“Gjyqësi private”, si u shkatërrua prona e Abdullah Skënderit para syve të Policisë

Nga Boldnews.al

Abdullah Skënderi po ndiqte procedurat për të legalizuar një ndërtesë me konstrukt metalik në zonën e Tre Ishujve, në Sarandë, kur pronari i një biznesi tjetër “avancon” strukturat shtetërore dhe ia djeg dhe shkatërron plotësisht pronën, së bashku me çdo që kishte brenda. Ky rast “gjyqësie private”, i cili ka ndodhur mëngjesin e 7 Dhjetorit, merr përmasat e skandalit, pasi është njoftuar edhe Policia, e cila nuk ka reaguar aspak.

I dëmtuari Abdullah Skënderi ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Sarandës personin që ka shkatërruar me zjarr objektin e tij, si edhe ka identifikuar personat e veshur me pushtet publik, të cilët kanë qëndruar indiferent.

Në bazë të kallëzimit, një kopje të të cilit e ka edhe “Boldnews,al” rezulton se Abdullah Skënderi, në vitin 2012, ka ngritur një objekt social-ekonomik, të cilin e shfrytëzon gjatë muajve të verës. Ky objekt ishte një ndërtesë e thjeshtë, e ngritur kryesisht me konstruksion metalik e tulla, si edhe i mbuluar me tjegulla. Për këtë objekt, ai kishte aplikuar në zyrën e ALUIZNI-t dhe ishte në pritje të shqyrtimit të procedurave institucionale.

Por, ndërkohë që priste përgjigjen e ALUIZNI-t, në 21 Nëntor 2018 ai merr kërkesën zyrtare nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) i Bashkisë Sarandë për prishjen vullnetare të objektit, pasi është pa leje. Menjëherë, Abdullah Skënderi i drejtohet Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, e cila, me vendimin e ndërmjetëm të datës 5 Dhjetor 2018, vendos pezullimin e vendimit për prishjen e objektit, deri sa çështja të shqyrtohet në themel nga ajo gjykatë.

Ky vendim e qetësoi disi poseduesin e këtij objekti. Por, siç ai deklaron në kallëzim, ky vendim ka lënë të pakënaqur një palë tjetër, private. Mëngjesin e datës 7 Dhjetor, Abdullah Skënderi njoftohet që pronari i një biznesi aty pranë, i kishte vënë flakën godinës së ndërtuar prej tij, si edhe kishte marrë një mjet shkatërrues (skrap) për të rrëzuar tërësisht në tokë.

I dëmtuari shkruan në kallëzim: “Në orën 8 të mëngjesit të datës 7 Dhjetor 2018 njoftohem se persona të paidentifikuar, si edhe një person i quajtur Evo (Spiro Iljadhi), i cili ka në pronësi lokalin “Orange”, i janë afruar pronës sime dhe i kanë vendosur zjarrin, duke e shkatërruar komplet atë, me të gjithë mallin që kishte brenda. Dëmi që më është shkaktuar është i konsiderueshëm në vlerë monetare, pasi aty mbaja dhe furnizimet e punës. Gjithashtu, për shkatërrimin e pronës sime kanë përdorur edhe skrep”.

Më tej, Abdullah Skënderi vijon në kallëzimin e tij drejtuar Prokurorisë së Sarandës: “Në vendngjarje ka qenë një miku im, B.C, i cili ka njoftuar për ngjarjen inspektorin e policisë së zonës, Ladi Abedini, si edhe policinë e shtetit. Por, personat që po shkatërronin pronën time, nuk kanë pyetur aspak për forcën e ligjit dhe rrëzuan objektin që e kam ngritur me mund dhe gjak”.

Sipas kallëzimit, “Policia e Shtetit për rreth 2 orë nga lajmërimi, nuk ka ardhur në vendngjarje. Asnjë patrullë nuk kaloi. Në vendngjarje ishin vetëm personat që po shkatërronin pronën time. Theksoj që, dëshmitar okular në vendngjarje, ka qenë edhe vetë inspektori i policisë, i zonës, Ladi Abedini”, thotë ndër të tjera Abdullah Skënderi në kallëzimin e tij.

Në kërkesën drejtuar prokurorisë për nisjen e hetimit, i dëmtuari ka bashkëngjitur edhe dokumenta, foto e video nga vendi i ngjarjes, të cilat i ka në dispozicion edhe “Boldnews.al”. Dokumentat dëshmojnë se gjykata administrative e Gjirokastrës ka vendosur pezullimin e vendimit për prishjen e objektit.

Ndërsa në foto dhe video, të cilat tashmë janë në dispozicion të Prokurorisë, dëshmohet shkatërrimi i objektit të tij nga persona privatë, të cilët kanë qenë të paduruar dhe nuk kanë pritur që institucionet shtetërore të thonë fjalën e fundit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here