“Prokurorë në listë-pagesat e klanit Xhafaj”, për kë flet Lulzim Basha

Nga Boldnews.al

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi se “..ka prokurorë që janë në listë-pagesën e klanit kriminal Xhafaj-Murataj”, të cilët tani po përdoren Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama për të shkatërruar hetimin për trafikun e narkotikëve që zhvillohet nga Agron Xhafaj”.

Këtë deklaratë të fortë, lideri i opozitës i bëri në një takim me gazetarët, pak orë pasi Prokuroria për Krime të Rënda vendosi të arrestonte Albert Veliun, njeriun që denoncoi përfshirjen e vëllait të Ministrit të Brendshëm në aktivitetin e trafikut të narkotikëve.

Basha nuk publikoi emra konkretë prokurorësh, por lista e tij duket se përfshin drejtuesit e Prokurorisë për Krime të Rënda dhe prokurorët që nisën, të paktën fillimisht, hetimin mbi Agron (Geron) Xhafaj.

Prokuroria për Krime të Rënda, e drejtuar nga Donika Prela, vendosi që të mos vijojë hetime për vëllain e ministrit Xhafaj, duke u fokusuar tek denoncuesi Veliu. Qëllimi i këtij hetimi, të zhvilluar nga prokurorët Gentian Osmani dhe Përparim Kulluri, doli i qartë nga aktet që janë publikuar së fundmi në media.

Në bazë të këtyre akteve, në hetimin e nisur për “Trafik narkotikësh” ndaj Agron (Geron) Xhafaj, nuk ka asnjë të dhënë për vëllain e ministrit. Për 5 muaj, dy prokurorët, Osmani e Kulluri janë munduar që të krijojnë prova, në bazë të të cilave të nxjerrin denoncuesin si “kallëzues të rremë”.

Pikërisht, treshja Prela-Osmani-Kulluri konsiderohen nga opozita si prokurorët përgjegjës për shkatërrimin e hetimeve për vëllain e Fatmir Xhafaj, pavarësisht se Basha nuk përmendi emra konkretë.

Krahas emrave që janë marrë në mënyrë të drejtëpërdrejtë me çështjen e Agron (Geron) Xhafaj, janë edhe të tjerë prokurorë, të cilët nuk e kanë aspak problem të deklarojnë edhe hapur afërsinë e tyre me Partinë Socialiste.

Disa prej këtyre prokurorëve gjenden edhe në listën e “të penalizuarve” nga Arta Marku pas debateve që zhvilluan rreth 3 javë më parë me drejtuesen e tyre, Donika Prela. Burime nga kjo prokurori deklarojnë se “masat penalizuese” ndaj disa prej prokurorëve të afërt me Partinë Socialiste ishin një mënyrë për të kamufluar qëllimin e vërtetë të “konfliktit të sajuar”-shkatërrimin e grupit hetimor të dosjes “Tahiri-Habilaj”.

Por, burime nga opozita, flasin se lista e prokurorëve që përfshihen në “borderotë” e Fatmir Xhafaj është e gjatë. Disa prej këtyre prokurorëve, sipas burimeve opozitare, janë njerëz shumë pranë Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku. Kjo e fundit ka afruar në Prokurorinë e Përgjithshme rreth 20 prokurorë nga rrethet, një pjesë e të cilëve janë miq e mikesha të saj, ndërsa një pjesë janë “prurje politike” dhe kryesisht nga Fatmir Xhafaj.

Gjithashtu, “lista e miqve prokurorë” të ministrit të Brendshëm është shtrirë edhe në prokuroritë kryesore të vendit. Në Elbasan, një zonë shumë e nxehtë kriminale, Xhafaj mendohet se kontrollon disa pika kyçe të Prokurorisë. Madje, edhe disa lëvizje kuadrit, në dukje të çoroditura të Arta Markut në Prokurorinë e Elbasanit, mendohet se janë kryer nën ndikimin e ministrit të Brendshëm.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme shprehin bindjen se në prokurori rrethesh, ku përfshihen ajo e Tiranës, Fierit, Durrësit, Shkodrës e Kukësit, etj, lëvizjet e Arta Markut janë kryer në konsultim me Ministrin e Brendshëm.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here