Toyota 3.4 mln euro/ Me Kryeprokuroren në krah, Taulant Balla nga i akuzuar kthehet në akuzues

Nga Boldnews.al

Taulant Balla fillimisht qeshi me ironi, ose, siç e përcaktoi Lulëzim Basha, u zgërdhesh, kur kryetari demokrat përmendi për herë të parë në Parlament se në Shqipëri po mbërrinin Toyota Yaris me disa milionë euro të padeklaruara në bordin e tyre.

Kur 4 ditë pas deklaratës së Bashës se këto para po mbërrinin nën garancinë e Taulant Ballës, policia zbuloi rreth 3.4 milionë euro në bordin e dy Toyota Yaris në portin e Durrësit, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste humbi për më shumë se 24 orë nga qarkullimi publik dhe mediatik.

Më pas, tashmë me sigurinë se nuk do të ishte i përfshirë në këtë histori, ai doli në rolin e triumfuesit, ku deklaroi se do të padiste për shpifje Lulëzim Bashën. Këtë të martë, Balla mori sërish pozën e një njeriu të vetëkënaqur, kur doli nga ambjentet e Gjykatës për Krime të Rënda, e cila e shtyu seancën e parë, për shkak se kreu demokrat ndodhet për një vizite pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo është pjesa e debatit politik dhe publik që në momentin e denoncimit në Parlament, e deri në daljen e radhës publike të Taulant Ballës. Por çfarë ka ndodhur me hetimin penal për trafikun e 3.4 milionë eurove dhe përse duket i qeshur Taulant Balla?

Lulëzim Basha ishte i pari që e denoncoi publikisht përgatitjen për trafikun, në atë kohë kur Policia shqiptare ende nuk kishte marrë informacion. Të dhënat tregojnë se Basha ishte informuar nga partnerë ndërkombëtarë, të cilët, me shumë mundësi, nuk kishin garanci se autoritetet policore shqiptare do të ndërhynin për zbulimin e këtij rasti.

Kreu demokrat foli me saktësi të plotë mbi trafikun, duke hedhur edhe dyshime se këto para ishin fitime të paligjshme të një grupi të fortë kriminal që ushtron aktivitet në Belgjikë e Hollandë, por me bazë në qytetin e Elbasanit, zonë nën protektoratin politik socialist të Taulant Ballës.

Pasi policia, me shumë mundësi e detyruar edhe nga partnerë ndërkombëtarë, zbuloi 3.4 milionë euro që po mbërrinin me traget në Portin e Durrësit, çështjen e mori në dorë Prokuroria e Durrësit. Hetimet paraprake të zhvilluara nga prokurorja Ornela Rrumbullaku, një prej “zbulimeve” të Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku, arrestuan vetëm shoferët e transportit dhe shpallën në kërkim dy persona nga Dibra.

Në këtë mënyrë, prokuroria e Durrësit fillimisht shpërndau mjegullën e ngritur mbi Taulant Ballën. Më tej, çështja kaloi te Prokuroria për Krime të Rënda, e drejtuar nga Donika Prela, një tjetër mikeshë e Arta Markut, e vendosur në atë pozicion në mënyrë të kundërligjshme nga Kryeprokurorja e Përkohshme.

Pra, cikli u mbyll. Fillimisht, policia, nën ndikimin e partnerëve ndërkombëtarë u detyrua të zbulojë ngarkesën “e garantuar” me miliona euro. Më tej, mikeshat e Kryeprokurores, e cila u zgjodh vetëm me votat e Partisë Socialiste të Taulant Ballës, nisën dhe po vijojnë hetimet për këtë rast të veçantë trafiku.

Për këto arsye, edhe nëse Taulant Balla do të ketë qenë i përfshirë në këtë rast trafikimi, kjo nuk ka për t’u zbuluar nga drejtueset aktuale të Prokurorisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here