Vettingu/ Kandidatja për gjyqtare drejt konfirmimit nga KPK

KPK i dha një vlerësim pozitiv për të tre kriteret e vetingut kandidates për gjyqtare Arnisa Këlliçi dhe njëherazi vlerësoi arritjet e saj akademike.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mbajti të hënën seancën dëgjimore për kandidaten për gjyqtare Arnisa Këlliçi, e cila më parë ka shërbyer si këshilltare ligjore pranë Gjykatës së Lartë.

Sipas KPK-së Këlliçi ka mbaruar studimet në fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës në nivelin ‘bachelor’ në vitin 2006 me medalje ari. Më tej kandidatja për gjyqtare ka përfunduar një master në drejtësi me ekselencë dhe doktoraturën në ‘Central European University” në Budapest.

Nga shkurti 2014 deri në shkurt 2017, kur është kualifikuar në programin e magjistraturës me 71 pikë, Këlliçi ka punuar si këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë, ku ka prodhuar 367 relatime me natyrë civile.

Trupa e vetingut e drejtuar nga Olsi Komici kryesues, Suela Zhegu relatore dhe Xhensila Pine anëtare, e vlerësoi Këlliçin për të tre kriteret e vetingut, përfshirë pasurinë, kontrollin e figurës dhe profesionalizmin.

Sipas relatores Zhegu, si pjesë e procesit të rivlerësimit të kandidates për gjyqtare, KPK ka administruar raportet për subjektin nga Inspektoriati in Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit,

Sipas raporti të ILDKPKI, Këlliçi ka bërë deklarim të saktë, nuk ka bërë deklarim të rremë, ka burime të mjaftueshme pasurie, nuk ka fshehje pasur dhe nuk ka konflikt interesi.

Përtej raportit të ILDKPKI, Komisioni i Pavarur i Kualifikimi ka ndërmarrë një hetim të pavarur administrativ mbi pasuritë e deklaruar në deklaratën veting të subjektit, kur përfshihet një makinë Toyota Rav4, prodhim i vitit 2006 e blerë në vitin 2013, me vlerë 8300 euro, dhe një motor ‘Moto Guzi’ në emër të bashkëshortit i blerë në vitin 2009. Pasuritë e subjektit përputhen me deklarimet e saj.

Sipas KPK-së gjendja e llogarive bankare të subjektit përputhet me deklarimit e saj, ndërkohë që Këlliçi dhe bashkëshorti kanë dhe një apartament në përdorim, i cili është i regjistruar në pronësi të vjehrrit të kandidates për gjyqtare. Kjo pasuri është përftuar nga vjehrri i Znj. Këlliçi si pronar i tokës ku është ndërtuar pallati.

Sipas raporti të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Znj. Këlliçi është vlerësuar si e përshtatshme për të avancuar në karrierën e saj si gjyqtare, ndërkohë që edhe vlerësimi profesional nga Shkolla e Magjistraturës dhe puna në Gjykatën e Lartë si ndihmëse ligjore i kanë dhënë një notë pozitive.

Gjatë fjalës së saj të shkurtër përpara komisionit Znj. Këlliçi ra dakord me gjetjet e Komisionit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Shpallja e vendimit për subjektin bëhet të martën me datë 6 nëntor ora 10:00./reporter.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *