Kukësi “blindon” portën, firmos me “gardianin” e përfaqësueses së Kosovës

Kukësi ka bërë përforcimin e parë në prag të Kupave të Europës. Klubi verilindor ka firmosur me portierin Faton Maloku, i cili më parë ka luajtur me Ferronikelin në Superligën e Kosovës. Gjithashtu, Maloku është edhe pjesë e ekipit përfaqësueses së Kosovës. 26-vjeçari ka nënshkruar kontratë njëvjeçare.

Pas largimit të Sindrit Gurit në Belgjikë, tani e gjithë vëmendja është për repartin e sulmit. Në pritje se ku do të luajë në kupat e Europës, në Champions League apo Europa League, pas vendimit që do të jepet për Skënderbeun, Kukësi ka bërë përforcimin e parë për sezonin e ri. Klubi verilindor e ka nisur nga porta, duke e blinduar këtë repart.

Portieri Faton Maloku ka nënshkruar një kontratë njëvjeçare me klubin e Kukësit, me të drejtë rinovimi edhe për një vit tjetër. Për pak ditë ai mbush 27 vjeç. Në sezonin e fundit ai është aktivizuar me Ferronikelin në Superligën e Kosovës.

Paraqitjet e mira të bëra këtë sezon bënë që ai të grumbullohej nga trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Bernard Challandes. Faton Maloku ishte në stol në ndeshjen miqësore ndaj Shqipërisë, por nuk iu dha mundësia të debutonte.

Kukësi, gjithashtu, ka rënë parimisht dakord me sulmuesin e Vllaznisë, Arlind Kalaja, dhe pritet që edhe ai të firmosë së shpejti. Largimi i Sindirt Gurit ka hapur një gropë të madhe në repartin ofensiv dhe, përveç Kalajës, pritet të afrohet edhe një sulmues tjetër cilësor.

Drejtori teknik Nderim Nexhipi dhe presidenti Safet Gjici janë duke studiuar disa pista, si nga kampionati shqiptar, ashtu edhe nga jashtë. Ndonëse një objektiv i vështirë, Kukësi kërkon grupet e Europa League, atë që Skënderbeu e ka arritur dy herë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *