Korrupsioni në Gjykatën e Lartë, si u shmang Artan Broci nga hetimi i Krimeve të Rënda

Nga Boldnews.al

Rreth një vit më parë, Gjykata e Lartë dha vendimin për një prej skandaleve më të mëdha që përfshiu vetë institucionin më të lartë të drejtësisë në vend. Majlinda Andrea, anëtare e Gjykatës së Lartë, u dënua nga kolegët e saj për “korrupsion pasiv”, pasi u kishte marrë 50 mijë euro disa personave, në këmbim të një vendimi në favor të tyre, gjatë një procesi civil për çështje pronësie.

Dënimi i Majlinda Andreas përbënte rastin e parë në historinë e Shqipërisë të dënimit të një gjyqtareje të lartë. Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi një hetim 3-mujor, në të cilin arriti të provonte se gjyqtarja dhe bashkëshorti i saj ishin përfshirë në një veprim korruptiv me shuma të konsiderueshme parash.

Gjithësesi, pasi u zbardh vendimi i Gjykatës së Lartë për dënimin e Majlinda Andreas dhe persona të tjerë të përfshirë, ajo që u kuptua ishte dyshimi që Prokuroria nuk ka kryer veprime të plota. Rezulton që prokurorët nuk kanë shtrirë hetimet edhe tek anëtarët e tjerë të trupës gjykuese, të cilët, së bashku me Andrean, kanë dhënë vendimin në favor të personave që ofronin paratë.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë tregohet se Majlinda Andrea ishte anëtarja më e thjeshtë e trupës gjyqësore, e cila kishte si kryesues Artan Brocin dhe relator Admir Thanzën. Për gjyqtarët Broci e Thanza, prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim hetimor, pavarësisht se pesha e tyre specifike ishte shumë më e madhe se sa ajo e anëtares Majlinda Andrea.

Për më tepër, duke ndjekur dinamikën e zhvillimeve në atë rast, krijohen dyshime të forta se Prokuroria për Krime të Rënda, me dashje ka shmangur nga hetimi gjyqtarët Artan Broci dhe Admir Thanza.

Në të gjithë dosjen gjyqësore, nuk rezulton që prokuroria të ketë kryer asnjë veprim hetimor, sidomos për kryetarin e trupës gjykuese, Artan Broci, edhe pse kishte krijuar dyshimet disa muaj para vendimmarrjes se shtetasit Ilia Çabiri, Eleni Lino po angazhoheshin që të gjenin zgjidhje në favor të tyre, në procesin në Gjykatën e Lartë.

Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin në maj 2016, në bazë të një informacioni që siguroi një oficer i Policisë Gjyqësore të atij institucioni, sipas të cilit personat e interesuar po synonin të korruptonin anëtarët e Gjykatës së Lartë. Pasi u kryen veprimet e para proceduriale, prokurorët vendosën të regjistronin procedimin penal, por ende nuk kishin identifikuar se cilin apo cilët gjyqtarë po synonin të korruptoheshin.

Rreth dy javë pas nisjes së hetimit, prokurorët nisin të marrin rezultatet e para nga përgjimet. Panorama dukej e qartë- vendimi do të ishte në favor të personave të interesuar, kundrejt pagesës prej 50 mijë euro, pavarësisht se çështja nuk kishte nisur ende të shqyrtohej.

Në bazë të përgjimeve, prokurorët mësuan lidhjet ndërmjet Ilia Çabirit, Eleni Linos e Petraq Dashit me Odhise Andran, bashkëshortin e Majlinda Andreas, një prej anëtareve të treshes gjykuese. Pasi siguruan këto lidhje, prokurorët ndoqën këtë linjë, por ata, mesa duket, me dashje, nuk u zgjeruan edhe tek anëtarët e tjerë.

Trupa gjykuese përbëhej nga tre anëtarë dhe, nëse personat e interesuar do të siguronin vetëm votën e një prej tyre, Majlinda Andreas, logjikisht nuk do të duhet të arrinin të krijonin sigurinë që vendimi do të ishte në favor të tyre. Ishin edhe dy anëtarë të tjerë, të cilët, nëse do të votonin kundër, personat e interesuar do të humbisnin çështjen.

Por, në bazë të përgjimeve, rezulton se Ilia Çabiri, Eleni Lino dhe Petraq Dashi kishin siguri të plotë se vendimi i Gjykatës së Lartë do të ishte në favor të tyre. Pra, prokurorët, me shumë mundësi, do e kenë nuhatur se, së paku një prej dy anëtarëve të tjerë, Broci e Thanza, ose edhe të dy bashkë, do të ishin në krah të Majlinda Andreas. Por, siç rezulton nga dosja gjyqësore, nuk rezulton asnjë hetim ndaj Artan Brocit dhe Admir Thanzës.

Në datë 12 korrik 2016, ashtu siç rezultonte nga përgjimet që kishte në dispozicion Prokuroria për Krime të Rënda, trupa gjykuese e Gjykatës së Lartë, e përbërë nga kryetar Artan Broci, relator Admir Thanza dhe anëtare Majlinda Andrea vendosi në favor të personave që kishin paguar 50 mijë euro.

Në procesin gjyqësor, në përfundim të të cilit Majlinda Andrea e të tjerë u dënuan për korrupsion, kolegët e saj që dhanë të njëjtin vendim, Artan Broci dhe Admir Thanza ishin thjeshtë në cilësinë e dëshmitarit. Ata deklaruan, ashtu siç pritej, se nuk kishin asnjë dijeni që gjyqtarja Majlinda Andrea ishte përfshirë në veprime korruptive.

Loading...

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *