Papërgjeshmëria e Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, ngel në klasë Shqipërinë

Nga Boldnews.al

Ëndrra për financime dhe investime të huaja ndërpritet, Shqipëria rifutet në “listën e zezë”.

Moneyval është mekanizmi i përhershëm monitorues i Këshillit të Europës, me 47 anëtarë, që raporton drejtpërdrejtë pranë Komitetit të Ministrave dhe ka detyrën e vlerësimit të përputhshmërisë së shteteve me standartet ndërkombëtare për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, dhe bën njëkohësisht vlerësimin e masave efektive për implementimin e këtyre standardeve.

Në datat 2-6 Korrik, u mbaj në Strasburg Seanca e 56 Plenare e Komitetit të Ekspertëve të Vlerësimit të Luftës për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit (Moneyval), ku u përfundua vlerësimi i Shqipërisë dhe Letonisë.

Ndërsa publikimi i Raportit të Shqipërisë duket se do të vonojë, lajmi i futjes së Shqipërisë nën vëzhgim për mospërmbushje të garancive dhe standardeve që kërkon lufta kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit u konfirmua gjatë seancës plenare.

Në Raport dhe komentet e delegacioneve përfaqësuese të shteteve anëtare, korrupsioni, krimi i organizuar, mungesa e hetimeve efikase nga ana e prokurorisë dhe agjencive ligjzbatuese për luftën kundër financimit të terrorizmit, ekonomia informale dhe mungesa e kontrollit të Bankës së Shqipërisë mbi subjektet që licencon, ishin arsyet që bënë Shqipërinë të rifutet në

“listën e zezë”. Tashmë, FATF do të monitorojë nga afër vendin, për një periudhë kohore dhe nëse nuk përmbushen masat e rekomanduara, Shqipëria do të vijojë të konsiderohet vend i pasigurt për investimet e huaja.

Penalizimi i rëndë dhe dëmi i ardhur interesave të shtetit shqiptar, po mbahet i fshehtë nga Ministri Arben Ahmetaj, i cili në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, dhe Bankën e Shqipërisë, manipuloi me qëllim të dhënat dhe statistikat e raportuara ekspertëve të huaj vlerësues, të cilët gjatë vizitës në terren, konstatuan mospërputhje të shifrave dhe të dhënave që kishin administruar zyrtarisht.

Nuk dihet ende nëse kjo situatë u shkaktua nga papërgjegjshmëria e stafit rozë të Ministrit Ahmetaj, apo u bë me qëllim të qartë për përfshirjen e Shqipërisë në listën e vendeve jo të sigurta, dhe përdorimin e rekomandimeve të ekspertëve të Këshillit të Europës si pretekst për ndryshime ligjore dhe organizative, për përforcimin e kompetencave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, së bashku me ato të Bankës së Shqipërisë.

E ndërsa qëllimi mbetet akoma i dyshimtë, pasojat janë më se të qarta. Një sërë penalitetesh financiare e presin Shqipërinë, duke e shenjuar sot si një parajsë në zemër të Europës për pastrimin e parave.

Dhe nuk ka si të ndodhë ndryshe, kur Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, prej kohësh nuk kryen funksionin që i ka ngarkuar ligji, por është shndërruar në një “tigër” sulmues ndaj bizneseve, nën urdhërimet dhe sipas interesave të ministrit Ahmetaj. Ky i fundit, i cili në fakt është i pari ministër financash në 26 vjet që e “ngec” duke e kthyer mbrapsht  ingranazhin monitorues europian për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në Shqipëri, për klimën “e butë” dhe benefitet që i ka sjellë krimit financiar në vendin tonë, meriton të shpërblehet nga partnerët e huaj me një post më të fuqishëm ministri dhe jo më në Shqipëri, por në Eurozonë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *