Do të thonë se Teatri nisi në 2020, jemi si gjarpri që fshin gjurmët me bisht

Nga Artan Fuga

Lidhur me dëshirën pa fre të pushtetit për të shkallmuar ndërtesën e Teatrit nuk ka asnjë çudi. Pushteti dhe Teatri qysh nga koha e Antikitetit kanë qenë në armiqësi me njeri tjetrin. Jo vetëm pushteti shtetror por edhe çdo lloj pushteti, ai i familjes patriarkale, i burrit mbi gruan, i prindërve mbi fëmijët që rriten e nuk duan të trajtohen më si kalamaj.

Që nga Mbreti Lir, nga Prometheu i Lidhur, te Lorezançio, te Huis Clos, te Arturo Ui, te Wilhelm Tel, kudo, keni Teatrin që i del Zot qytetarëve përballë pushtetarëve në marrëzinë e të konsideruarit të vetvetes si Zot! Dioniziak, pra që fshin dallimet mes njerëzve duke i bashkuar njerëzit në një solidaritet tërësor, apo Apollonian si kult i së bukurës, dy parimet e estetikës skenike, të dy e konsiderojnë pushtetin si një kafshë që duhet mbajtur në kafaz e nën kontroll.

Sepse pushteti të ruan por edhe të ha! Prishini edhe amfiteatrot antike, zënë tokë buke shpesh, mbillni fasule në vend të tyre, ndërtoni kalçeto moderne mbi to të luajnë çunat e lagjes me nga pesë birra kush fiton, çfarë na duan amfiteatrot antike përpara shkallareve që u lyen me gëlqere aty te nevojtoret e Liqenit artificial, pellgut pis e baltovinë, të Tiranës?

Ky Teatër që u ka dalë për Zot qytetarëve, sot kërkon që qytetarët t’i dalin për Zot Teatrit. Nuk është thjesht ndërtesa, është gjurma në histori e Teatrit në historinë shqiptare. Kur filloi Teatri në Shqipëri?

Ja sikurse sot që kur flasin te sheshi ku do të ndodhi krimi kulturor nën peshën e buldozerëve dhe eskavatorëve, harrojmë teatrin shqiptar të klubeve dhe shoqatave, të shkollarëve të viteve 20 dhe 30, dhe kujtojmë se Tetari ka filluar pas Luftës së Dytë Botërore.

Nuk ka pasur njerëz ndoshta fare përpara vitit 1945???

Nuk thotë njeri se amfiteatret antike në Apolloni, në Durrës, në Butrint e gjetiu dëshmojnë se parardhësit tanë në këto troje shihnin, shijonin, Teatër.

Teatri i mbronte dhe u siguronte vazdimësinë.

Edhe pas njëqind vjetësh do të thonë se Teatri në Shqipëri nisi në vitin 2020. Me ndërtesën pa lidhje me historinë që do të gërmuqet poshtë kullave.

Pse jemi si gjarpëri që duke ecur rrëshqanthi fshijmë me bisht në tokë e pluhur gjurmët që atje ka lënë trupi e koka duke ecur!

Duke shkallmuar të kaluarën tonë historike, kujtesën tonë, endemi si qorra dhe shurdha në kallamishtet e historisë.

Kush e di se kur nisëm ne shqiptarët të luajmë futboll?
Kur nisëm të luajmë shah?
Kur ndërtuam objektin e parë të kultit fetar monoteist ?
Kur botuam librin e parë shqip?
Kush ishte violinisti i parë që dha koncert në Shqipëri?
Cila është salla e parë e kinemasë ku u shfaq filmi i parë artistik në Shqipëri?
Kur ka qenë viti që erdhi pingpongu në Shqipëri?

Gjarpëri fshin me bisht gjurmët që ka lënë në histori koka.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *