Shpejtësia në qarkullim shkaktoi dje dy aksidente të rënda në Librazhd dhe Elbasan, me pasojë plagosjen e 15 personave. Një prej aksidenteve ka ndodhur në aksin rrugor Librazhd- Përrenjas, ku nga përplasja e dy makinave u plagosën gjashtë persona, tre prej të cilëve anëtarë të së njëjtës familje.
Disa orë më pas, një tjetër aksident me pasojë plagosjen e 9 personave ndodhi në aksin Elbasan- Librazhd. Sipas Policisë, një mikrobus është përplasur me një “Land Rover”, ndërsa shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë shpejtësia e madhe e të dy mjeteve. Fatmirësisht, në të dy aksidentet e ndodhura, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
“Rruga e saposhtruar shkaktoi 3 aksidente”
Lufti Arapi, një ndër banorët e fshatit Arapaj ku ndodhi aksidenti me dy të vdekur, ka treguar se shtrimi i rrugës ka qenë një ndihmë e madhe për zonën, por kjo solli edhe rrezikun për ta.
Sipas tij, në një muaj që është bërë rruga, janë shënuar tri aksidente rrugore. Kjo ishte më e rënda që ndodhi.
“Nuk dimë se çfarë të themi. Kishim kohë që e kërkonim të na bëhej kjo rrugë se ishte shumë e keqe dhe na izolonte. Tani që mbaroi rruga, po rrezikojmë jetët tona. Shoferët nuk janë mësuar me këtë rrugë.
Ata ishin mësuar me rrugën e vjetër. Tani ecin me shumë shpejtësi. Rruga ende nuk ka mbaruar vendosjen e sinjalistikës dhe kjo ka sjellë këto problematika. Fajin të gjithë e kanë shoferët. Nuk ka faj rruga. Duhet kujdes.
Tri aksidente janë bërë këto ditë që rruga u shtrua. Nuk dimë çfarë të themi. Tani fillon edhe shkolla. Ajo është 100 metra nga rruga a më pak. Rrezik i madh do jetë për fëmijët. Duhen marrë masa”, shprehet banori.