Kryeministri Edi Rama ka dalë sot në një deklaratë për mediat në reagim të deklaratave të paraardhësit të tij, Sali Berisha gjatë seancës së djeshme parlamentare. Rama tha se Berisha shpërfilli mesazhet e Shtëpisë së Bardhë për të finalizuar reformën në drejtësi dhe se ai do ta bllokojë këtë reformë.
“Nuk do t’ia vlente humbja e kohës me të nëse ky personazh qesharak nuk do të diktonte axhendën politike dhe komunikimin politik të PD-së. Ka disa arsye për të hetuar Berishën si ish-kryeministër të vendit. Kjo e thirrjes së popullit për tu armatosur është një arsye më shumë. Shqipëria s’mund të jetë një vend tërësisht normal për sa kohë çfarë shkruhet në ligj nuk zbatohet. Shqipëria s’mund të bëhet vendi normal që meritojnë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, për të cilët ligji lexohet ndryshe dhe zbatohet ndryshe nga ç’lexohet dhe zbatohet për ata që i bëjnë ligjet dhe paguhen nga taksat shqiptare për t’i trajtuar të gjithë të barabartë para ligjit. Prandaj Berisha nuk është hetuar deri më sot për çfarë ka bërë, dhe as për çfarë tha dje për sa kohë reforma në drejtësi nuk do të zbatohet”- deklaroi Rama.
Kreu i Ekzekutivit theksoi se Berisha dhe Partia Demokratike po nxjerrin dita-ditës justifikime për të penguar reformën në drejtësi. Ai pohoi se çdo e enjte të parlament nuk tregon për rëndësinë e ligjeve që miratohen, por pafuqinë e tyre.
“Saliu është tipiku, ndaj dhe bie më shumë në sy. Prandaj dhe e njëjtat është bërë dita kur parlamentet nuk u tregon shqiptarëve rëndësinë e ligjeve që miraton, pro tregon pakufinë e ligjit. Dhe personazhin që vendet e Evropës që do ta kishin arkivuar me kohë. As më shumë afrohen afatet, dëshpërimi i Saliut bëhet dëshpërim për partinë për reformën. PD dje me Saliun në krye e kanë çuar këtë politikë në fund dhe ajo është e planifikuar për të ardhur në rritje. Për ta abortuar atë, për të nxjerr justifikime për braktisjen e reformës. Nëse i kthehemi gjithë kronikës së këtyre muajve, do shohim se është pjesë e një plani, pavarësisht se esesët nga vezët tek lodrat janë shprehje e një fakti të thjesht; plani është i dëshpëruar. Shanset që ky plan të funksionojë, janë dëshpëruese. Saliu nuk e do reformën, Pikë. As PD nuk e do.”, tha Rama.
Kryeministri deklaroi se dje PD dhe Berisha arritën kulmin me akuzat e tyre për arrestimin e Emiljano Shullazit.
“Nga ideja e reforma mund ti kthehej të fortët e veshur me kostum dhe të strehuar dhe për tu kthyer në të pandehur. PD dhe Saliu duan ta hedhin në erë reformën. Ja pse arritën në kulm volumin e gënjeshtrave dhe akuzave për qeverinë dhe policinë për arrestimin e Shullazit. Ja pse është rritur volumi i plehrave anonime që nxjerr koshi dixhital i Saliut. Shtëpia e Bardhë dha një mesazh të qartë për reformën në drejtësi, në respekt të aspiratës së popullit shqiptar. Shtëpia e Bardhë, SHBA e mbështesin fuqimisht. Mesazhi i qartë: Të gjithë ata që e përfaqësojnë popullin shqiptar nuk mund ta tradhtojnë këtë aspiratë madhore që përcakton edhe fatin e procesit të integrimit në një fazë ku Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe ka marrë të gjithë mbështetjen, dhe njëkohësisht kur politika nuk duhet të luajë me zjarrin”, -nënvizoi Rama.
Sipas tij, Berisha i shpërfilli këto mesazhe, në një kohë kur duhet të ishte intensifikuar puna për reformën në drejtësi.
“Europa e nesërme nuk është e thënë që të jetë Europa e sotme dhe gatishmëria e partnerëve tanë nuk është e thënë që të mbetet ajo e sotmja për shkaqe që nuk varen nga ne. Çuditërisht kur duhet të ishte intensifikuar puna për reformën, dhe pas mesazhit të Shtëpisë së Bardhë, vjen mesazhi për të marrë armët. Me demek për t’u mbrojtur nga krimi, por në fakt për të mbrojtur Saliun nga reforma në drejtësi. Çdo mendje e kthjellët e kupton këtë siç kuptojnë sytë dritën e diellit”, tha Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se mesazhet e Shtëpisë së Bardhë nuk janë pikat e rregullores së Kuvendit. Për Ramën, thirrja e Berishës është e njëjtë me atë për hapjen e depove të armëve por askush sipas tij nuk duhet të shqetësohet.
“Mesazhet e Shtëpisë së bardhë nuk janë pikat e rregullores së Kuvendit që nuk i ka marrë parasysh për 25 vite dhe nxjerr gjithë arsenalin e fantazisë së tij. Në fakt në pritje që të gjenden ca qorra që ta ndjekin nga pas, që të bëjnë një nga ato hatatë që ai ka treguar në histori se i thërret në ndihmë kur e lënë këmbët. Kjo është një përsëritje qesharake e historisë tragjike të hapjes së depove të armëve, nga një njeri që sot nuk ka asgjë në dorë. Askush nuk duhet të shqetësohet dhe të marrë seriozisht mundësinë që nën thirrjen e Saliut të shfaqen prapë armët. Të gjithë së bashku duhet të shqetësohemi për fatin e reformës në drejtësi. Shqipëria dhe shqiptarët sot në pozicionin më të mirë gjeo-politik”, deklaroi Rama.
Ai theksoi më tej se reforma në drejtësi do të jetë finalizimi i gjithë kthesës që ka bërë kjo qeveri.
“Dua t’ju them, ne po marrim një kthesë të vështirë në çdo sektor të jetës, pas shumë vitesh në drejtim të gabuar. Reforma në drejtësi, finalizimi i kësaj kthese për të vazhduar rrugën në drejtimin e duhur dhe mbledhjen e fryteve. Kemi filluar të bëjmë shtet por është reforma në drejtësi që i garanton”, tha ai.
Rama deklaroi se ‘kjo reformë prek ata që kanë bërë ligje apo gjyqe por që kanë shkelur të tjerët’.
“Reforma është fillimi i fundit të kastës së pandëshkueshmërisë edhe në gjyqësor. Ndaj mos u çudisni dhe mos merrni seriozisht rrezikun se njerëzit do marrin armët se Saliut mbrapa nuk i vete njeri jo për të mbajtur armët por as për t’i mbajtur xhaketën. Shqetësohuni për këtë rezistencë të kastës, që është rezistenca e lidhjes së hershme në mëkat mes pushtetit të politikës dhe pushteti gjyqësor”, u shpreh ai.
Në përfundim kryeministri Rama deklaroi se reforma do të kalojë. “Ajo që mbetet për të parë është se me çfarë çmimi?!”