NGA ARTAN FUGA*
Ditët e fundit një event interesant zuri vend në informacionet e mediave. Bashkia dhe kryegjyshata botërore, me kontributin e kësaj të fundit, me vetë pjesëmarrjen e drejtuesve të dy agjencive përkatëse që u panë me lopata në duar në foto dhe imazhe filmike, mbollën peme te Parku i Shën Prokopit, (liqenit) në Tiranë. Informacionet thonë se do të mbillen qindra lisa dhe ma zuri veshi se do të quhet “Rruga e Lisave”.
E ku ka më bukur sesa aksionet e pyllëzimit.
Pa hequr asnjë grimë respektit të përulur që kam për kryegjyshatën, drejtuesin e saj, komunitetin e besimtarëve, si edhe predispozitën pozitive apriori si qytetar i thjeshtë për bashkinë dhe drejtuesit e saj të të gjithë kohërave, ky informacion më vuri në mendime në disa pika, që i ndaj me miqtë e kësaj faqeje, me shpresë që mediat nuk do t’i raportojnë.
Problemi i parë: Çfarë lidhje ka kryegjyshata botërore me mbjelljen e pemëve, qofshin edhe lisa, te parku i liqenit?
Sigurisht nuk jam unë një rob i thjeshtë që mund të mësoj se çfarë të bëjë me fondet e veta një komunitet fetar. Por, po shpreh vetëm befasimin tim sepse është shumë e rrallë në botë që një institucion fetar të kontribuojë drejtpërdrejt në veprimtari materiale dhe prodhuese si mbjellje pemësh, hapje tarracash, ndërtime hekurudhash.
Më shumë i kam dëgjuar të angazhohen në veprimtari shpirtërore, në ndihme direkte të të varfrit, në kontribute bamirësie. Kurse mbjellja e pemëve është shumë larg prej këtyre. Nuk ka asgjë të keqe, por kur sheh sesa besimtarë kanë nevoje për një dorë ndihmë, atëherë nis e mendohesh…
Feja dhe mbjellja e pemëve: çfarë lidhje kanë? Nuk më hiqet prej ditësh kjo pyetje nga mendja.
Mos vallë panteizmi bektashi, aq i shkëlqyer si filozofi? Por, po të ishte ky frymëzimi, pra nëse çdo pemë do të konsiderohej si manifestim konkret i Hyjnisë, pra pjesë e shpirtit, atëherë kryegjyshata do të kishte protestuar edhe për çdo pemë të prerë, e pyll, teë sharruar anë e mbanë në Shqipëri.
Nejse…
Problemi i dytë: Pse shpesh komunitetet fetare sa herë dalin në evente publike, janë gjithmonë të ftuar atje nga pushteti politik?
Unë i dua ato mbi pushtetet politike, mbi prokurorinë, policinë, bashkinë, partitë, në kuptimin shpirtëror të fjalës dhe jo në kuptimin politik.
Sepse kryegjyshata duhet ta dijë se ka një konflikt prej javësh, madje të dhunshëm, midis bashkisë dhe protestuesve, që mund të jenë edhe bektashinj, lidhur me menaxhimin e parkut të liqenit. Dashje pa dashje Kryegjyshata është bërë palë duke marre anën e një strategjie menaxhimi kundër një tjetre, pro një pale dhe kundër një tjetre.
Po sikur protestuesit ta thërresin kryegjyshin për të parë vajtimin e tyre për fijet e barit të kthyera në gur nga betoni i hedhur, a do t’i përgjigjej ai atyre?
Si e përpjetë më duket…
Unë vetë nuk jam palë, por do ta doja edhe komunitetin fetar të mos bëhej palë sepse dashje pa dashje, indirekt, me lopatën në dorë të kryegjyshit, kryegjyshata është përdorur për të bërë marrëdhënie publike për pushtetin lokal kundër atij grupi qytetarësh, qoftë edhe pakicë, që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar.
Feja lëvdon dinjitetin e vet kur qëndron larg betejës së interesave aq të natyrshme në qytet, por edhe aq larg vlerave fetare.
Nejse…
Problemi i tretë:
Pyll me lisa??? Rrugë me lisa?
Vepër e lëvdueshme, por sa lehtë e thënë aq e ndërlikuar për ta bërë.
Nuk e di a ka të dhëna dhe studime për pemët dhe tipin e pyllëzimit që bëhet.
Kam biseduar gjatë me specialistë pyjesh, të vendeve më të pyllëzuara në Europë, por edhe kam parë studime urbanistësh që flasin për gjelbërimin dhe kurorat e gjelbra në qytete.
Duhen studime. Nuk është kap lopatë, merr fidan, e ngul në baltë.
- Duhet parë me kujdes nëse gjethja e pemës të mbjelle ka kapacitetet maksimale për të çliruar oksigjen dhe aftësi për te përmirësuar klimën. Jo çdo pemë mund ta bëjë këtë në mënyrë rentabël.
Cilët drurë duhen mbjellë sot në mënyrë që toka të zihet me pemë që japin rendiment maksimal në këtë drejtim.
- A ka kapacitete ujitëse aty për të ngopur me ujë pemët, jo vetëm të rejat, por edhe ato ekzistueset, sepse një pemë që nuk është e vaditur si duhet, dhe në mënyra moderne, është njësoj si të mos jetë. Sidomos gjatë thatësirave të beharit, ajo nuk e luan rolin e saj për të ndikuar në mbajtjen e temperaturave të durueshme, dhënë freski dhe pastërti ajri, për banorët e qytetit. Pra është menduar se ku dhe si do ta gjejnë ujin pemët e “Rrugës se lisave”? Ka studime?
- A është menduar sesa është distanca mes pemëve dhe cilat janë marrëdhëniet midis llojeve të pemëve?
Nuk duhet ecur sipas parimit sa më shumë pemë aq më mirë. Ka një raport shumë strikt midis numrit të pemëve dhe hapësirave të mbjella.
Studiuesit i dëgjova të më thonë dikur se kujdes kur mbillni sepse ka pemë “vrastare”, ato “përleshen me njëra-tjetrën dhe “vrasin” të tjera nëse më parë nuk bëhet një studim mbi atë që quhet “ekologji e pyllit”, pra marrëdhënia e pyllit me klimën, me territorin, me llojet e tjera të specieve drusore, me humusin në tokë, me bakteret dhe mikroorganizmat që gëlojnë, me llojet e speciet e zogjve që kanë folenë aty, etj?
Nuk e di nëse ka ndonjë studim paraprak për këto çështje.
Sepse pa ketë studim të certifikuar nga agjencitë që merren me administrimin e pyjeve, aksionet me shata dhe lopata, sado vullnet të mirë të dëshmojnë, mund të mbeten në nivele amatorizmi që uroj të mos jetë…
A ka certifikim të pyllëzimit nga agjenci të specializuara?
Nejse… Mua mu kujtuan shënimet e mbajtura në një konferencë ndërkombëtare organizuar në sallën madhështore të Bashkisë së Parisit, nga kumtesat e urbanistëve francezë, spanjollë, belgë, etj.
Por, mundet që në Shqipëri gjërat ecin ndryshe…
(Boldnews)