Ka nisur në Kryesinë e Kuvendit mbledhja e Konferencës së Kryetarëve. Mbledhja është thirrur nga kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe vjen pas dy mbledhjeve të grupeve PS, PD.
Burime nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve bëjnë me dije se opozita po denoncon kriminalitetin dhe vrasjet e fundit në vend. Kryedemokrati Lulzim Basha mblodhi sot deputetët ku ndau porositë se ku do përqëndrohet aksioni opozitar, dhe siç ishte e parashikuar, nisja ka filluar që në këtë konferencë. Bashkë me PD-në, në konferencë ndodhet edhe LSI. Kryetari parlamentar i grupit të PD-së, Edmond Spaho ka thënë se deputeti socialist.Taulant Balla s’duhet të ishte prezent në këtë konferencë.
“Qeveria drejtohet nga krimi e droga. Deputetët janë të lidhur me krimin. Reforma në drejtësi ka dështuar, vendi është pa gjykata. Balla është i lidhur me krimin, e me të dënuar për drogë. S’duhet të ishte pjesë e konferencës së Kryetarëve bazuar edhe në ligjin e dekriminalizmit. Miratoni dekretin e Presidentin dhe rrëzoni ligjin e Ramës për Teatrin”.
Ndërsa deputeti socialist, Eduart Shalsi ka kërkuar shtyrjen e shqyrtimit të ligjit për Teatrin, përtej datës 13 shtator që ishte e parashikuar.
Deklaratat e PD-së për krimin dhe vrasjet, vijnë pas disa vrasjeve në Shkodër, ende të pazbardhura. Në vetëm 2 muaj, në Shkodër ka patur 5 vrasje, më e fundit ajo e Arjan Ferracakut, ndërsa 2 persona, daja me nipin janë denoncuar të zhdukur prej disa ditesh dhe ende s’dihet asgje per fatin e tyre.