Ajo ishte e ulur në prehrin e të atit, ishin duke mësuar frëngjisht, kur u dëgjua të binte dera.
Nuk prisnin njeri. Ishte një darkë si gjithë të tjerat veçse, me një paralajmërim. Një ditë më parë, Zyhdi Harri kishte takuar Enver Hoxhën. Entuziast siç ishte për këtë, ia jep menjëherë lajmin të ëmës, me të hyrë në shtëpi. “I lexonte të gjitha shkrimet e mia, më tha se i pëlqenin shumë”, i pati thënë. “Ruaj veten, bir!”, ia pat kthyer e ëma që, me përvojën e viteve dhe pa idealizmat e rinisë, ca gjëra më shumë i kishte dëgjuar. “Po të lavdëroi ai, të ha kokën”. Zyhdiu nuk ia vuri veshin! E ç’do t’i ndodhte?! Ai shihte punën e tij… edhe një shok të afërt që kishte atje ku punonte, te gazeta “Bashkimi”, e kishte të besës. Të gjithë ia vlerësonin shkrimet dhe ja, tani, edhe ai vetë, “i madhi i të mëdhenjve”. Asgjë për t’u shqetësuar, derisa dera trokiti në një orar jo të zakonshëm…
Kush ishte? Kishte kaluar mesnata dhe unë me time motër sigurisht që ishim në gjumë, por mamaja më ka thënë më vonë se ishin çuditur. Ne jetonim në një shtëpi të madhe, në hyrje të ndryshme, bashkë me xhaxhallarët dhe pasi ime më hapi derën, patën dalë të gjithë. Ishin disa burra që së pari kthyen shtëpinë përmbys e më pas morën babain me vete. Nëna tha se kishte thënë që do të kthehej shpejt, nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, sepse ai nuk kishte bërë asgjë, me siguri do të ishte ndonjë keqkuptim.
Çfarë kishte ndodhur atë ditë?
Kishin hedhur një shashkë tek Ambasada Sovjetike dhe patën arrestuar më shumë se 100 veta atë natë në Tiranë. Asgjë e madhe, asnjë i dëmtuar, po Enveri, për t’i treguar Stalinit devotshmërinë e tij, e bëri të madhe.
Pse babain tuaj?
Sepse doli fjala e sime gjysheje. Ajo e pati lajmëruar babanë që kur ai i tha se kishte takuar Enver Hoxhën dhe ai i kishte lëvduar shkrimet. Punonte te gazeta “Bashkimi’, gazetar, në kohën kur kryeredaktor ishte Thanas Nano. Babai e pat njohur Enverin që kur ishte nxënës i Liceut, në Korçë, e kishte mësues. Pas Liceut, meqenëse kishte të atin në Siena të Italisë, shkoi atje për studimet e larta. U diplomua për jurisprudencë, mirëpo vendosi të kthehej në vendin e tij. Gjyshi i pat thënë se ishte mendim i gabuar, se nuk dihej si do të venin punët këtej, por ai nuk dëgjoi njeri, u kthye. E emëruan menjëherë gazetar, sapo u kthye. Komunistët sapo kishin ardhur në pushtet, duhet të ketë qenë viti ’45’46. Në vitin ’47 u martua e më pas linda unë. Pra, kur e arrestuan, në vitin 1951, isha vetëm 3 vjeçe e gjysmë. Kishte hequr orën e dorës, na kishte puthur ne dhe ishte larguar.
Çfarë ndodhi më pas, u kthye?
Jo, asnjëherë. Nëna dhe xhaxhai e kërkuan në ditët në vijim gjithandej, nëpër të gjitha burgjet e hetuesitë, por nuk e gjetën. Si përfundim morëm vesh se e kishin çuar te burgu i vjetër, te “Mine Peza”.
Në qelinë ngjitur kishte takuar një burrë, i cili do të dilte disa ditë më pas. I kishte kërkuar të na sillte një letër. Kjo gjë nuk ishte e mundur se askush nuk të linte letër në dorë, kështu që zotëria e kishte lexuar, e më pas e kishte ngrënë. Kur doli, erdhi takoi mamanë dhe i tha ç’ishte shkruar.
Çfarë kishte shkruar?
Që nëna duhej të martohej sepse ishte shumë e re, dhe se ne të dyja, mua me time motër, të na rrisnin xhaxhallarët. Nuk kaluan as pesë ditë pas letrës, kur erdhi lajmi tjetër, se i kishin pushkatuar, babain dhe 21 veta të tjerë.
Nuk e takoi më askush, nuk morët vesh pse ishte zgjedhur ai?
Njësoj funksiononte me të gjithë të shënjestruarit e Enverit, që mendonte se do të bëheshin dikush e do të kishin ndikim në shoqëri. Sapo nuhaste rrezikun, ai i eliminonte. Shumë vite më vonë morëm vesh se pati pyetur Thanas Nanon, nëse kishte ndonjë andej nga redaksia për të “hequr”. Ai i kishte thënë emrin e babait dhe të Petro Konomit. Të njëjtin fat pati edhe ky i fundit.
Po me ju çfarë ndodhi?
Na caktuan në fillim për në kampin e Tepelenës, por ndërhyri një kushëri i mamasë te Kadri Hazbiu dhe na dërguan në Vlorë, në qytet. Na hipën në një kamion, ku ishin 5 nuse të reja, 15 fëmijë dhe një plakë e moshuar. Po aty me ne ishte edhe gruaja e Petro Konomit, shtatzënë dhe me një fëmijë tjetër 3 vjeç. Një natë na lanë në Degë të Brendshme në bodrum, ndërsa të nesërmen na terrorizonin në kamion ndërsa na sillnin vërdallë nëpër Tiranë, që të shkaktonin frikë jo vetëm te ne, por edhe te njerëzit
Xhaxhai vinte mbrapa me biçikletë duke qarë. Na çuan në një magazinë qymyri që s’kishte as dritare, asgjë, vetëm një derë qepeni, të cilën e mbyllën. Gratë ankoheshin se do të mbyteshin fëmijët, por askush nuk i dëgjoi. Atëherë ato hapën me thonj një hapësirë të vogël sa për të hyrë pak dritë e ajër. Na lanë një natë aty e më pas na shpërndanë nëpër ca baraka.
Në Vlorë jetuat më pas, gjithë kohën?
Mamaja me motrën po. Mamaja punonte në ndërtim, kujtoj që, meqenëse nuk kishte ku na linte, hapte një gropë aty te vendi i punës dhe na linte bashkë me motrën aty, të luanim derisa të përfundonte. Vinin xhaxhallarët na vizitonin vazhdimisht dhe pas shkollës tetëvjeçare mua më birësoi njëri prej tyre. Erdha në Tiranë dhe gjimnazin e bëra këtu, te “Sami Frashëri”.
Ishte e lehtë kjo gjë?
Jo, aspak. Me shumë peripeci arriti të më marrë. Edhe ata vetë u penalizuan, njërin e morën në burg 2 herë, ndërsa tjetri përfundoi punëtor.
Eshtrat e grupit të të pushkatuarve për këtë arsye janë gjetur pas vitit ’90…
Po, u gjetën. Fshatarët patën gjetur edhe një unazë me dy emra dhe një datë. Pyetën e kujt mund të ishte dhe kur pashë emrin e babait dhe të nënës, e vura në dorë dhe nuk e kam hequr më. Ndonjëherë kërkojnë njerëzit ta shohin dhe ma kërkojnë, por nuk del nga gishti. Po në këtë kohë morëm vesh se pikërisht aty, pak më larg Urës së Beshirit, kishin hapur një gropë, e cila ruhej me policë. Njerëzit ishin lidhur njëri me tjetrin me tela me gjemba dhe ashtu siç ishin, i kishin hedhur në gropë për t’i qëlluar nga lart. Pastaj i kishin lënë ashtu e i kishin mbuluar fshatarët. Një traktorist, fare pak kohë më vonë, kishte kapur një fustan, e meqë ra në gjurmë të ngjarjes, e zhdukën edhe atë. Fshatarët tregojnë përveç të tjerash për ulërimën e një gruaje. Vetëm ajo ishte mes 21 burrave, Sabiha Kasimati.
Po atë kohë e po për të njëjtën arsye është pushkatuar edhe një grua tjetër, Elisabeta Bast, gjermane…
Në fakt, grupi i Elisabetës ishte ai që kishte hedhur në të vërtetë shashkën në Ambasadë. Ishin tre veta, edhe ata i kapën shumë shpejt dhe i pushkatuan.
E kujtoni babanë?
Pak. Unë kam qenë shumë e vogël, por e kujtoj pak. Ai pëlqente shumë gjuhët e huaja dhe më merrte vazhdimisht në prehër për të më mësuar frëngjishten. Kisha filluar të mësoja disa fjalë, por vetëm aq…