Nga Jonida Dervishi
“Ai që e pranon të keqen, në mënyrë pasive, është po aq i përfshirë në të sa ai që ndihmon jetësimin e saj. Ai që e pranon të keqen, pa protestuar kundër saj, është, në të vërtetë, duke bashkëpunuar me të.” – Martin Luther King Jr., një “heretik i orëve të para”.
Në harkun kohor të pak ditëve, kemi parë e dëgjuar pothuajse gjithçka: njerëz që protestojnë, arsye pse protestojnë e njerëz që protestojnë kundër protestës, njerëz që shkruajnë libra e kritikojnë e vërshëllyes që i sulmojnë pse shkruajnë libra e kritikojnë, oferta blerjeje për mbyllje goje e kërcënime për hapje goje… Në harkun kohor të pak ditëve, na ka kaluar parasysh si një film historia jonë problematike me fjalën e lirë, me mendimin e zërin ndryshe, me kritikën dhe me protestën: nga gjyqet politike, agjitacioni e propaganda, lufta brenda e jashtë llojit, djegiet e gazetave e sulmet ndaj gazetarëve e deri tek vrasja e protestave e protestuesve. Histori që përsëritet kjo jona me problem të pazgjidhshëm atë të raportit të njeriut në pushtet dhe mendimit kritik, turmës që i vjen pas të parit dhe izolimit e linçimit të të dytit, vrullit për t’u bërë njësh me të parin e frikës për të artikuluar të dytin. Është problemi i problemeve, gracka që na burgos gjatë – edhe gjysmë shekulli ndonjëherë – në sisteme shkatërruese, për të cilët jemi bashkëfajtorë si bashkëpunëtorë me mosveprim.
Në Shqipëri, ku janë ulur këmbëkryq, me radhë, otomanizëm e komunizëm, nuk bën çudi që liderët – pa modele të tjera përveç sho-shoqit, janë botëkuptimisht krijesa standard Frankenshtjani: sa turkoshakë aq edhe enveristë, sa të majtë aq edhe të djathtë, sa tragjikë aq edhe komikë. Të gjitha cilësitë antagoniste të bëra bashkë, çuditshëm, tek i njëjti individ. E për pasojë, nuk bëjnë çudi as gjyqet politike për agjitacion e propagandë për libra e as sjelljet alla vëllai i madh Erdogan për mbytje zërash kritikë. E pra, dhe që këto duken normale, përbën problem. Madje, në thelb e themel të gjithçkaje, pikërisht, ky është problemi i vërtetë. Dhe është thellësisht botëkuptimor. Turravrapi tek analizimi e deri anatemimi i kujt ngre zërin, marrja me ata që ngrenë zërin në vend se me problemet që ngrihen, aktivizimi për të mbytur çdo zë, në çdo formë – nga tregtia e deri tek kërcënimi, nga kompromentimi e deri tek dhuna – dhe sakaq, rënia kryekëput e shoqërisë në të tilla gracka, janë tregues sa të zvetënimit moral e bjerrjes intelektuale aq edhe problemesh thelbësore botëkuptimore.
Në botën e lirë, kushdo – edhe një njeri i vetëm – është në të drejtën e tij të ngrejë zërin për çfarë e shqetëson, të kritikojë, të protestojë. Mund të ndodhë ta ketë gabim. Por edhe kur kjo ndodh, së paku, prodhon reflektim. Të sfidon me vlerësim e të hedh dorashkën për vetëvlerësim. Edhe në më të keqin e rasteve e më të paarsyeshmen e kritikave, të hap një shteg të ri mendimi, të shkund duke të thënë që paska dhe një kënd tjetër nga i cili mund t’u shihkërkan gjërat. Në botën e lirë, askush s’ka frikë ndaj kritikut dhe nëse ky e gabim. Askush nuk aktivizon gjithçka mundet për ta bërë të heshtë, për ta asgjësuar. Askush nuk e anatemon a dënon. Kritika, prej shekujsh tashmë, nuk është më herezi. Zëri i ndryshëm, nuk digjet, nuk varet, nuk kryqëzohet. Përkundrazi, është një bekim. Në sisteme totalitare është ndryshe… Në Turqinë e Erdoganit po ndodh ndryshe… Në Shqipëri ndodh ndryshe…
Që Shqipërisë i ngec ora gjithmonë në të njëjtin vend: tek ora e përballjes me zërin ndryshe dhe me fjalën e lirë, është zhgënjyese dhe dëshpëruese. Që Kryeministri, si njeri i fjalës dikur dhe që edhe në politikë më shumë protestoi se sa u mor me ndonjë gjë tjetër, shfaq pobleme tragjike pikërisht ndaj fjalës, është zhgënjyese dhe dëshpëruese. Që njerëzve, masivisht – përfshirë dhe brezat më të rinj – iu duket normale lufta ndaj fjalës e mendimit ndryshe – sido qofshin ato a nga kushdo u artikulofshin, që iu duket një zgjedhje më e mirë heshtja a fare kompromentimi me sisteme, është zhgënjyese dhe dëshpëruese. Reagimet mendje-fishkëllimë janë zhgënjyese dhe dëshpëruese.
Lajmet më të fundit për kërcënime me jetë gazetarësh nga eksponentë të opozitës, janë dëshpëruese, por aspak zhgënjyese. Tërësisht në përputhje me pritshmëritë për ta. Ata e kanë “ngritur standardin” në drejtim të vrasjes së protestës dhe lirisë në nivel vrasjesh të vërteta. Qëndrimi thjesht tek kërcënimi për të tilla, në rastin e tyre, është tregues përmirësimi.
E në fund, kryetari rishtar i bashkisë së Tiranës, ha diskutim në është zhgënjyes, por me siguri nuk po ngrihet dot as në nivelin e të qenit dëshpërues a fare për t’u marrë seriozisht në ato që thotë. I ka nga stresi. Ndaj, mos ia vini re! I duhet të përballet me punë e sfida prej vërteti, që do të thotë dhe kritikë prej vërteti se marrja përsipër e funksioneve publike ta bën këtë të mirë. Për herë të parë nuk i pi ujë loja ‘kush bën poza më të bukura’. E sigurisht, nuk mund t’i hyjnë në punë arsyetime çupëlinërash të përkëdhelura të tipit ‘shoqet më kanë zili ngaqë jam e bukur’. Këto, qameti, mund të zënë vend në diskure nivel jolezërash e poshtë. Përtej, pak mund të mendojnë se përfaqëson model për t’iu zilepsur.
Shpërfaqjet publike të përroit të tij psiqik mbajnë aq erë makthesh makbethiane sa të bëjnë sa për të qeshur aq edhe të të vijë keq për të. Dëgjojeni se ç’thotë: ‘protestuesit kacavirren për të dalë në televizor’ … ‘ata protestojnë se duan të bëhen deputetë’. Kë ju kujtojnë? Askënd tjetër përveç atij vetë. Duhet të qetësohet: ngaqë, tashmë, demode, i dalë boje, i pabesueshëm dhe pa frymëzim, askush nuk është aq i marrë sa të dojë ta përsërisë modelin e tij. Askush nuk është në garë me të për vëmendjen e shefit të tij. T’i qetësojë dhe manitë e persekucionit: askush nuk i është vënë pas për t’i marrë ç’ka arritur, ashtu si i ka arritur. Të paktën jo ato që artikulojnë shqetësime. Jo çdo njeri që kritikon, proteston, ngre një shqetësim e bën ngaqë do atë që ka ai.
Ndonjëherë, nuk është kaq e thjeshtë. Është edhe më e thjeshtë: njerëzit duan të jetojnë mirë dhe kërkojnë përgjegjshmëri në administrimin e taksave të tyre. Por është e kuptueshme gjendja e tij e rënduar psikologjike. I kuptueshëm stresi dhe sikleti që sjell puna që nuk kërkon fjalë, por këllqe e përgjegjshmëri. E mirëkuptojmë. Në të voglën tonë, të gjithë kemi kaluar strese të tilla, në ato punërat e vogla, të thjeshta, të parëndësishme e të padukshme që – siç ta do logjika dhe arsyeja e shëndoshë – i kemi bërë në rini e që këtij motorrit të fuqishëm të atdheut, mbase, do t’i duhet t’i bëjë kur të rritet. Fakti që po i shërbejnë si internship punët e mëdha të atdheut është një hall që na ka rënë për pjesë ta ndajmë bashkë: është sa për të zezën tonë, aq edhe për stresin e tij. E kuptojmë, por nuk mund edhe ta ngushëllojmë: vakia është e jona!
P.S. Nuk është puna sa larg mund të shkojmë për të mbytur një zë. Edhe në e mbytshim, në pastë patur të drejtë, do të na merren në ndonjë moment mendtë nga rrotullimi i tokës, me apo pa atë zërin që tha ‘Eppur’ si muove!’.