Qeveria bllokon kompensimin e pronarëve

Ish të përndjekurit politikë nuk janë kategoria e vetme, për të cilët qeveria thuajse ka bllokuar plotësisht fondet për kompensim. Të njëjtin fat kanë pësuar edhe pronarët. Të dhënat zyrtare nga  buxheti i shtetit, tregojnë se për 7 muajt e parë të vitit, fondet e dhëna për kompensimin e pronarëve kanë rënë gati me tre herë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave statistikore të publikuara nga Ministria e Financave për Janar-Korrik të këtij viti, shifra që buxheti i shtetit shpërndau si kompensim për pronarët zbriti në 1.3 miliardë lekë, kur në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u shpërndanë 3.7 miliardë lekë.

Tre vjet më parë kur ndryshoi ligjin për kompensimin e pronarëve, qeveria pati deklaruar se do të shpërndante 5 miliardë lekë në vit, për dhjetë vite me radhe me qëllim që të përmbyllte përfundimisht proçesin e kompensimit të pronarëve. Por ligji u zbatua vetëm një vit, në 2016-ën, ndërkohë që më pas shifra e dhënë ka qenë dukshëm poshtë nivelit 5 miliardë lekë.

Por kompensimi në vlerë nuk është instrumenti i vetëm, i bllokuar. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me kompensimin fizik, pasi tokat e lira, veçanërisht ato në bregdet, qeveria po i tjetërson nën pretekstin e investimeve strategjike, duke ja u dhënë një sërë bizneseve, shpesh të lidhura me të, ndërkohë që pronarët mbeten të pakompesuar.

Siç duket qeveria ka vendosur të bllokojë edhe kompensimin e pronarëve njësoj siç bëri me atë të të përndjekurve politikë. Pak javë më parë mediat publikuan përgjimin e një bisede, ku nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, i kërkonte gjykatësit të Strasburgut Ledi Bianku, të bllokonte paditë nga pronarët shqiptarë në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut.

Deri në vitin 2016, Gjykata e Strasburgut e ka dënuar qeverinë shqiptare të paguajë rreth 50 milionë dollarë për të kompensuar pronarët. Por pas vitit 2016, paditë e pronarëve shqiptarë në Strasburg u bllokuan pasi qeveria miratoi ligjin e ri.

Prej dy vitesh në Strasburg nuk është zhvilluar asnjë gjyq pronash kundër Shqipërisë, por zyrtarisht bëhet e ditur se në total janë rreth 400 padi që presin të shqyrtohen. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me paditë e lëna pezull, por mosrespektimi i ligjit për kompensimin e pronarëve nga qeveria shqiptare mund ta hapë një tjetër valë gjyqesh në Strasburg, të cilat mund të kenë një kosto jo të vogël për buxhetin dhe taksapaguesit shqiptarë.

Image

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *