I përgjuari: Aktor apo personazh real?

Nga Artan Fuga
———————————–
Sipas një eseje botuar tre vjet më parë
———————————–
Ajo që bëri Arian Çani te “Zonë e Lirë” javën e shkuar m’u duk nga gjërat më interesante dhe të gjetura që ndodhën në media javën që shkoi.

Vetëm Arian Çani di t’i bëjë ato, sepse ai intuitivisht e ndien gazetarinë televizive si art dhe si instrument komunikimi. Është i lindur për atë punë.

Papritur, sikurse e panë të gjithë ata të shumtë që ndiqnin emisionin e tij tejet popullor, në studio u ul hajduti, grabitësi, vjedhësi, që kishte hyrë në lokalet e Nerënxit dhe ishte filmuar atje duke terrorizuar punonjëset e firmës. Në studion e Çanit përballë pronarit të firmës, ai shpjegonte motivet e tij, si varfëria etj.

Sapo e pashë këtë bisedë interesante që po fillonte e nxora televizorin tim nga frigoriferi, ku e mbaj zakonisht, dhe e vendosa drejt mbi një vandak librash që ta ndiqja më mirë.

Shih se çfarë bën Çani! – thashë me vete duke buzëqeshur. “Prit tani kur gjysma e audiencës të tij, sidomos pjesa më pak e njohur me spektaklet televizive si ai i Canit, ta marrë për të vërtetë sikur ky hajduti me maskë është grabitësi i vërtetë”.

Se emisioni i Çanit nuk është një emision që prodhon gazetari investigative, përkundrazi, si spektakël televiziv, si talk show, ai ka edhe pjesën realiste, por edhe fiksionin.

Është njësoj sikur një balerinë që shfaqet aty, ne ta shohim jo si balerinë, pra jo me statusin e vet fiksion, por sikur është personi real që ka një babë, nënë, motër, vëlla, dashnor, etj. Çfarë na duhen ne këto anë reale, pra njeriu i vërtetë, ne na duhet si fiksion artistik, pra si balerinë!

Po, hajde kush do ja kuptojë! – thash me vete dhe po qeshja.

M’u kujtua sesi nga arkivat e vjetra, fillimisht kur bëhej teatër në kryeqytetet e vjetra të Evropës, në Paris, Londër a Berlin, aktorët që luanin personazhe negative e kishin vështirë të dilnin nga dera kryesore e teatrit, sepse atje i priste zakonisht një turmë e irrituar që donte t’i ndëshkonte. Nuk bënin dallimin midis aktorit si njeri dhe personazhit që ai luante. Turma e irrituar i bërtiste: Pse e vrave të dashurën more qen? Pse e tradhtove gruan more horr???

Me këto ndjenja ndiqja “Zonën e Lirë”, sepse me thënë të drejtën unë në atë orë të së premtes vetëm atë gjë bëj. Nxjerr televizorin nga frigoriferi dhe ndjek Arian Çanin, dhe jam gjithë kohën duke ngrënë shegë. Më shijon. S’ka njeri pa të meta…

E ndërsa kënaqesha duke parë improvizimin e aktorit, e dija se nuk mund të ishte ndryshe. Kush hajdut do të pranonte në ndjekje e sipër nga policia të vinte në një studio televizioni??? Loja dukej hapur. E nëse hajduti kishte ardhur për t’u dorëzuar atëherë ai nuk ishte përse vinte me maskë!!!

Çani po luante si di ai, i papërsëritshëm, me ne, me audiencën e tij, miqësisht, por edhe me shumë profesionalizëm. Televizioni dhe përgjithësisht, ekrani realist është një art i keq. Por, të jetë për realitet kemi sytë ne. Ekrani është ekran sepse na jep mundësi ikje nga realiteti, na jep mundësi për shfaqje, spektakël, për evazion.

Prit kur t’i hyjë policia në studio! – po prisja me padurim. Do të kishte qenë perlë. Jo se policia nuk e kishte kuptuar se ishte lojë e spektakël, por sepse ndërhyrjen do ta kishte të detyruar sipas ligjit. Kur dikush thotë: “Unë jam hajduti”, policia është e detyruar ta ndalojë qoftë edhe për verifikim. Sepse përndryshe, sikur një të mijtën për qind të jetë vërtet ndonjë hajdut që Çani i ka prish mendjen (se mos e ka vështirë ai!) për të ardhur në studio (po t’u qep ai!), hajde duro pastaj opozitën: Jo policia kështu, jo policia ashtu.

Por, askush nuk erdhi. Eh, thash, ende paska miq Çani në polici pavarësisht se udhëton me veturë pa patentë! Nuk duan t’i prishin emisionin duke i çjerrë maskën këtij aktorit – hajdut që ka ftuar.

Vetëm më pas pra të nesërmen lexova që aktorin – hajdut te oborri i Klanit e priste policia për verifikim. Bravo çuna! – thash me vete nuk më zhgënjyet si qytetar i rregullt i këtij shteti që asnjëherë nuk kam vjedhur apo grabitur, por që më kanë vjedhur dhe grabitur 11 herë përgjatë tranzicionit demokratik.

Asnjëherë hajduti nuk është kapur.

Kur loja e bukur e Çanit doli në pah, dhe policia ndihmoi për këtë (si do të mund të bënte ndryshe!), nisa të mendoj tjetër gjë që vetëm teoritë më bashkëkohore të komunikimit e shpjegojnë. Arian Çani nuk besoj të harxhojë kot kohën për t’i lexuar ato, sepse, ai i di si gjëra të natyrshme çfarë mua më duhet ta lexoj mijëra herë për ta kuptuar.

Çfarë të bësh!

Duke ftuar një aktor për t’u hequr si hajdut në studio, në fakt, Arian Çani pa e ditur, kishte sjellë realitetin televiziv. Realiteti televiziv dhe realiteti që e shohim me sy në rrugë ose nga brima e çelësit apo e syrit magjik nuk janë të barabartë. Kush kujton se janë të barabartë, qoftë edhe drejtues emisioni televiziv, ka nevojë të vijë ta ribëjë edhe njëherë fakultetin e gazetarisë. Të vijë ta bëjë te Universiteti i Tiranës, se po shkoi te ndonjë kioskë private nuk kupton asgjë. Beter!

Aktori luan rolin e hajdutit, pra është një aktor hajdut. Por, edhe po qe se do të vinte vetë hajduti i vërtetë ai nuk do të sillej si vetja e tij, sepse para kamerës të gjithë sillen si aktorë. Dhe jo vetëm hajdutët.

Aktrojnë hajdutët, analistët, grabitësit, pedagogët, dallaveraxhinjtë, politikanët, mashtruesit, shtetarët dhe ministrat, filozofët, klerikët, drogaxhinjtë, prostitutat, drejtuesit e OJF-ve, të gjithë pa përjashtim paraqesin anën e tyre më të mirë, a thua se janë engjëj, pra s’janë aspak të vërtetë. Nuk janë vetja, luajnë rolin e vetes në një aktrim fillimisht perfekt dhe pastaj të dalë boje.

Kjo është forca e kamerës, por edhe dobësia e saj, edhe “reality shows” janë në fakt imagjinare. Edhe Big Brother është krejt lojë aktoriale.

Aktori hajdut dhe hajduti aktor (hajduti i vërtetë i ardhur në studio) janë në fakt e njëjta gjë.

Aktori analist dhe analisti aktor nuk kanë asnjë dallim nga njeri tjetri.

Aktori politikan dhe politikani aktor janë identikë, asnjë ndryshim, sidomos në kohë fushatash elektorale.

Eh, çfarë na ka gjetur!!!

Faleminderit Arian – thashë me vete – që na jep mundësi ta shohim këtë pa e kuptuar ndoshta se çfarë po shohim. Prandaj më pëlqen ti si gazetar, sepse çdo mesazh te ti ka një nënkuptim, një kundërmesazh. Arti është pikërisht kundërthënia e mesazheve që bashkëjetojnë, arti të jep atë që ta merr dhe ta merr atë që ta jep.

Po zoti Nerënxi a ishte i vërteti apo ishte edhe ai aktor???

Po Arian Çani ishte i vërteti apo herë pas here edhe ai ia kërcet e ikën arratiset andej nga Nisa, a Monakoja, dhe lë ndonjë sozi të vetin në tavolinë të bëjë striptizë me balerina që kujtojnë me epsh se po prekin Arian Çanin!

Është sozia që bërtet: Ledio të lutem!

E në fund, po unë a jam i vërteti apo jam një aktor që luan autorin e këtij shkrimi: Artan Fuga

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *