Myslym-llëk në kohën e Umberto Eco-s

Nga Boldnews.al

Shkrimtari Italian me famë botërore, Umberto Eko ishte i mendimit se interneti u dha idiotëve të drejtën e fjalës. Sipas tij, këta (idiotët) flisnin vetëm në bare dhe menjëherë u mbyllej goja.

Natyrisht, i madhi nuk e kishte për deputetin shqiptar Myslym Murrizi, pasi nuk ka pasur shansin sa ishte gjallë që të takonte politikanin lushnjar. Me shumë mundësi, as Murrizi nuk ka dëgjuar ndonjëherë për një “Eco… eco nga Italia”, pasi, në të kundërt, do ia kishte vënë veshin fjalëve të shkrimtarit dhe nuk do të ulej para kompjuterit për të shkruar “xhevahire baresh”.

Myslym Murrizi, për ata pak shqiptarë që e njohin vetëm për sherret dhe fjalorin vulgar vend e pa vend, është një nga 140 njerëzit që ulen në seancat parlamentare të enjteve, në Kuvendin e Shqipërisë. Është nga ata që nuk i ndihet zëri, jo se mendohet shumë për të thënë diçka, por e mendon se është më mirë të mos hapë gojën.

Ai sot është përfaqësues i opozitës, e cila po përgatit aksionin e saj të madh për të marrë pushtetin. Natyrisht, Murrizi synon të lërë gjurmën e tij në veprimtarinë opozitare. Por, duket qartë se atë nuk e merr askush me seriozitet në selinë blu. Ai nuk paraqitet asnjëherë publikisht nga foltorja e partisë dhe as nga ajo e Parlamentit.

E këto defiçensa (mangësi për “Murrizët) ai mundohet t’i plotësojë në rrjete sociale, ku herë pas here publikon mufka, të cilat shpjegojnë më së miri se përse ai nuk mund dhe nuk duhet lënë të flasë në publik dhe të përfaqësojë opozitën. Myslym Murrizi është rasti tipik i atyre njerëzve, për të cilët fliste Umberto Eco.

Myslym Murrizi është një nga ato “gabime” për të cilat foli kryetari i PD-së, Lulzim Basha, kur bëri “mea culpa-n” e tij pas humbjes së rëndë në zgjedhjet parlamentare të qershorit 2017.

Murrizi ishte kryetar i PD-së në Lushnje dhe një prej njerëzve që premtoi se do të merrte shumë vota për opozitën, kur ajo ishte në një moment shumë të vështirë. Në tre muajt e fundit para zgjedhjeve të përgjithshme, Partia Demokratike hyri në protestën më të madhe opozitare, në “Çadër”, e vendosur për të bojkotuar procesin zgjedhor që pritej të manipulohej nga Edi Rama, siç edhe ndodhi në realitet.

Protesta e gjatë dhe me nerva u thye vetëm nga ndërhyrja e fortë e ndërkombëtarëve, të cilët zgjodhën stabile-kracinë për Shqipërinë, para demokracisë. Në këto erëra të forta kundër opozitës, lidershipi i saj u gjend në kushtet e emergjencës për të përgatitur listat e kandidatëve për deputetë. Si çdo gjë e kryer me emergjencë, edhe lista e PD-së kishte probleme të theksuara, ku një ndër rastet më tipike shënohet vendosja e Myslym Murrizit në listën fituese për deputetë.

Sot, ky Murriz, i bindur se e meriton të jetë në sallën e Kuvendit dhe të përfaqësojë vlerat opozitare, fatkeqësisht nuk ka kuptuar “abc-në” e politikës, por jo vetëm të saj-komunikimin dhe sjelljen korrekte në radhë të parë si qytetar dhe më tej si politikan.

Shumë njerëz sot, edhe ata që kanë votuar Edi Ramën, janë të lodhur nga arroganca e tij dhe shpresojnë në një frymë të re qeverisëse nga opozita. Është detyrë e kësaj të fundit të përcjellë mesazhe positive tek qytetarët, tek votuesit. Kjo frymë, në mënyrë absolute, nuk mund të përcillet nga kategoria e “Murrizëve”. Do të ishte fatkeqësi, jo vetëm për opozitën, por edhe për qytetarët shqiptarë që partia e parë opozitare, ajo që ka shërbyer si shpresë në periudha diktaturash apo oligarkie, të vijojë të përfaqësohet nga lloji Myslym Murrizi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *