“Nesër (sot) do sfidojmë kampionët e Europës në fuqi: nuk mund të kishte motivim më të mirë”. Me këtë deklaratë është paraqitur në konferencën për shtyp të ditës së djeshme, Luis Suarez, në prag të Uruguai-Portugali (sot në Soçi, ora 15:00), ndeshja hapëse e turit të 1/8-ave të Botërorit. Sulmuesi i amerikano-jugorëve dhe i Barçës, më tej, ka analizuar situatën e kombëtares së Oskar Tabarez:
“Me Kavanin njihemi prej shumë kohësh, kemi luajtur bashkë në përfaqësuese për më shumë se dhjetë vite. Objektivat tanë? Asnjëri nuk mendon për veten: qëllimi është që Uruguai të avancojë sa më shumë në fazat e mëtejshme”, u shpreh Suarez, i cili më tej kaloi vëmendjen te luzitanët, kundërshtari i radhës: “Normalisht, rivaliteti që kemi me Kristianon këtu është ndryshe nga ai në La Liga (kampionatin spanjoll). Po luajmë një Botëror, ndjesitë që të jep fanella e kombëtares janë të veçanta. Do jetë një ndeshje ku secili do japë maksimumin, në mënyrë që skuadra përkatëse të vazhdojë përpara”. Si e pret “Pistolero” sfidën: “Jemi mësuar të luajmë në çdo temperaturë, i nxehti të konsumon më shpejt energjisë, por për këtë shërbejnë përgatitjet: është e nevojshme të qëndrojmë të hidratuar mirë, duke shfrytëzuar forcat në momentin e duhur”, përfundoi Suarez, që i la fjalën Tabarezit.
FLET TABAREZ – “Secila skuadër ka në repertor pika të forta, – komentoi trajneri i Uruguait. – Ndeshjet përpiqem të mos i imagjinoj si do shkojnë. Por, kemi bërë gjithçka të mundshme për të qenë të përgatitur. Qëllimi është të hyjmë në fushë për të fituar. E dimë që nuk do jetë e lehtë, por nuk do merremi me hamendësime. Në lojë do hyjmë me ide të qarta: organizim kolektiv dhe limitimi i Kristiano Ronaldos do jenë dy prej kërkesave të mia. CR7-a? Nuk ma prish gjumin, por jo sepse nuk i jap rëndësi: duhet t’i japësh vëmendjen e duhur, në mënyrë që të mos shndërrohet në mani. Kjo do më shpërqendronte”, analizoi Tabarez, duke shtuar:
“Siç tha edhe Luisi (Suarez), po përgatitemi prej një kohe të gjatë: punojmë bashkë prej 12 vitesh me rezultate më se pozitive. Kush do luajë (në veçanti e pyesin për Gimenezin, mbrojtësin)? Nuk flas për rastet individuale përpara një ndeshjeje. Të 23 lojtarët janë të gatshëm për të zbritur në fushë. Nga këta kam përdorur 17, deri tani. Ka pasur shumë përmirësime në lojën kolektive dhe nuk shoh gjëra të mëdha për t’u përmirësuar. Vështirësia e ndeshjes është motivimi i madh që kemi. Një fitore ndaj Portugalisë do ishte e mrekullueshme. Kjo, megjithatë, do mbetet për t’u parë në fund, ne na mbetet të provojmë”.