Emrat janë ende të paqartë, por zbulimi i 2 terrave materiale prej një nga kompanitë më të mëdha të asistencës për bizneset në zonat “off shore”, nuk ka lënë pa prekur Shqipërinë.
Një hartë e përpunuar nga të dhënat e deritanishme të ICIJ zbulon se të paktën tre persona nga Shqipëria kanë përfituar prej parave nga parajsat fiskale të menaxhuara përmes Mossack Fonseca, kompanisë që fshihte paratë e Vladimir Putin dhe një liste të gjatë diktatorësh. Përfituesit me gjasë mund të jenë emra me peshë në vend.
Kjo në fakt është mënyra se si funksionon skema. Njerëz të besuar transferojnë paratë në vendet e parajsës fiskale dhe pronarët e vërtetë i përfitojnë ato përmes kredive të buta apo formave të ngjashme.
Ndërkohë, bashkë me tre përfituesit ndodhen edhe 2 kompani dhe 22 aksionerë, po ashtu të përfshirë në letrat e kompanisë që iu besuan prej një anonimi gazetës gjermane “Sueddeutsche Zeitung” dhe që u ndanë më pas me një rrjet prej 400 gazetarësh.
Emri i vetëm është ai i publikuar prej të përditshmes izraelite Haaretz si “Ismail Mulati”.
Por emri mund të jetë i ngatërruar ose ndërruar. Ai rezulton bashkë me një avokat izraelit si pronar i GFI, kompanisë që mori nga qeveria Berisha në ditët e fundit të mandatit të saj më 2013-n koncensionin e markimit të naftës.
Mediat në vend identifikuan personin e lidhur me këtë rast si Ismail Mulleti, një njeri i përmendur edhe më herët në media për disa biznese, por identifikimi nuk është i qartë.
Nga të dhënat rezulton se shqiptari bashkë me një avokat nga Izraeli Assaf Halkin zotërojnë GFI, shkruan Mapo.
Asnjë nga të dy nuk rezulton aksioner i kompanisë në Shqipëri, ku pronari i vetëm është “Petrolium Consulting Partners A.G” dhe bashkëpronare në 0.7 për qind të aksioneve kanadezja “Global Fluids International”, e cila në fakt ishte kompania shumicë në kohën e fitimit të koncesionit, por që më pas i shiti aksionet e veta te ortaku i “PCP”.
Kompania blerëse rezulton të jetë regjistruar në Zvicër, por aty ajo nuk ka pronar të listuar por vetëm avokatë përfaqësues dhe sipas “Panama Papers” origjina e saj është në ishullin e Anguillas, ku është regjistruar pak kohë para se të fitonte nga qeveria shqiptare e asaj kohe një nga kontratat më të përfolura, por edhe më të majme koncesionare, atë të ngjyrosjes së karburanteve.
Kontrata që ata kanë më Shqipërinë është një biznes gati 200 milionë euro, i cili ka lindur si një kompani “off shore” dhe që vazhdon të mbetet i mistershëm edhe sot.
Ai i markimit nuk është i vetmi koncesion i dhënë për kompani “off shore”, të paktën në disa raste të tjera, kompanitë që kanë blerë apo kanë kërkuar të blejnë asete në Shqipëri nuk kanë pronësi të qartë dhe adresat e tyre shkojnë në kompani të mistershme.
Një e ngjashme u përdor në rastin e privatizimit të Armo e më tej në tenderin e dështuar për shitjen e Albpetrol.
Por ndërkohë pjesa shqiptare në “Panama Papers” mbetet e pazbardhur. Kjo nuk e ka penguar median që të shpërthejë me spekulime dhe ta lidhë emrin e Mulletit me atë të ish-kryeministrit Sali Berisha.
Të përditshmet pranë qeverisë shkojnë shumë larg, kur theksojnë se Mulleti e ka marrë koncesionin e majmë nga qeveria e Berishës.
Megjithatë, kur kjo marrëveshje koncesionare u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga Shoqata e Hidrokarbureve, ishte pikërisht qeveria e Edi Ramës që e mbrojti. Sipas tyre, marrëveshja nuk cenon lirinë ekonomike.