Vetëm dje në një konferencë për shtyp, presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis nuk i kurseu kritikat për skuadrën e Romës dhe veçanërisht për mënyrën sesi ajo po vepronte në merkato.
Bosi napolitan shkoi edhe më tej, teksa tha se “dikur një zog i kishte thënë se Roma dhe Liverpooli kanë të njëjtin pronar”, ndaj edhe verdhekuqtë kanë shitur yjet e tyre te skuadra nga “Anfield Road”.
Por e menjëhershme ka qenë edhe përgjigja e bosit amerikan të Romës, James Pallotta, i cili ka përdorur edhe ironinë me kolegun e tij te Napoli.
“Po çfarë pi ky De Laurentiis? Le të flasë edhe njëherë me atë zogun, se ndoshta i thotë që kemi edhe Bayernin e Barcelonën”, tha bosi i verdhekuqve, duke ironizuar jo pak me De Laurentiis.
Kujtojmë që numri 1 i Napolit tregoi e i kishte ofruar 60 milionë euro Romës, për të blerë portierin brazilian Alisson, por që verdhekuqtë e kishin refuzuar prerazi.