Një 28-vjeçar nga fshati Aliaj në Malësinë e Madhe është vënë në pranga ditën e sotme, pasi akuzohet për vjedhje me dhunë. Sipas policisë së Shkodrës, 28-vjeçari Albion Shabaj, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, me një automjet në përdorim të tij, duke transportuar 6 shtetas të huaj nga vendet e treta me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit, në lagjen Pepaj, fshati Hot, Malësi e Madhe, nën kërcënimin e armës u kanë marrë disa shtetasëve pakistanezë 780 Euro, 2 aparate celularë, dhe 6 çanta shpine.
Pas hetimit, uniformat blu bënë të mundur identifikimin dhe arrestimin e 28-vjeçarit Shabaj, ndërsa po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarje.
Sakaq, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar automjeti me të cilin shtetasi i arrestuar po transportonte shtetasit e huaj, si dhe po punohet për gjetjen e automjetit tjetër.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprat penale të “Vjedhje me dhunë” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.