Pasi skadoi afati ditën e djeshme në orën 16:00 dhe qeveria nuk plotësoi 8 kërkesat e studentëve, ata kanë nisur sërish sot protestën e tyre.
Në Tiranë ka nisur marshimi drejt Ministrisë së Arsimit, por një pjesë e tyre kanë qëndruar duke protestuar tek kryeministria.
Ndërkohë në Elbasan studentët kanë bllokuar rrugën dhe shprehen të vendosur që të vazhdojnë deri në fitore. Një pjesë e tyre do të nisen sërish drejt Tiranës siç bënë ditën e djeshme pavarësisht vështirësive në transport pasi shoferët për shkak të presioneve nuk i kishin vendosur autobusët e tyre në dispozicion.
Në Korçë ashtu si ditën e djeshme sërish studentët, ku u janë bashkuar dhe gjimnazistët, kanë nisur protestën e tyre duke bllokur rrugën në hyrje të qytetit. Për këtë ato u kanë kërkuar dhe falje qytetarëve.
Në Shkodër gjithashtu ka nisur protesta edhe pse ditën e djeshme Universiteti I Shkodrës pranoi tre prej katër kërkesave të studentëve. Por nga ana tjetër studentët janë shprehur se protesta e tyre është e lidhur me protestën e studentëve të Tiranës, ndaj pa u plotësuar 8 kërkesat e tyre protesta në Shkodër nuk do ndalet. Studentët u kanë bërë thirrje edhe gjimnazistëve që të bashkohen me ta.
Edhe në Gjirokastër dhe Vlorë studentët kanë dalë sërish në protestë duke artikuluar qartë se nuk ka asnjë tërheqje, as dialog as negociata pa u plotësuar 8 kërkesat.
Por ditën e sotme janë ngritur edhe gjimnazistët në Sarandë. Por një pjesë e tyre nuk janë lënë të dalin në rrugë pasi u kanë mbyllur derën siç shihet dhe nga kjo foto.
Duket qartësisht se edhe pas shfaqjes së Ramës për rreth tre orë në media ku argumentonte sipas tij se sa i rëndësishëm është vendosja e dialogut dhe procedimit nga policia të 25 personave që kanë marrë pjesë në priotestë, studentët nuk kanë bërë asnjë hap pas.