Nga Jonida Dervishi
Duke qenë gjithçka një karnavale konstante, nuk mbetet vend për karnavale. – Viktor Hygo
Më kujtohet që ishte diçka pas vitit 1997 kur, në shkollën tonë, filluam të mendonim se kishte ardhur koha t’i bënim tematike karnavalet e përvitshme të Ditës së Verës, ku në fillim parakalonin e më pas konkurronin grupe fëmijësh të shkollave të ndryshme 8-vjeçare. Pra, menduam jo thjesht për një gjë me maska, por përpos dhe një gjë me mendim – që të dojë të thotë diçka. E meqë ende s’kishim marrë veten nga tmerri i vitit Kallashnikov, sajuam diçka me Shqipëri, shpresë, pranverë e të ardhme të ndritur (ndjesë, për imagjinatën naive, po aq dinim e aq bënim!). Zyshat ishin të bindura se kishim qëlluar në shenjë. Do fitonim kësaj here se e kishim gjë me temë, me mend dhe me vend. Ia këpusnin kot. S’e mbaj mend ç’qe ajo që fitoi – tallavaja e radhës me siguri, po ne që vumë mendim u zhgënjyem paksa. Pati dhe nga ato që artikuluan me zë a pëshpëritën nën zë ato fjalët magjike që hapin çdo derë, shqyejnë çdo dritare, rrëzojnë çdo mur, ndonjëherë zhbëjnë dhe kufij gjeografikë. Ato që ia kalojnë ‘açil susam-it’ të Ali Babës. Të thjeshtat çudibërëse: me mik.
S’kam ruajtur as edhe një foto nga ajo ditë. As edhe një për be’. Dhe më mirë kështu. Asnjë kujtim është ndonjëherë më i mirë si kujtim. Qoftë edhe për të të kujtuar për të mos u dhënë hua për mbushje dekoresh njerëzore aty ku kjo kërkohet, cilado qoftë parada e karnavaleve e çfarëdo që të jetë që e kërkon. Më vonë, në jetë, jo pak herë do të më kujtohej si episod ndërsa shihja atë paradën e përvitshme të zhvillohej në Elbasan të cilën e ndoqa deri kur, si pak a shumë çdo gjë tjetër, edhe kjo gjë tradicionale e ekskluzive u përplas pa dashje me fletët e ventilatorit, u bë copë e çikë (copëra e çikëra pa formë e kuptim!), u përhap e mori dhenë. Më pas, s’i ndoqa më.
Ç’t’i ndjekësh?! Fundja, kujt i duhen karnavalet një herë në vit, kur i kemi ditë për ditë?
Ka mjaftueshëm karnavale, ditë për ditë, aty ku luhet qeverish, ministrish, bashkish… Ku të maskuarit e radhës – me maskat që për pjesë iu kanë rënë e me qejf i kanë vënë – përplasin karnavalen e sukseseve imagjinare fytyrës së një populli që përtyp mjerim. Ka mjaftuesëhm karnavale, ditë për ditë, aty ku luhet shkollash e ku parada e analfabetizmit funksional maskohet me tituj akademikë. Ka mjaftueshëm karnavale në atë lojën shtetesh që ka hyrë në modë këso kohe. Jo lojë shtetesh si ajo jona dikur. Kjo loja e re ‘hajde bëjmë shtet’ – nga ai i forti fare. Që bën të fortin me të dobtit.
Po karnavale ka për ditë edhe në rrugë. Parakalon botoksi, kirurgjia plastike, lyerja, ngjyrja, zhgërryerja, mynxyrojsa sa thua vallë po kjo ç’maskë të jetë. Karnavalesh psiqike luhet përditë aty ku njerëzit e gostitin njëri-tjetrin me çorbat e gatuara, në trubraktisje, me përbërës vaniteti province, dijesh të sipërfaqshme, deliresh madhështie të zier në kazanë kompleksesh e lloje të tjera përbërësish që sajojnë e arnojnë maskën e radhës, mjaft t’ia dalin paradës në krye si gjithçka përveçse si ata që janë. Aq e fuqishme aftësia jonë karnavaleske sa ia ngjisim ashtu si me magji edhe të huajve që na vijnë për spektatorë, e që rrallë i rezistojnë tundimit për të mos iu bashkuar paradës sonë. Të joshur për t’iu bashkuar karnavales sonë, ndonjëherë, na mundin edhe në ato pak merita që do donim t’ia njihnim ekskluzivisht vetes.
E për ta bërë paradën, ashtu si dikur, me Shqipëri, shpresë e ardhmëri, jo pak karnavale të përditshme na servir rinia – ajo e përçartura e maskuar me rrobat e mbrëmjes mëngjesin tjetër, që e fiton paradën e karnavaleve me meritë. Akoma më karnavale aty ku dhe asaj pak rinie të mbetur të hajrit shpirtin ia merr adultëria (e kam për moshën e rritur, por ndjehuni të lirë të kuptoni dhe ndonjë gjë tjetër!), ajo e kllounëve zhvatës me komplekse dështakësh të meso-moshës që s’e lënë të thithë ajër – qoftë edhe të ndotur – aty ku ajri është për të. E për t’ia shtuar kotësisë mjerimin dhe paradës së karnavaleve dëshpërimin, mbase kësaj here, jemi me aq fat në gallatë e na merr pjesë ndonjë 40-vjeçar në festivalin e fëmijëve në Shkodër e pse jo, edhe, fiton. I lumtur, triumfator e krenar(ist) se më në fund, mami dhe babi, kuçi dhe maçi, larot dhe balot, të gjithë bërë bashkë, ia dolën më në fund t’ia sponsorizojnë ëndrrën. Kalamaja, mos qani! Ndodh edhe kështu dhe gjithnjë e më shumë ka për t’iu ndodhur! Karnavalet kanë nga këto!
E karnavalet kanë dhe aq shumë (e për lumë!) në këtë përditshmëri karnavaleske, sa të mos kish vend për karnavale në një ditë. Është konstante karnavalja jonë. Gjatë gjithë vitit. Ditë më ditë. Të 365-tat. Kotësia, shterpësia, mjerimi po aq. Ndaj të më ndjeni në ju prisha festën! Por nuk jam unë. Janë kllounët. Ata me atë aftësinë e jashtëzakonshme të të bëjnë njëkohësisht edhe për të qeshur edhe për të qarë.
P.S. Duke folur për karnavale me tematikë, garën për personazhe Superman versus Batman, them se duhej ta fitonte, me meritë, Wonder Woman.