Rama sulmon ambientalistët, mbron Velierën e Dakos dhe grataçelat në Tiranë

Nga Boldnews.al

Kryeministri Edi Rama e ka lëshuar gjuhën kundër ambientalistëve dhe mbrojtësve të trashëgimisë kultorore, që me reagimin e tyre pezulluan përkohësisht ndërtimin e Velierës mbi rrënojat arkeologjike të Durrësit. “Maskarada politike dhe ata sharlatanë që quhen mbrojtës të ambientit, kush e ka kundërshtuar do të skuqet, skuqje jo xhanëm se nuk e kanë më në trup kimikatin që skuq lëkurën e njeriut kur Veliera të jetë e përfunduar. Është një ndërhyrje që transformon jo vetëm një zonë, por imazhin e një qyteti të tërë”-tha Rama, duke këmbëngulur që puna të zhbllokohej dhe vijonte sa më parë me hedhjen e betonit të Dakos mbi pasuritë arkeologjike.

Po nuk është e vetmja nismë që po mbulon me beton trashëgiminë kulturore, pasi vëmendjen e ka përqëndruar në Tiranë për ngritjen e grataçelave. Kreu i qeverisë, në bashkëpunim me kanakarin e tij, Lali Erin e bashkisë, e kanë vendosur për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe mbi të e anasha saj të ngrihen shtatë kulla. Arkitektura italiane e viteve 30 pritet të rrënohet me një vendim qeverie, duke i hequr kryeqytetit një tjetër vepër arkitekturore, të mbetuar nga e shkuara dhe lënë krejtësisht rrugëve pa një ambient për shfaqje artistët e vendit.

Shkatërrimin e objekteve të vjetra Rama nuk e ka për herë të parë. Në kohën kur u soll me “urgjencë” nga Franca, ku ndodhej si emigrant, për të dhënë kontribut në kulturën shqiptare ai nisi shkatërrimin e Kinema Partizani dhe Republika, ndonëse ishin objekte që përveç arkitekturës së veçantë, mbartnin edhe memorien kulture të kryeqytetit. Gjithashtu i vuri syrin për të rrënuar edhe teatrin, por në atë kohë hasi në kundërshtinë e artistëve dhe projekti mbeti në mes vetëm për një arsye: Rama u bë kryetar bashkie… Koha kur Rama u bë kryetar bashkie njihet kryesisht për prishjen e objekteve të ndërtuara pas viteve 90-‘ të cilat kishin zënë hapësirat publike. Por kjo nismë e drejtë e mbështetur edhe nga shumë qytetarë kishte anën tjetër të errët, pasi Rama vendosi të rrënonte edhe trashëgiminë kulturore të kryeqytetit. Mbi shtëpitë e vjetra karakteristike të Tiranës, që ishin shpallur monument kulture, Rama dha leje ndërtimi për pallate shumëkatëshe. Gjithashtu ktheu edhe sytë në shkuljen nga themelet edhe të objekteve shtetërore që i përkasin arkitekturës italiane të viteve 30-40’.

Përtej shijes estetike të kryeministrit, i dashuruar pas grataçelave, ai po ruan me fanatizëm arkitekturën e periudhës komuniste. Teatri i Operas dhe Baletit (TOB) ka kaluar në riknstruksion të plotë, por u ruajt e plotë fasada e ndërtesës, ndonëse është një objekt i ndërtuar pa shije në periudhën e viteve 60’, me arkitekturë komuniste të vendeve të lindjes. Rama gjithashtu rrafshoi fasadën e Stadiumit Kombëtar Qemal Stafa, ndonëse ajo ishte shpallur monument kulture. Objekti i ngritur në vitet 30’ u rrënua përfundimisht, por kjo nuk do ndodhë me Piramidën e ndërtuar në vitin 1988 për nder të diktatorit Enver Hoxha. Fasada do të ruhet, ndërsa bashkia ka premtuar se shumë shpejt do të kryhet rikonstruksion i brendshëm. Rama po shënon emrin në listën e qeveritarëve që do të mbahet mend gjatë për shkatërrimin e arkitekturës së vjetër dhe mbi rrënojat e tyre lartësimi i grataçelave apo objekteve të tjera të “skicuara” nga dora e një piktori…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *