Studime pa fund publikohen çdo ditë për diabetin, mekanizmat që e shkaktojnë, epidemiologjinë, strategjitë farmaceutike, etj. Të gjitha paraqesin progresin e madh në thellimin e dijeve mbi diabetin, trajtimin mjekësor të tij. Ndërkohë, epidemia e diabetit vazhdon pandërprerë të thellohet. Që nga viti 2000 numri i njerëzve me diabet është dyfishuar, duke shkuar në 285 milion. Dhe pjesa më e madhe, mbi 200 milion, jetojnë në vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme, (ku përfshihemi dhe ne), vende ku shumë njerëz e kanë të pamundur një trajtim të avancuar të diabetit, për lidhjet që ekzistojnë ndërmjet diabetit dhe disavantazheve sociale.
Diabeti dhe Shëndetit Publik
Në editorialin e revistës prestigjoze, Lancet në qershor 2010 ‘Diabeti- ështe koha të ndryshojmë qasjen tonë’ theksohet: “Mjekësia ndoshta është duke e fituar betejën për kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak, por është duke humbur luftën kundër diabetit. Fakti që diabeti (tip 2), një çrregullim gjerësisht i parandalueshëm, ka marrë përmasa epidemike përbën një ‘poshtërim’ për Shëndetin Publik “
Është koha për të ndryshuar strategjjinë në luftën kundër diabetit, përqëndrimi te parandalimi i tij, i cili është plotësisht i mundur, pasi rrënjët e diabetit janë kryesisht në faktorë ambientalë dhe socialë që mund të ndryshohen. Përqëndrimi vetëm në trajtimin mjekësor, nuk e frenon epideminë e diabetit, ndërsa zvogëlon rolin e individëve, përjashton komunitetet, shkollat, planifikuesit urbanë, potenciale të rëndësishme për parandalimin e diabetit. Në fjalimin e mbajtur në Asamblenë Botërore të Shëndetësisë në mesin e viteve 80-të, drejtori i përgjithshëm i OBSH së asaj kohe, Halfdan Mahler, theksonte: ” Mendojeni veten të zhytur deri në grykë në një kënetë duke luftuar aligatorët (sëmundjet). Duhet të keni parasysh se në rradhë të parë ne kemi ardhur për tharjen e kënetës (luftimin e shkaqeve të sëmundjeve)”.
Pra në luftën kundër diabetit duhet të përqëndrohemi te shkaqet (ushqyerja, aktiviteti fizik), dhe te shkaqet e shkaqeve (ekonomike, psikosociale, kulturore). Ç’kuptim ka t’i trajtojmë njerëzit me diabet, pa ndryshuar shkaqet që i sëmurin ata? Dhe këtë mund dhe duhet ta bëjë Shëndeti Publik, që konsiderohet mbrojtësi dhe promovuesi i shëndetit.
Obeziteti dhe Shëndeti Publik
Në artikullin ” Ironia e politikave të obezitetit” në revistën Science shkurt 2003, Marion Nestle, shkruan: “Ndërsa qindramilion njerëzve u mungon ushqimi i duhur si rezultat i pabarazisë ekonomike, korrupsionit, luftrave, qindramilion të tjerë janë mbipeshë dhe obezë. Për ironi, shkaku është përmirësimi i mirëqenies. Mirëqenia nxit njerëzit që me të ardhurat shtesë të konsumojnë më shumë ushqim dhe të jenë më pak aktivë fizikisht. Ekonomia e tregut e inkurajon këtë mënyrë jetese, i kthen njerëzit në konsumatorë agresivë të ushqimeve me vlerë të ulët ushqyese, por me densitet energjitik të lartë, i pajis njerëzit me makina, aparate televizive, dhe kompjutera që nxisin qëndrimin ulur.”
Janë këto shkaqe që favorizojnë epideminë botërore të obezitetit, frenimi i së cilës mund të çojë në një parandalim substancial të diabetit. Por e njejta gjë si për diabetin, thuhet edhe për epideminë e obezitetit. Në një artikull në revistën Cell (2004), Filer, autoritet botëror i fushës shkruan: ” Progresi shkencor në fizillogjinë e obezitetit ka dështuar në zbutjen e epidemisë së tij. Nuk është rritja e shpenzimeve për medikamente zgjidhje e problemit. A është racionale të vazhdohet më tej me përsosjen e antidodëve farmaceutikë kundër mjedisit egzistues, apo duhet të përpiqemi me të gjitha forcat për ta ndryshuar këtë mjedis toksik!? “
Duke ju drejtuar amerikanëve, zonja e parë, Michelle Obama në hapjen e fushatës “Të lëvizim” (Let’s Move) kundër obezitetit tek fëmijët në shtator 2010, thekson “Rrallë në historinë e këtij vendi kemi hasur një problem me magnitudë të tillë dhe pasoja të tilla, por dhe kaq shumë të zgjidhshëm. ” Dhe një instrument i rëndësishëm është përsëri Shëndeti Publik.
Një përvojë….
Megjthëse ka ndryshim ndërmjet shprehisë së duhanpirjes dhe ushqyerjes së gabuar (jo të shëndetshme), ka dhe ngjashmëri në qëndrimin që shoqëria ka mbajtur në fazën e parë të luftës kundër tyre. Roli negativ i duhanpirjes njihej që nga viti 1940. Lidhja mes duhanpirjes, sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë, njihej që nga fillimi i viteve ’50. Por, marketingu i gjerë i duhanpirjes vazhdoi deri në vitet ’90 –të. Në vitin 1992, Marlboro Man-i më i njohur i reklamave, Wayne McLaren, imazhi romantik i individualistit të fortë, si mijra duhanpirës para tij, ishte duke vdekur nga kanceri i mushkërive. Kjo bëri që ai të merrte pjesë në mitingun vjetor të aksionerëve të korporatës Phillip Morris, dhe të kërkonte që kompania vullnetarisht të kufizonte reklamat e duhanit, veçanërisht për fëmijët.
U deshën dekada angazhimi nga shkencëtarët, politikanët dhe avokatët e politikave publike, që kufizimi i marketingut të duhanpirjes të ndodhte, dhe në botë të arrihej rezultati që kemi sot.
Pse ky reagim kaq i ngadaltë?
Sepse për dekada, lidhja ndërmjet duhanpirjes dhe kancerit të mushkrive ju nënshtruan filozofisë: zgjedhja individuale, pasojat individuale. Ndryshimet në politika, që mund të kishin reduktuar në mënyrë dramatike vdekjet nga duhnpirja u shmangën, duke u konsideruar ndërhyrje në privaci, apo fyerje e zgjedhjes dhe përgjegjsisë individuale. Ndërkohë që fitimet gjigande të kompanive nga marketingu nuk duhen anashkaluar.
E njejta gjë me epideminë e obezitetit, që përbën shkakun më kryesor të epidemisë së diabetit. Që prej vitit 1970, obeziteti identifikohet si sëmundja më e rëndësishme e ushqyerjes. Ndonëse njihen shkaqe gjenetike, fiziologjike, kulturore, psikologjike, ekonomike, shoqërore, dhe stili i jetesës, përgjegjës vazhdon të bëhen vetëm individët për zgjedhjen e tyre. Sigurisht që çdo individ duhet të marrë mbi vete përgjegjësinë për zgjedhjen e stilit të jetës, por vetëm kjo nuk mjafton. “Shëndeti dhe sëmundja nuk janë vetëm rezultat i zgjedhjes individuale, apo një llotari gjenetike … në rradhë të parë janë rezultat i srukturave sociale dhe interesave ekonomike që na rrethojnë.”
Vetëm mesazhi : “Hani ushqime të shëndetshme, mos hani me tepricë, bëni jetë fizikisht aktivite”, nuk mjafton, për më tepër ndonëse në teori duket i thjeshtë, në praktikë përbën një sfidë të vështirë. Ushqyerja e shëndetshme në mjedisin e sotëm është si të notosh kundra rrymës.
Prandaj kërkohet të luftohen edhe shkaqet e tjera. Për këtë kërkohet jo vetëm aktivizimi i institucioneve shëndetësore, por dhe organizatave jo qeveritare, dhe sidomos një aktivizim i fuqishëm i qeverisë në nxitjen dhe lehtësimin e iniciativave me bazë komunitare që nxisin ushqyerjen e shëndetshme dhe aktivitetin fizik. Kërkohet financim i fushatave që promovojnë shprehi të shëndetshme. Kërkohet monitorim i tregut ushqimor, por jo vetëm. Shumica e njerëzve kanë nevojë për ndihmë që të njohin ushqyerjen, madje që herët, që në kopështe e shkolla. Kjo kërkon fuqizimin e edukimit, aftësië për të zgjedhur ushqimet e përshtatshme. Kërkohet pse jo dhe një subvencion i kostos të ushqimeve me pak kalori, për t’i bërë ato më të përballueshme për familjet me të ardhura të ulëta. Kërkohet vendosja e taksave për pijet dhe ushqimet e pashëndetshme. Këto masa do të bënin të mundur spostimin e ushqyerjes në drejtim të më shumë ushqimeve me bazë bimore.
Nga ana tjetër, e rëndësishme është edukimi dhe nxitja e aktivitetit fizik. Parandalimi i shtimit në peshë para se të ndodhë. Veçanërisht tek fëmijët. Mbasi dhjamosja eshtë zhvilluar, ka pak mundësi që pesha normale të ri-stabilizohet dhe të mbahet. Që kjo të realizohet, kërkohet krijimi i mundësive për aktivitet fizik duke ndërtuar rrugë për këmbësorë, rrugë për biçikleta, parqe, ambiente sportive. Argëtimi urban që duhet të jetë jo vetëm i mundshëm, lehtësht i arritshëm, por dhe në zona të sigurta për fëmijët, kërkesat e të cilëve për ushtrime fizike janë më të mëdha se për të rriturit. Planifikuesit urbanë, ndërtuesit duhet të stimulohen ekonomikisht për krijimin e ambienteve të shëndetshme, dhe të penalizohen në të kundërtën.
Adoptimi i shoqërisë me një stil jetese më të shëndetshëm, natyrisht do të hasë rezistencë. Le të kujtojmë luftën kundër duhanpirjes. Nuk duhet të nënvleftësohet fakti se ushqimi përbën një biznes të fuqishëm. Të gjithë njerëzit hanë. Është e vështirë të mendohet se do kishte ndonjë industri që do mund të përfitonte nësë njerëzit hanin më pak. Jo vetëm bujqësia, industria ushqimore, tregtia ushqimore, restaurantet, dietat, por dhe industritë farmaceutike do të kishin humbje. Të gjitha lulëzojnë kur njerëzit hanë më shumë. Por ne duhet të mbrohemi…
Duke e mbyllur…
Diabeti nuk mund të vazhdojë më të jetë një pasojë e pa evitueshme e urbanizimit, apo pabarazisë sociale, më e shprehur në vendet në tranzicion ku ne bëjmë pjesë. Gjeneratat e ardhëshme nuk mund të jenë përjetësisht të dënuara prej stilit diabetogjenik të jetesës. Diabeti siç po tregojnë evidencat në rradhë të parë duhet të konsiderohet si problem i shëndetit publik. Përparësi, ndryshe nga deri më sot, duhet të marrë parandalimi. Kjo jo vetëm se shpenzimet e kujdesit për diabetin dhe komplikimet e tij janë tronditëse.
Fokusimi duhet të jetë te fëmijët. Është mosha fëminore, mosha kur krijohen shprehitë, mosha kur mbillet fara e diabetit. Poltikat që duhen mbështetur sot, do të japin frytet pas pak dekadash. S’duhet të humbim kohë.