Kryebashkiakët e PS/ Qytetet e mëdha, emrat, kush ikën, kush vjen dhe kush qëndron

Nga Boldnews.al
*********************
Zgjedhjet lokale të vitit 2019 pritet të sjellin ndryshime të rëndësishme në emrat e Partisë Socialiste, të cilët deri më tani kanë drejtuar qytetet kryesore të Shqipërisë. Edi Rama, nëpërmjet levave të tij brenda partisë dhe në media po teston opinionin e militantëve mbi lëvizjen e disa kryebashkiakëve aktualë, si edhe me propozimet e reja.

Fillimisht, brenda Partisë Socialiste po mendohet për të ndryshuar kryebashkiakët “e përjetshëm”, ata që janë në detyrë prej të paktën 3 mandate rresht. Në krye të lëvizjeve qëndron Qazim Sejdini, kryebashkiaku jetëgjatë i Elbasanit. Edi Rama kishte planifikuar që të mos kandidonte “Lalë Qazimin” që në zgjedhjet lokale të vitit 2015. Por ai u tërhoq nga ky qëndrim, pasi, duke lëvizur Sejdinin, ai do t’i hapte rrugë kandidimi të një emri nga Lëvizja Socialiste për Integrim, me të cilën në atë kohë Partia Socialiste ndante pushtetin.

Tashmë që Edi Rama ka të gjithë pushtetin e “tepsisë”, e ka shumë më të thjesht për hequr e vendosur emra kandidatësh për kryebashkiakë. “Lalë Qazimi”, edhe vetë i lodhur nga koha e gjatë në pushtet, si edhe për shkak të lidhjeve të ngushta me eksponentë kriminalë, ka planifikuar një dalje të butë nga aktiviteti i përditshëm i kryebashkiakut. Ai po lobon që Partia Socialiste të kandidojë në Elbasan një vartës të tij, personin më të angazhuar në Bashkinë e qytetit për dhënien e lejeve të ndërtimit.

Ky person ka shërbyer gjithnjë si “njeriu hije” i Qazim Sejdinit në plotësimin e favoreve për biznesmenët e qytetit. Nëpërmjet këtij kandidati, “Lalë Qazimi” synon që të vijojë të ketë akses në vendimmarrjen e rëndësishme të qytetit.

Në Durrës, tashmë mbetet thjesht formalitet mos-kandidimi i Vangjush Dakos për një mandat të katërt në krye të qytetit bregdetar. Publikimi, së fundmi, i lidhjeve të Dakos me një prej bandave më të rrezikshme në vend, e nxisin Edi Ramën që të mos i besojë Vangjushit kandidimin e radhës për timonin e Durrësit.

Në vend të Dakos, strukturat e socialistëve në qytetin e dytë më të madh në vend shohin si kandidat Ardian Çelën, drejtorin e OSHEE-së multimilionere. Çela ka shërbyer edhe më parë në Bashkinë e Durrësit, si zëvendës i Dakos, deri sa, kur Edi Rama mori pushtetin politik, i dorëzoi atij drejtorinë e menaxhimit të energjisë elektrike.

Edhe Çela nuk rezulton të jetë imun ndaj lidhjeve me eksponentë kriminalë. Opozita e akuzon se ai ka raporte të ngushta me anëtarët e të njëjtës bandë, për të cilën Vangjush Dako po del nga skena politike.

Lëvizja më e bujshme dhe, natyrisht, më problematikja për Edi Ramën dhe Partinë Socialiste, është emri i kandidatit për Tiranën. Në situatën aktuale, kur kryesocialisti ka ndërprerë çdo komunikim me kryebashkiakun e kryeqytetit, Erion Veliaj, pritshmëritë janë që socialistët të përfaqësohen në zgjedhje me një emër të ri.

Prej disa kohësh diskutohet që Edi Rama do të kandidojë ministren aktuale të Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në vend të Lali Erit. Gjithësesi, afrimi i zgjedhjeve do të sqarojë rebusin e Tiranës. Lali Eri, pavarësisht se ka humbur plotësisht besimin e Ramës, ka krijuar një imazh të fortë publik, për shkak të vënien nën sqetullën e tij të medias kryesore në vend. Për këtë arsye, kryesocialisti, në rast se do të ndryshojë kandidatin për kryeqytetin, do të harxhojë shumë kohë të bindë socialistët e verbuar nga llamburitjet mediatike të “Lalit” se përse Manastirliu apo kushdo tjetër do të jenë më të mirë se ai që kanë aktualisht në kryeqytet.

Më e qetë duket situata në dy qytete të tjera të mëdha, ku socialistët drejtojnë pushtetin lokal. Nuk pritet që të ketë ndryshimë në Bashkinë e Vlorës, e cila drejtohet aktualisht nga Dritan Leli, në mandatin e tij të parë pas largimit të jetëgjatit Shpëtim Gjika.

Gjithashtu, pritet të mos ketë lëvizje as në Fier, ku drejton në mandatin e tij të parë Armando Subashi, ish-deputeti që la mandatin për të drejtuar këtë qytet.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *