Deputetët gjermanë po zhvillojnë nga 4-9 prill një vizitë informuese në Ballkan. Zëvendëskryetari i grupit parlamentar gjerman për Europën Juglindore, Josip Juratovic për Deutsche Welle mbi vizitën në Shqipëri e Kosovë.
Deutsche Welle: Zoti Juratovic, bashkë me një grup parlamentarësh gjermanë ju ndodheni për vizitë në Ballkan, stacionet e deritanishme janë Kosova e Shqipëria – Çfarë qëllimi ka kjo vizitë e grupit parlamentar?
Josip Juratovic: Në parlament kemi disa grupe parlamentare, ndër to edhe një për bashkëpunimin mes Gjermanisë e Europës Juglindore, ishim në Kosovë, tani jemi në Shqipëri qëllimi ynë është të informohemi si është gjendja aktuale në këtë rajon, të shkëmbejmë mendime me përfaqësuesit politikë në këto vende e shumë e rëndësishme në këtë pikë është shkëmbimi parlamentar, pra deputetët me njëri-tjetrin.
Vizita në Kosovë përfundoi e ju zhvilluat disa takime – pikërisht në një moment të vështirë për jetën parlamentare në vend, a mundët të ndikonit tek pala kosovare në bisedimet që u zhvilluan?
E qartë, gjendja është vërtet e vështirë tani, prandaj ne fillimisht donim të njihnim, kuptonim mirë situatën, por duhet thënë se në vend ekziston vullnet i fortë për integrimin europian, ashtu si në të gjithë rajonin. Kosova është vendi i vetëm që nuk gëzon lirinë e vizave e vendi e vuan këtë, kështu tema e liberalizimit të vizave ishte qendrore në bisedimet tona.
Sa pranë një hapi të tillë është Kosova?
Duhen plotësuar disa kritere kjo dihet dhe kosovarët janë shumë të angazhuar në këtë pikë, unë mendoj, pa dashur të bëjë para kohe premtime të nxituara, se kjo temë është tani në axhendën e të dyja palëve, se kur do të bëhet një hap i tillë nuk mund ta them me saktësi tani. Këtu luajnë rol edhe disa aspekte në Bruksel.
Ju u takuat edhe me kryetarin e bashkisë së Prishtinës, Shpend Ahmeti nga “Vetëvendosja”, partia që bashkë me të tjerë në grupin opozitar nuk e pranon marrëveshjen e asociimit me Serbinë, mbush parlamentin me tym dhe kërkon dorëheqjen e qeverisë. Çfarë mesazhi dha grupi parlamentar gjerman?
Ne biseduam me kryebashkiakun e Prishtinës dhe e bëmë shumë të qartë se çfarë nuk shkon në një demokraci, se parlamenti i zgjedhur është institucioni më i lartë i një demokracie dhe veprime të tilla aksioniste aty nuk mirëpriten, ato e dëmtojnë më shumë demokracinë dhe ne këtë nuk do ta tolerojmë.
Shumë kosovarë janë të zhgënjyer nga politikanët e duan të largohen nga vendi, ekonomikisht vendi ka ngecur, politikisht është i përçarë. BE e Gjermania nuk kanë dhënë ndihmë të pakët për Kosovën, por suksesi i arritur është i pakët. Kanë dështuar europianët në Kosovë?
Jo. Bashkimi Europian nuk ka dështuar në Kosovë. As Kosova nuk është vend i dështuar. Kemi vetëm një gjendje të vështirë, por me Iniciativën e Berlinit është dhënë një sinjal i qartë se ne duam bashkëpunim rajonal, duam zhvillimin ekonomik dhe se bashkëpunimi rajonal si në politikë, ekonomi apo edhe në shoqëritë e vendeve në rajon duhet të ecë përpara. Ka disa hapa afrimi, por rruga është e mundimshme. Të mos harrojmë kemi të bëjmë me një rajon të vështirë që ende vuan nga barra e konflikteve të vjetra. Duket e vështirë që politika të verë në plan të parë çështjet politike racionale, por jam optimist që bashkë do t’ia dalim.
Stacioni tjetër i vizitës është Shqipëria, ju udhëtuat me makinë nga Kosova në Shqipëri, një mënyrë tjetër për të njohur një vend, çfarë ju ra në sy?
Ne udhëtuam kryesisht në autostradë, një rrugë e lidhje shumë e mirë për Prishtinën e Tiranën, ky është progresi për të cilin e kam fjalën, pra zhvillimin e rrjetit rajonal, në infrastrukturë, energjetikë etj, pra projekte që nuk i bën dot më vehte, por bashkë, këtë e shoh si aspekt pozitiv në vend. Shqipëria është një vend i bukur. Ajo që më habiti është periferia e Tiranës ku gjen shumë firma, ku sheh investime. Ka një hap përpara, së paku në aspektin ekonomik.
Ju e vizitoni Shqipërinë në kohën e pikut të debatit për reformën në drejtësi, sigurisht patët bisedime, sa optimist jeni për arritjen e konsesusit mes opozitës e qeverisë për reformën në drejtësi?
Po, aty ku nevojitet mazhoranca e dy të tretave, opozita sigurisht luan lojën e saj strategjike. Dua të theksoj se është shumë e rëndësishme që kjo reformë të përfundojë me sukses, por i rëndësishëm është rikthimi i besimit tek politika. Pata përshtypjen se në Shqipëri sundon pakënaqësia ndaj politikës, këtu dua vetëm t’i paralajmëroj të gjitha palët se aty ku bëhet fjalë për gjëra themeltare për zhvillimin e një shoqërie nuk duhen të hyjë në lojë taktika politike. Këtu bën pjesë edhe reforma në drejtësi, e pazëvendësueshme për besimin tek Shqipëria, për besimin si nga jashtë ashtu edhe nga brenda. Dua pra të paralajmëroj që të tregohet unitet e sa më shpejt të jetë e mundur.
Tjetër plagë e politikës shqiptare është dekriminalizimi. Të mërkurën (06.04) në Komisionin e posaçëm parlamentar u ndërpre sërish dialogu, pas rrëzimit të një propozimi të demokratëve nga mazhoranca mbi lënien e posteve të zyrtarëve të kapur në flangrancë në veprime kriminale. A ju thatë përvojën gjermanëve politikanëve shqiptarë, ku bisedohet deri sa të gjendet një zgjidhje për problemin?
Po, sepse ky është edhe kuptimi i demokracisë, shkëmbim argumentash e në fund zgjidhen më të mirët. Dialogu nuk duhet të ndërpritet, por të vazhdojë derisa të arrihet tek një kompromis. Demokracia përbëhet nga kompromiset, nuk fiton vetëm njëra palë. Kjo aftësi për kompromis tregon edhe pjekurinë e demokracisë në një vend.
Demokratët duan ndërprerjen e posteve për zyrtarët e kapur në flagrancë në veprime kriminale deri në një vendim të trupit gjykues. Mazhoranca mendon se ligji i dekriminalizimit në këtë formë si është ka probleme kushtetuese. Si veprohet në Gjermani, kur një zyrtar apo parlamentar kapet në flangrancë në veprime kriminale?
Nuk dua të përfshihem shumë në një çështje të brendshme, ka Gjykatë Kushtetuese që e thotë fjalën e saj. Një gjë dihet, në rast se zbulohet një rast korrupsioni tek parlamentarët, këtë e vendosin gjykatat, e gjykatat e pavarura janë shtylla e tretë e një shoqërie demokratike.
Por duhet t’i lërë postet një parlamentar i kapur në flagrancë në veprime kriminale?
Për lënien e posteve vendos parlamenti. Tek ne në Gjermani kjo bëhet përmes procedurës parlamentare. Po qe se zhvillohet një proces duhet të hiqet njëherë imuniteti dhe tjetra, edhe nga postet duhet hequr dorë, sa është e mundur.
Shqipëria pret hapjen e negociatave me BE-në. A shihni në këtë vit mundësi për një datë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE?
Po, kjo do të ishte shumë e mirëpritur. Komisioneri Hahn e ka bërë të ditur në bisedimet e tij në Shqipëri, se reforma në drejtësi duhet të kryhet, në mënyrë që deri në fund të vitit të përcaktohet një datë e tillë. Pra, presioni ekziston edhe nga jashtë që mundësisht reforma të vuloset para pushimeve parlamentare të verës.
(DW/Boldnews)