Nga Lulzim Omuri
Partitë politike janë institucionet themelore për garantimin e rendit demokratik. Pluralizmi politik, ekzistenca dhe funksionimi i parlamentarizmit, ndërtimi i një shteti demokratik, sigurohen në saj të luftës politike dhe përballjes në platforma midis partive politike.
Partitë politike përbëhen nga strukturat dhe organizatat e tyre partnere për funksionimin e tyre të brendshëm. Por çfarë e bën një parti politike të madhe e të fortë? Që t’i jepet një përgjigje e plotë kësaj pyetje do duhej një studim apo qoftë edhe një shkrim i posaçëm për të. Duke qënë se nuk është ky qëllimi i këtij shkrimi, po përmend disa kritere si ndër më kryesoret si: burime njerëzore, struktura solide, organizimi dhe riorganizimi periodikisht etj. Pikërisht në këtë pikë dëshiroj të ndalem, në riorganizimin, e konkretisht në riorganizimin e ndërmarrë në forumin rinor të Partisë Demokratike.
FRPDSH është një nga forumet rinore politike më të mëdha në vend, Organizatë Partnere e Partisë Demokratike. Me sukseset dhe peripecitë e saj, me ditë të mira e të vështira, sikurse ndodh në çdo organizatë, kompani, apo koorporat. E rëndësishme është të mos ndalësh luftën për të ecur përpara, të gjeshë forcën për t’u ringritur. Partia Demokratike me vizionin dhe lidershipin e kryetarit Z. Lulzim Basha, vendosi riorganizimin e Forumit Rinor nëpërmjet hartimit të një udhëzimi të qartë për procedurën e funksionimit të procesit, i ndarë në dy faza. Në fazën e parë zgjedhjet për krytarin e FRPD dhe në fazën e dytë zgjedhjet për kryetarët e forumit dhe strukturave drejtuese në 53 degët e PD-së.
Është fakt se Partia Demokratike është partia e ndryshimeve të mëdha, politikat dhe kultura e saj e punës diferencohen katërcipërisht nga çdo parti tjetër e madhe apo e vogël qoftë ajo në Republikën tonë. Një nga risitë që solli është parimi zgjedhor “një anëtar një votë” e aplikuar kjo që me zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokrarike në vitin 2013, sot e shndërruar në shtyllë kurrizore për proceset e saj zgjedhore, parim ky i aplikuar edhe në ato të forumit rinor të saj. Kjo e diferencon dukshëm nga partia më e madhe kundërshtare Partia Socialiste, për ta mbledhur përsëri kongresin e saj akoma ben zgjedhje me delegatë. Model ky i vjetër, larg demokracisë dhe garës së lirë.
Zgjedhjet në FRPD sollën risi tjetër, debatet zgjedhore midis kandidatëve në çdo kuvend para votimit, i inspiruar nga modeli amerikan, i pa aplikuar asnjëherë më parë në Shqipëri. Kandidatët për kryetar të FRPD zhvilluan në çdo degë debat të hapur për publikun, i përqëndruar në prezantimin individual, si dhe në trajtimin e temave të ndryshme si politike, ekonomike e sociale. Transparencë e garantuar përmes komisioneve të paanshme por edhe të monitoruara nga vëzhguesit e përcaktuar prej secilit kandidat si gjatë procesit të votimit edhe gjatë procesit të numërimit. Me këtë rregull u mbyll procesi i parë me anë të një garë të fortë plot emocione, për t’i lënë stafetën procesit të dytë në zgjedhje forumi për kryetar në çdo degë si dhe strukturat e tyre. Shansi i garës iu dhe çdo të reje dhe të riu që plotësonte kriteret e përcaktuara në udhëzim për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur sipas parimit më demorkatik “një anëtar një votë”.
Sot pas një rrugëtimi disa mujor nga njëri skaj i vendit në tjetrin, pune të palodhshme nga të rinjtë e grupet e punës, FRPD gëzon struktura të ngritura, me energji të reja, të zellshme dhe entuziaste për ta drejtuar forumin përpara, për ta lartësuar atë, për të qënë në krahë të Partisë Demokratike në betejat e saj politike dhe për të afruar sa më parë fitoren e saj në zgjedhjet politike.
Pse duhet një fokus kaq i veçant ndaj të rinjve? Për arsyen e thjesht por jo pak të rëndësishme, sepse ata janë e ardhmja e vëndit, ata janë shteti nesër. Përtej peshës së ndërtimit të së ardhmes, ata nuk e kanë të lehtë angazhimin, përfshirjen pranë forumeve rinore partiake, apo qoftë edhe shoqërisë civile. Për këtë është e rëndësishme që të gjenden mekanizma për aktivizimin e tyre, rivitalizimin, për t’u pjekur profesionalisht, me kulturën e punës në grup, të aftësohen dhe integrohen për të marrë pjesë gradualisht në vendim-marrje. Një rrugë për këtë është garimi dhe zgjedhja në poste nga qeliza më e vogël e një strukture partiake si seksioni, më tej grupseksioni, dega e kështu me radhë. Në këtë mënyrë të rinjtë bëhen pjesë e punës në grupe, në debate, në gara, inspirohen me ambicie pozitive, motivohen, përfshihen, integrohen.
Sot FRPD është një leksion për politikën, ndërsa për të rinjtë është një alternativë. Përgjatë gjithë këtij procesi e deri në përfundim të tij, ne vendosëm disa standarte të cilat do të shërbejnë për demokratizimin e mëtejshëm të organizatave rinore. Tashmë forumi është në garë me vetveten për rritjen e nivelit të pjesmarrjes të anëtareve të saj në vendim-marrje dhe në proces konsolidimi të vlerave qytetare, morale, profesionale e demokratike me frymën më të mirë europiane e perëndimore në tërësi.
E ardhmja u përket të rinjeve dhe si e tillë duhet t’ua besojmë atë atyre!