Rrethi vicioz i Reformës në Drejtësi, Shqipëria pa Gjykatë Kushtetuese edhe për 1 vit

Nga Boldnews.al

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me shumë mundësi pritet të rrëzojë prokurorin e Apelit të Tiranë, njëkohësisht anëtarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Gentian Trenova.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar të Enjten, trupa e Vetingut renditi disa problematika në pasurinë e tij, e cila rezulton në fakt që të jetë e vogël, krahasuar me tjetër gjyqtarë e prokurorë që tashmë kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit.

Rrëzimi i Trenovës do të shkaktojë efektin domino të bllokimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësim (KED). Kjo strukturë e parashikuar nga Reforma në Drejtësi, e cila ende nuk ka nisur funksionimin e saj deri në realizimin e Vetingut për 9 anëtarët e tij, ka kompetencë përzgjedhjen e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese.

Prej mëse një muaji, Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit, pasi aktualisht ka në detyrë 3 nga 9 anëtarë. Prej 3 anëtarëve në detyrë, dy prej tyre kanë kaluar me sukses Vetingun, konkretisht kryetari Bashkim Dedja dhe gjyqtarja Vitore Tusha. Ndërsa i treti, Besnik Dizdari, është në pritje të rezultateve ndaj tij. Pavarësisht procesit ndaj Dizdarit, Gjykata Kushtetuese është jashtë funksionit dhe është në pritje të konstituimit zyrtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili duhet të përzgjedhë kandidatët për vende vakante në shkallën më të lartë të gjyqësorit shqiptar.

Këtu situata ndërlikohet. Rrëzimi i pritshëm i prokurorit Gentian Trenova do të pengojë ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Konstituimi i KED-së duhet bërë i plotë, me 9 anëtarë të tij. Deri më tani, vetëm një anëtare, prokurorja Fatjona Memçaj, e ka kaluar me sukses Vetingun. Një anëtare tjetër, Altina Xhoxhaj, u rrëzua. Gjithësesi, ajo mund të zëvendësohet nga një prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, i cili rikonfirmohet në detyrë, me shumë mundësi nga Bashkim Dedja.

Krahas Trenovës, janë në pritje të Vetingut edhe 6 anëtarë të tjerë të KED-së, të cilët, edhe nëse e kalojnë me sukses, nuk mund të nisin aktivitetin e tyre pa u plotësuar numri i plotë prej 9 anëtarësh.

Në çdo rast, anëtarët gjyqtarë të KED-së janë të zëvendësueshëm, për faktin se ka më shumë kandidatura që plotësojnë kriteret ligjore se sa vendet e caktuara për këtë kategori në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Problemi qëndron në sistemin e prokurorisë.

Rrëzimi i pritshëm i Trenovës do të sjellë një bllokim të KED-së, për faktin se ai nuk mund të zëvendësohet. Sipas ligjit, në KED, ndër të tjerë, përzgjidhen me short dy prokurorë Apeli, të cilët plotësojnë kriteret, përfshirë edhe kushtin e përfundimit të Shkollës së Magjistraturës.

Në sistemin e prokurorisë, aktualisht janë vetëm dy prokurorë në nivel Apeli që kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës- pikërisht Fatjona Memçaj, e cila e kaloi me sukses Vetingun dhe Gentian Trenova, i cili, me shumë mundësi, nuk do të konfirmohet në detyrë.

Por, Prokuroria e Përgjithshme nuk mund të propozojë asnjë kandidat tjetër për anëtar të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Për shkak të kompetencave të kufizuara, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme nuk mund të emërojë asnjë prokuror në nivel Apeli, i cili do të mund të plotësonte kriterin e përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Kompetencat për emërimin e prokurorëve e ka Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), një tjetër strukturë që ende nuk është krijuar.

Deri më tani, është zhvilluar procesi vetëm për një nga 17 kandidatët për Këshillit të Lartë të Prokurorisë, që garojnë për 6 vende vakante. Prokurori i parë, Besa Nikëhasani nga Apeli i Shkodrës, u rrëzua në Veting. Procesi për vetingun e kandidatëve për KLP, me shumë mundësi, nuk do të përfundojë deri në fund të këtij viti.

Në këto kushte, Gjykata Kushtetuese duhet të presë fillimisht krijimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, i cili do të duhet të emërojë të paktën një prokuror me Shkollë Magjistrature, në nivel Apeli. Më pas, prokurori i Apelit, me Shkollë Magjistrature, që do të përzgjidhet si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, duhet të kalojë në procesin e Vetingut. Në rastin më të mirë, kur konfirmohet në detyrë, prokurori do t’i bashkohet pjesës tjetër të anëtarëve që do të jenë konfirmuar në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi dhe, më pas, të gjithë së bashku të përzgjedhin kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese.

Më së paku, deri në verën e vitit të ardhshëm, Shqipëria rrezikon të jetë pa Gjykatë Kushtetuese. Ditët e fundit, politikanë të rëndësishëm shqiptarë dhe ndërkombëtarë bashkohen në thirrjen që të zgjidhet sa më shpejt ngërçi në Gjykatën Kushtetuese të vendit. Por, për shkak të parashikimeve tërësisht të gabuara në ligjet përbërëse të Reformës në Drejtësi, kjo thirrje lëshohet në boshllëk.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *