Shpesh – me të drejtë ose jo – sulmuesët vlerësohen për nga numri i golave që shënojnë. Sigurisht që pesha në lojë, pozicionimi, loja pa top, e të tjerë parametra si këto, janë të rëndësishëm për të matur cilësinë e një lojtari, sidomos një sulmuesi. Por në fund të ditës, mbahet mend goli, sado i shëmtuar, shumë herë më tepër se sa një shtyllë, sado spektakolare.
Në historinë e futbollit, ka ekzistuar një kategori futbollistësh që, edhe pse në karrierën e tyre në klube kanë qenë goleadorë të vërtetë, në skuadrën kombëtare kanë çaluar dhe nuk janë ngritur kurrë në të njëjtin nivel.
Më poshtë ju rendisim 7 prej tyre:
- Carlos Tevez – 13 gola në 76 ndeshje
Argjentinasi ka në CV-në e tij një seri të gjatë vlerësimesh si golashënues më i mirë i Premier League dhe Serie A, duke u matur denjësisht me më të mirët e dekadës së fundit. Por duke qenë se në kombëtare i është dashur të luftojë për një vend në formacion me emra si Hernan Crespo, Gonzalo Higuain, Sergio Aguero e Lionel Messi, nuk ka mundur të jetë po aq vendimtar edhe me albicelesten. Njëlloj si Diego Milito, me vetëm 4 gola në 25 ndeshje.
- Francesco Totti – 9 gola në 58 ndeshje
Perandori i Romës është golashënuesi i dytë më i mirë në historinë e kampionatit italian duke shënuar mbi 300 gola. Por për habi të të gjithëve nuk arriti as në një numër dyshifror kur vjen puna te golat me fanellën e kaltër. Të paktën mund të ngushëllohet me 24 asiste.
- Teddy Sheringham – 11 gola në 51 ndeshje
Duke qenë se karriera e tij në kombëtaren angleze përkoi me atë të Alan Shearer, shpesh Sheringham detyrohej të luante si sulmues i dytë, gjë të cilën e bënte mirë edhe në klube. Por dalja në skenë e Miachel Owen i mohoi atij mundësinë që të ishte qendërsulmuesi i 3 Luanëve edhe pasi Shearer la kombëtaren.
- Roy Makaay – 6 gola në 43 ndeshje
Një tjetër sulmues që do të kishte luajtur pa diskutim mbi 100 ndeshje me kombëtaren nëse nuk do të kishte pasur aq shumë konkurrencë. Makaay kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij me Holandën si zëvendësues i emrave të mëdhenj si Patrick Kluivert, Dennis Bergkamp, Ruud van Nistelrooy.
- Hulk – 11 gola në 47 ndeshje
A e dinit që sulmuesi brazilian nuk ka shënuar asnjë gol në ndeshje zyrtare me Brazilin? Trupmadh dhe i fuqishëm, Hulk ka mundur të shënojë gola pa fund në kampionatet ku kaluajtur, ai portugez dhe rus si dy më të fortët, por kurrë nuk mundi të gjente vend te Seleçao.
- Alvaro Recoba – 11 gola në 69 ndeshje
Mëngjarashi ndoshta nuk ka qenë një goleador i vërtetë as në nivel klubesh, por gjithsesi 11 gola në 69 takime me kombëtaren uruguaiane janë shumë pak për një lojtar si ai që në të gjitha klubet ku ka luajtur ka arritur të realizojë 144 gola.
- Oliver Neuville – 10 gola në 69 ndeshje
154 gola në karrierën e tij në klube, kryesisht me Bayer Leverkusen dhe Borussia Monchengladbach nuk është një shifër ekzaltuese. Por përsëri një sulmues i Gjermanisë nuk mund të mbyllë karrierën me vetëm 10 gola me kombëtaren. Emrat e tjerë të viteve të fundit, si Klose, Podolski, Muller apo Bierhoff kanë bërë kërdinë…