Deputeti Murrizi, demokrati “i flaktë” që flirton me të majtët për milionat e tij

Nga Boldnews.al

Myslim Murrizi, deputeti opozitar, që tregon veten si “demokrat i flaktë” vetëm kur bën zhurmë në rrjete sociale dhe përplaset me policinë rrugore, në fakt e gjen më së miri gjuhën e kompromisit me të majtët  kur i duhet të ruajë milionat e biznesit të tij.

Deputeti Murrizi është një prej aksionerëve kryesorë të televizionit kabllor “TV-Blu”, me qendër në Kavajë. Ai e ka ngritur këtë biznes, së bashku me persona të tjerë të familjes Murrizi. Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), ky biznes ka nisur funksionimin në vitin 2008.

Në shkurt të vitit 2016, Autoriteti i Media Audio-vizive (AMA), i drejtuar nga Gentian Sala, i zgjedhur në atë detyrë nga Partia Socialiste, i vendos gjobë 10 milionë lekë (të vjetra) televizionit të Murrizit, “TV-BLU”. Kjo gjobë u vendos pasi një grup inspektimi i AMA-s zbuloi një seri shkeljesh nga drejtuesit e televizionit.

Në fakt, në dokumentat që gjenden të publikuar në QKR, nuk është qartësuar se përse është gjobitur televizioni i Murrizit. Por, nisur nga lloji i televizionit, niveli i gjobës dhe masat e ngjashme të marra nga AMA për televizione të tjera, krijohet bindja se grupi i inspektimit të AMA-s ka konstatuar raste piratimi të programeve dhe filmave. Bazuar në shkeljet e gjetura, AMA, me vendim nr. 18. Dt.14.02.2016 vendos gjobitjen me 10 milionë lekë të vjetra.

Myslim Murrizi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk pranojnë të paguajnë këtë masë penalizuese. AMA i drejtohet Gjykatës Administrative, e cila, me vendimin nr. 654, dt. 14.05.2017 vendos sekuestron mbi pasuritë e “TV-Blu” të Murrizit, derisa ky i fundit të bindet të paguajë gjobën ndaj AMA-s.

Në zbatim të këtij vendimi, përmbaruesi gjyqësor lëshon urdhërin e ekzekutimit në dt. 17.07.2017. Sipas këtij urdhëri, të cilin e disponon “Boldnews.al” përmbaruesi vendos sekuestrimin e aksioneve të televizionit, si edhe ndalon tjetërsimin, shitjen e tyre. Urdhëri për sekuestrimin i është dërguar 16 bankave të nivelit të dytë, Zyrës së Hipotekës dhe Qendrës Kombëtare të Regjistrimit.

Vendimi i përmbaruesit ka dalë vetëm pak ditë pasi Myslim Murrizi ishte shpallur deputet fitues në listën e Partisë Demokratike, në Lushnje. Ky zhvillim politik duket se ka ndikuar pozitivisht më tej edhe në rrjedhën e biznesit të Murrizit.

Pasi gjykata urdhëroi sekuestron e “TV-BLU” dhe përmbaruesi bllokoi asetet dhe aksionet e biznesit të Murrizit, AMA, në mënyrë të “çuditshme”, vendos të tërhiqet nga vendimi i saj. Vetëm pak ditë pas Murrizi ishte ulur në karrigen e deputetit, Autoriteti i Mediave Audiovizive vendos të shfuqizojë vendimin e saj për gjobitjen e biznesit të Murrizit.

Në dt. 29.09.2017, AMA i dërgon një shkresë zyrtare përmbaruesit, ku i kërkon të heqë sekuestron ndaj aseteve dhe aksioneve të “TV-BLU” të Myslim Murrizit. Këtë kërkesë, AMA e argumenton se ajo ka vendosur që të shfuqizojë vendimin nr. 18. Dt. 14.02.2016 për gjobitjen me 10 milionë lekë të televizionit të deputetit demokrat.

Është tërësisht e paqartë se përse AMA, e drejtuar nga “i majti” Gentian Sala vendos të tërhiqet nga një vendim i saj, i marrë rreth 18 muaj më parë, për më tepër që ka ndjekur edhe rrugën gjyqësore për të siguruar arkëtimin e shumës së gjobës të vendosur ndaj biznesit të Myslim Murrizit. A ka pasur lidhje kjo tërheqje me faktin që Myslim Murrizi u bë deputet? Dhe, nëse po, çfarë i është kërkuar Murrizit, në këmbim të heqjes së gjobës?

Natyrisht, përgjigjet e këtyre pyetjeve i ka vetëm deputeti “i djathtë i flaktë” Myslim Murrizi, i cili, mesa duket, për të ruajtur milionat e biznesit të tij, nuk e ka aspak problem të gjejë “kompromisin” me ata që në rrjete sociale dhe lokale i konsideron si “armiqtë e majtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *