Atifete Jahjaga dorëzoi postin e saj te Hashim Thaçi pas pesë vitesh si presidentja e parë e Kosovës – por vlerësimet e mandatit të saj në zyrë janë të përçara.
Atifete Jahjaga e dinte mirë se po merrte pozicionin më sfidues në karrierën e saj kur zhveshi uniformën e policisë për të veshur kostumin formal të presidentes më 11 prill 2011.
Ish-policja 41-vjeçare u bë presidente e Kosovës në prill të atij viti, pas një ngërçi institucional krijuar kur Gjykata Kushtetuese e konsideroi zgjedhjen në parlament të Behgjet Pacollit një muaj më parë të pavlefshme.
Një marrëveshje, e ndërmjetësuar nga ish-ambasadori amerikan Christopher Dell dhe e nënshkruar nga tre liderët politikë – Hashim Thaçi nga PDK, Isa Mustafa nga LDK dhe Pacolli vetë për AKR – e bëri Jahjagën presidenten e parë femër të Kosovës.
“Deri dje, nuk kisha menduar të pretendoj një post të lartë në politikë”, tha Jahjaga në ditën që bëri betimin para anëtarëve të kuvendit.
Në ditën që ajo u zgjodh, Jahjaga po ashtu nuk besoi se mandati do t’i zgjaste më shumë se një vit, derisa liderët politikë të binin dakord mbi reformat kushtetuese dhe zgjedhore.
Në vitin 2012, megjithatë, ajo iu referua Gjykatës Kushtetuese për postin e saj, e cila vendosi se mandati i saj nuk mund të ndërpritet ose të shkurtohet nga ndonjë marrëveshje politike.
Pasi e mori detyrën në një kohë të vështirë, Jahjaga pati sukses në vendosjen e marrëdhënieve të mira me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë.
Nënkryetari i Parlamentit Europian dhe raportuesi për Kosovën, Ulrike Lunacek, e ka lavdëruar Jahjagën për një “punë të shkëlqyer” në udhëheqjen e Kosovës nëpër disa kriza.
“Ajo ka kontribuar fuqishëm në rritjen e njohurive dhe vlerësimit të vështirësive që ka kaluar vendi më i ri europian, por gjithashtu ka kontribuar për suksesin që është arritur”, tha Lunacek të mërkurën.
“Zotimi i saj, konstruktiviteti dhe sharmi kanë forcuar imazhin pozitiv të Kosovës në BE dhe nëpër botë,” shtoi Lunacek.
Jo të gjithë janë dakord. Enver Robelli, një gazetar i lindur në Kosovë i cili ka punuar për mediat zvicerane, thotë se është një “mit dhe mashtrim i madh” ideja se Jahjaga ka përmirësuar imazhin e keq të Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Imazhi i Kosovës mbetet jashtë shtetit mbetet i njëjtë si ai që ishte pesë vjet më parë, në mos më keq,” tha ai për BIRN. “Kosova mbetet një vend i dominuar nga një elitë politike e papërgjegjshme, e lidhur me krimin dhe korrupsionin”, tha Robelli për BIRN.
Brenda, Jahjaga u përpoq të trajtojë disa nga çështjet më të ngutshme, të tilla si lufta kundër korrupsionit, duke krijuar organe të reja kombëtare dhe agjenci.
Por Artan Canhasi, nga Instituti Demokratik i Kosovës, një institucion partner me Transparency International, thotë se Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, i themeluar në vitin 2012 ka qenë i paefektshëm, pasi raportet ndërkombëtare ende i japin Kosovës rezultate shumë të ulëta në luftën kundër korrupsionit.
“Jahjaga kishte vullnetin për të nxitur agjendën anti-korrupsion përpara, por ajo kishte kompetenca të kufizuara”, tha për BIRN Canhasi.
Këshilli Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale ishte një organ i themeluar në vitin 2014 nga Jahjaga, pas 15 viteve të heshtjes institucionale për këtë çështje.
Muajin e kaluar, ajo mori aplikimet e para nga gratë që pretendojnë se janë dhunuar gjatë luftës së viteve 1998-1999 për pavarësi.
Igballe Rogova, kryetare e Rrjetit të Grave të Kosovës, thotë se Jahjaga arriti të ndërkombëtarizojë çështjen dhe se ka qenë një presidente e mirë në përgjithësi.
“Ajo e përfundoi mandatin pa ndonjë akuzë për korrupsion dhe si modeli më pozitiv për Kosovën ndërkombëtarisht”, tha Rogova për BIRN.
Jahjaga mori drejtimin në një kohë kur Kosova u përball me një krizë politike vetëm katër muaj pasi votuesit zgjodhën një parlament të ri.
Tani, që e la postin, Kosova është kapur nga një krizë edhe më e keqe, e cila filloi gushtin e kaluar, kur qeveria nënshkroi dy marrëveshje të diskutueshme, një me Serbinë për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe një tjetër me Malin e Zi në demarkacionin e kufirit.
Jahjaga ka tentuar të gjejë një zgjidhje politike për bllokimin, por i ka munguar fuqia të imponojë ndonjë gjë.
“Qasja e saj ishte pasja e marrëdhënieve të mira me të gjitha palët, por kjo nuk u shpërblye,” analisti kosovar Dastid Pallaska.
Një ditë para se të largohej nga zyra, Jahjaga e la derën hapur për përfshirjen e saj të ardhshme në politikë, duke u thënë studentëve të Universitetit të Prishtinës se ajo së pari do të pushonte pas pesë vitesh si presidente.
Ndërsa ka zëra se ajo mund të krijojnë një parti të re politike për të vazhduar karrierën e saj politike nga një tjetër pozicion, Pallaska thotë se ai nuk ka parë asnjë shenjë e vërtetë që Jahjaga synon të krijojë një lëvizje politike të sajën.
Robelli, ndërkohë, pohon se Jahjaga ishte një forcë “joekzistente” në politikë, edhe kur ishte presidente. “Unë nuk shoh ndonjë të ardhme politike për Jahjagën, edhe pse asgjë nuk mund të përjashtohet. Jahjaga u përdor për interesat e politikës së ditës”, tha ai. /Reporter.al/
(Boldnews)