar-mars 2015 (periudhë në të cilën Ministria e Mjedisit nuk ka qenë e përfshirë në monitorim), sqaron Ministria e Financave.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, për të gjithë vitin 2015, ka krijuar 56 milionë lekë borxhe të reja për rimbursimin e TVSH-së.
Kriza e borxheve, më të goditurit nënkontraktorët
Izet Baja, një biznesmen në sektorin e ndërtimit prej pesë vitesh, nuk po mund të arkëtojë një detyrim prej 500 mijë eurosh nga kompania italiane ESEGEI që ndërtoi disa HEC-e me koncesion gjatë viteve 2008-2010. Baja thotë se ishte kontraktuar nga italianët për punimet civile të HEC-eve në disa zona të vendit, por pavarësisht se tani objektet janë vënë në punë, ai ende nuk ka marrë pagesat e punimeve. Pothuajse të gjitha likuiditetet e lira, Baja i ka investuar nëpërmjet firmës së tij 2R sh.p.k. për objektet e ESEGEI dhe tashmë gjendet përballë falimentit. Historia e zotit Baja vlen edhe për shumicën e bizneseve shqiptare që punojnë si nënkotraktorë. Kompanitë që fitojnë garën të parët e kanë shndërruar gati në traditë që të mos japin fondet për shërbimet që marrin nga të tretët. Në një situatë të tillë është edhe kompania greke, AKTOR, e kontraktuar nga qeveria shqiptare për të ndërtuar autostradën Tiranë-Elbasan. Në ekstraktin e AKTOR në QKR vetëm në gjashtë muajt e fundit janë bërë 13 kërkesa për sekuestro nga kompanitë përmbarimore për shkak se, kompania nuk ka shlyer detyrimet ndaj nënkontratorëve për punë dhe shërbime. Një rast i ngjashëm përfshin edhe projektin e Lungo Mare në Vlorë. Burimet pranë kompanive nënkontraktore pohojnë se punimet po zgjaten për shkak se shoqëritë që kanë fituar garën për ndërtimin e saj nuk i kanë paguar nënkontraktorët, të cilët, nga ana tyre, kanë pezulluar punimet. Faza e punimeve në këtë projekt përfshinte një investim prej 1.8 miliardë lekësh.
Ekonomistë në kompani që punojmë me fonde publike pohojnë se, ka shumë arsye për të cilat tenderimi i fondeve publike është nxitje për krijimin e borxheve në sektorin privat. Arbona Ismaili që plotëson dokumente tenderi dhe jep konsulenca se si të garosh për fondet publike, jep disa arsye. Ajo shpjegon se, tenderët publikë janë përqendruar në pak kompani. Fituesve u duhet të paguajnë gjithmonë një komision të lartë në formën e ryshfetit ndaj ofrueseve të tenderit (duhet thënë se kostot e komisioneve janë rritur ndjeshëm) shpjegon ajo. Kompania që ka fituar garën destinon fondet e mbetura në kompani nënkontraktore. Kur e njëjta kompani fiton shumë tenderë njëherësh nuk mund të përballojë me likuiditet të gjitha frontet e punës njëkohësisht ndaj dhe lë pa paguar nënkontraktorët. “Unë këshilloj kompanitë që të mos nënkontraktojnë. Është e sigurt se po lidhet kontratë për 40% të punimeve nuk paguhesh” shpjegoi Arbona.
Sektori i ndërtimit, i cili është përfshirë i pari nga kriza e borxheve si rezultat i efektit flluskë në çmimet e banesave 8 vite më parë, duket se po përjeton një thellim të krizës. Hajredin Fratari nga Konfindustria pohoi se nga të dhënat e shoqatës aktualisht, borxhet që kompanitë e ndërtimit i kanë njëra-tjetrës arrijnë në 200 milionë euro. Por për Arben Dervishin nga Shoqata e Ndërtuesve, sektori ka kohë që vuan pasojat e mungesës së likuiditetit. Më së shumti pagesat në këtë sektor kryhen me klering pohoi ai, teksa cilësoi se problemi më i rëndë që po kalon sektori aktualisht është mungesa e fronteve të punës. Investimet me fonde publike kanë rënë dhe kërkesa nga sektori privat është në pikën më të ulët,- tha Dervishi.
Borxhet, 1366 subjekte i shtohen listës së zezë të tatimeve
Lista e subjekteve që janë borxh tek tatimet nga fillimi i vitit deri më 31 mars është shtuar me 1366 biznese. Debitorët u shtuan me 8.5% këtë vit në krejt totalin prej 16005 subjektesh.
Vetëm për tre muajt e parë, bizneset që nuk arritën të shlyenin detyrimet fiskale ishin gati sa gjysma e subjekteve që ju shtuan listës së zezë vitin e kaluar.
Lista e zezë e tatimeve nisi të publikohej më 21 nëntor të vitit 2009 nga administrata tatimore. Me këtë listë, tatimet njoftojnë se kanë vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.
Njoftimi bëhet që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.
Ky publikim bëhet që të njoftojë të gjitha palët që kanë interesa me këta tatimpagues. Por tatimet bëjnë me dije se me pagimin e plotë të detyrimit, të dhënat e subjektit fshihen nga lista e zezë. /Monitor/