Babale-Xhafaj, antiprova dhe ç’rrezikon PD

Nga FITIM ZEKTHI

Kjo që po ndodh me çështjen “Babale-Xhafaj” është e tmerrshme. Politika, për definicion, është ajo lloj veprimtarie, thotë Harold Laswell, që përcakton se kush merr, çfarë, ku dhe kur. Në një farë mënyre politika shpërndan pushtet, pra, menaxhon interesa dhe kësisoj ajo ka prirjen e vazhdueshme të zgjerojë pushtetin e saj dhe të bëhet e rrezikshme.

Sigurisht, kur thuhet se politika përcakton kush merr, çfarë, ku dhe kur, nuk do të thotë se ajo ndan plaçkë. Ajo përcakton (ndan sipas fuqisë që kanë aktorët) se sa ligjet do të jenë të majta apo të djathta, sa do të jetë një taksë, si do të trajtohet çështja e kthimit të pronës, e lirive fetare, e martesave gay, e pagës minimale etj.. Politika degjeneron në ndarje plaçke, në dhunë, në dominim, në krim, kur mekanizmat e kontrollit pushojnë së qeni.

Në rastin e çështjes Babale-Xhafaj ky degradim i politikës shfaqet në formë të pabesueshme. Nuk është më çështja se politikanët, Kryeministri Rama apo qeveritarë dhe pushtetarë të lartë kanë dalë jashtë detyrave të tyre, po sulmojnë kundërshtarët apo mbrojnë inkriminimin e jetës politike. Çështja është se mekanizmat e kontrollit janë kthyer në heshta të qeveritarëve dhe po ndihmojnë të përcaktojnë se kush merr çfarë, kur dhe ku.

Një mekanizëm kontrolli i fuqishëm duhet të ishte Prokuroria. Tërë thelbi i detyrës së Prokurorisë ka të bëjë me gjetjen e provës. Duke qenë se ajo ushtron ndjekjen penale, asaj i kërkohet “provë përtej dyshimit të arsyeshëm”. Teoricienët e ligjit penal prej shekujsh kanë vendosur këtë standard për Prokurorinë. Me fjalë të thjeshta, Prokuroria duhet të bëjë shkencë, duhet që prova e saj të jetë e pakundërshtueshme dhe të mos ngjallë asnjë dyshim. Profesor Alan Dershovitz i Universitetit të Harvardit thotë se në thelb “Prokurorisë i duhet të vërtetojë shkencërisht diçka, përndryshe ajo ka dalë jashtë detyrës dhe kthehet në rrezik”. Prokuroria nuk kërkon që dikush të shpallet i fajshëm apo i pafajshëm, në kuptimin që ka apo jo faj për diçka, por në kuptimin e gjetjes së provës shkencore. Në Skoci, për shembull, për një çështje thuhet: e provuar ose paprovuar (proven, not proven). Në botën anglosaksone edhe fjala për pafajësinë (not guilty) nuk do të thotë i pafajshëm (innocent), por i lirë nga akuzat.

Ç’ka bërë Prokuroria jonë në rastin e çështjes Babale-Xhafaj? A ka kërkuar ajo të gjejë provën në mënyrë shkencore. A ka kërkuar ajo të gjejë provën përtej dyshimit të arsyeshëm? Prokuroria jonë në mënyrë të turpshme përdor deklarimin “vullnetar” të një personi, Fredi Alizotit, si provë. Duke qenë se Fredi Alizoti thotë që e ka bërë ai përgjimin, pra, aktrimin, atëherë çështja u zbardh. A është provë përtej dyshimit të arsyeshëm kjo e Alizotit? A është shkencore, d.m.th a vërteton ajo përtej dyshimit? Padyshim jo.

Nga ana tjetër, Prokuroria dërgoi disa muaj më parë bisedën e përgjuar mes Babales dhe dikujt që PD tha se ishte vëllai i ministrit të Brendshëm. Nga ekspertiza nuk thuhet përtej dyshimit të arsyeshëm se aty bisedon Babalja me Fredi Alizotin, përkundrazi thuhet se nuk është e mundur të flitet me saktësi se cilët persona bisedojnë. Pra, organi i vetëm përgjegjës për të gjetur provën përtej dyshimit të arsyeshëm, organi i vetëm për të bërë shkencë në çështjet penale ka degjeneruar në një organ me gjuhë dhe sjellje atipike

Ngjarja ka një anë tjetër më të shëmtuar se sa shndërrimi i Prokurorisë nga një organ që duhet të bëjë shkencë në një organ atipik. Kërkimi i provës nuk bëhet në bazë të një metodologjie që synon të gjejë provën, por në bazë të një metodologjie që synon të gjejë antiprovën. Gjithë puna e Prokurorisë ka synuar jo të vërtetojë nëse vëllai i ministrit Xhafaj ka folur me Babalen, jo nëse vëllai i ministrit ka bërë trafik, jo nëse vëllai i ministrit ka pasur kontakte me trafikantë, jo nëse vëllai i ministrit ndihmohej nga Policia, jo nëse vëllai i ministrit ka pasuri që mund të vijnë nga trafiku etj.. Gjithë puna e Prokurorisë ka synuar të vërtetojë se PD gënjeu, se PD bëri komplot, se deputeti Salianji apo gazetari Olldashi sajuan një komplot.

e tij në pyetje, mosmarrja e tij në hetim, mosverifikimi i ekspertizës ndërkombëtare, që bëri Kryeministri natën pa zërin origjinal të vëllait të ministrit, pa kasetën origjinale, mosverifikimi i pasurisë së Xhafajt etj., tregon se në hetim u synua antiprova. Edhe antiprova nuk u synua të jetë shkencore, nuk u synua të jetë përtej dyshimit të arsyeshëm. Fredi Alizoti, që, në fakt, është përpjekja për të gjetur antiprovën u kthye në antiprovë të antiprovës. Deputeti Salianji publikoi një video ku Fredi Alizoti bisedon me dikë ku thotë se është marrë me makinë nga drejtori i përgjithshëm i Policisë dhe e kanë çuar në Prokurori. Thotë se i kanë ofruar para, se e kanë kërcënuar etj.

Kjo është shkatërrimtare për përpjekjen e Prokurorisë për të sajuar një antiprovë. Pra, jo vetëm që dëshmia e tij në Prokurori nuk është provë shkencore dhe përtej dyshimit të arsyeshëm, por ajo krijon dyshim të arsyeshëm se është antiprovë, duke qenë se ai në kushte të tjera ka thënë diçka tjetër. Pikërisht për shfaqjen më të qartë të luftës së Prokurorisë për të gjetur një antiprovë ndaj PD, Prokuroria bëhet edhe më e egër me PD. Tashmë, ata që thonë se Prokuroria është në varësi të qeverisë, janë gabim. Prokuroria nuk është në varësi të qeverisë, por në varësi të forcave që kanë degraduar qeverinë dhe politikën në veprimtari plaçkitjeje, dhune, dominimi dhe krimi.

Në këtë moment do të duhej të vendoste një tjetër mekanizëm kontrolli që është Gjykata. Është e kotë të marrim në analizë Gjykatën, dihet. Ajo është e sulmuar, e korruptuar dhe nën presionin e qeverisë, ndërsa Gjykata e lartë dhe ajo Kushtetuese nuk ekzistojnë fare.

I vetmi mekanizëm kontrolli që mund të ndihmonte do të ishte media, gazetarët, analistët, bota universitare. Në fakt, në një masë të madhe, analistët e medias, bota universitare ose janë të heshtur, ose sulmojnë opozitën, mbrojnë antiprovën, duke i shërbyer shndërrimit të politikës në një veprimtari plaçkitjeje, dhune dhe krimi.

Ndryshe nga politika që, për definicion, rreket të zgjerojë pushtet, të bëhet e padrejtë, të përdorë gënjeshtrën deri edhe krimin, media dhe bota universitare, për definicion, rreket të thotë të vërtetën, të mbrojë të drejtën, të ndjekë parimet dhe jo interesin e pushtetit. Për këtë arsye, mediat në vendet demokratike janë në luftë me qeveritë, me krimin, me korrupsionin, me politikën e keqe etj.. Për këtë arsye, media dhe bota universitare shkruan dhe flet kundër korrupsionit, kundër krimit, kundër atyre politikave dhe politikanëve, që nuk kanë në qendër interesin e njerëzve, por interesin meskin.

Në vitin 1953, Czeslav Milosz, një shkrimtar dhe filozof i njohur polak, shkroi librin “Mendja e robëruar” për të shpjeguar se pse intelektualë, opinionistë apo gazetarë të ndryshëm, mbronin regjimin komunist dhe stalinizmin. Milosz shkroi me hollësi se “detyrimi” dhe “lakmia personale” pati një rol të madh në transformimin e tyre ideologjik. Pra, gjoja, ata u bënë stalinistë për shkak se ishin të detyruar ose u shtynë nga lakmia personale. Por Milosz vuri re se shumë prej tyre u bënë mbështetës të zellshëm të stalinizmit, jo thjesht për përfitime materiale (që i morën) dhe as se ishin të detyruar. Milosz tha se “dëshira e thellë e intelektualëve, analistëve, opinionistëve të tjetërsuar për t’u përkitur masave, për të qenë të pëlqyerit e masave, për të qenë të pëlqyerit e liderit, për të qenë njerëz të rëndësishëm të shoqërisë, ishte arsyeja bazë. Kënaqja e ambicies personale, dëshira për përfitim material është vetëm shenja e jashtme dhe e dukshme e këtij përdorimi”.

Ne jemi pikërisht në këtë gjendje sot. Mediat, analistët, bota universitare në Shqipëri është kthyer (me pak fare përjashtime) në një trupë njerëzish oportunistë dhe as që mund të dalë të thotë se kjo që po ndodh me mbrojtjen e Xhafajt dhe Ramës, qeverisë është e pamendueshme. Është e tepërt t’ia kërkosh asaj këtë gjë sot. Duke qenë kështu problemi do të shihet te PD, ajo do të sulmohet dhe Prokuroria nuk do të kërkojë asnjëherë prova kur në diskutim janë çështje kundër qeveritarëve, por do të kërkojë antiprova kundër qeverisë. Edhe një pjesë e madhe e mediave, analistëve dhe intelektualëve do të bëjnë po këtë gjë deri në një pikë të caktuar. Çdo cikël i tillë qeverisjeje mbaron shpejt ndonëse gjatë kohës, që është gjallë dhe i fortë, duket i palargueshëm. Kjo është parë gjithnjë në histori.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *