Më 10 shtator do të nisë testimi pa pagesë i sistemit për mbledhjen e tarifës në rrugën e Kombit. Kompania që ka marë me koncension këtë shërbim, ka nisur përgatitjet e duhura në 7 sportelet e vendosura në afërsi të tunelit të Kalimashit.
Në rrugën e Kombit kompania koncensionare po bën përgatitjet e fundit për të rinisur pagesën e kalimit, data e së cilës nuk ka ndryshuar, pra është 17 shtatori. E gjithë struktura e vendit të pagesës është ndërtuar bashkë me zgjerimin e zonës dhe se aktualisht po bëhet trajnimi i 30 punojësve, të gjithë nga Kukësi, nga inxhinierë italianë.
Pavarësisht nga protestat e dhunshme të disa muajve më parë, që sollën pezullimin e projektit koncesionar, qeveria është e vendosur ta verë në jetë atë duke filluar nga 17 shtatori, në përfundim të sezonit turistik.
Për banorët e Kukësit është përpunuar një paketë lehtësirash, që përfshin një tarifë prej 100 lekësh me TVSH për çdo kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës.
Ajo do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës njëmujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime.
Karta përkatëse do të blihet me parapagim. Kjo skemë ka të bëjë me makinat tip veturë familjare, që janë regjistruar për përdorim vetjak të qytetarëve.
Sa i përket linjave të transportit interurban, deri tani janë identifikuar 11 linja të licensuara autobusësh që kryejnë udhëtime nga dhe për në qytetin e Kukësit. Për të eleminuar efektin e tarifës në koston e udhëtimit të banorëve të Qarkut Kukës, këto linja do përfshihen në skemën preferenciale, me tarifë kalimi prej 100 lekësh me TVSH për 1 kalim.
Tarifimi i përdoruesve të shpeshtë të rrugës, pavarësisht vendosjes së tyre (kryesisht bizneset nga Shqiperia dhe Kosova), do të kenë trajtimin: Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, ka 10 për qind zbritje; mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, zbritja shkon në 20%; mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30% dhe mbi 60 kalime në muaj, zbritja arrin në 40% të tarifës.
Tarifat bazë janë për motorrin 2.5 euro, veturë 5 euro, autobusë dhe kamionçina 11.2 euro, kamionët e mesëm 16.2 euro dhe kamionët e rëndë 22.5 euro. Sipas përllogaritjeve gjatë një dite, në këtë rrugë, lëvizin rreth 5.000 automjete.