Viktima të braktisjes: Tre motra me probleme mendore në Lezhë abuzohen seksualisht

Një grua në mesin e 30-ave me fytyrë gjithmonë të qeshur shtyn një karrocë fëmijësh të mbushur me bidona plastikë, të mbledhur në kosha mbeturinash, ndërsa bën ecejake pranë derës së Qendrës së Zhvillimit Ditor të Bashkisë Lezhë.

 

Bashkë me nënën e saj dhe karrocën e zbrazët të fëmijës, ajo vjen ende në qendrën ku u rrit dhe qëndroi për 20 vjet për të marrë vaktin e drekës, ndonëse prej vitit 2016 nuk pranohet më aty për shkak të moshës së madhe.

 

Gruaja është me aftësi të kufizuara mendore dhe jeton së bashku me nënën dhe dy motrat e tjera më të reja, të cilat vuajnë nga të njëjtat probleme mendore si ajo. Të lëna pa kujdestari ligjore dhe të braktisura nga institucionet, të tria motrat janë viktima të abuzimeve seksuale-krime këto të cilat nuk janë zbardhur asnjëherë.

Gruaja që BIRN takoi në hyrje të Qendrës ditore ka lindur një fëmijë si pasojë e abuzimit seksual, ndërkohë që motra e dytë është shtatzanë dhe e treta i është nënshtruar më parë një aborti.

“Vajzat kanë rënë pre e abuzimeve në mes të qytetit dhe kanë ngel dhe shtatzënë,” denoncoi xhaxhai i tyre për BIRN, ndërsa shtoi se askush nga institucionet shtetërore nuk i ka ardhur në ndihmë.

Abuzimet seksuale mbi gratë me probleme mendore kanë ndodhur ditën me diell në rrugët e Lezhës, ndërsa një mori institucionesh përfshi Shërbimin Social Shtetëror (SHSSH), Zyra e Shërbimit Social pranë Bashkisë Lezhë, Prokuroria apo Policia e qytetit kanë bërë një sy qorr.

Pyetjeve të BIRN se pse tre gratë ishin lënë në mëshirë të fatit dhe pse askush nuk kishte reaguar pas abuzimit ndaj tyre, institucionet përgjegjëse për kujdesin social në Lezhë iu përgjigjën duke ia hedhur fajin njëra- tjetrës. Ato u justifikuan me shkresa proceduriale dhe tryeza teknike, që siç u gjet nuk i kanë dhënë asnjë zgjidhje problemit.

Rasti i tre motrave nga Lezha vjen pasi edhe më herët është konstatuar abuzim dhe dhunë ndaj personave me aftësi të kufizuara. Në vitin 2009, dy motra u gjetën që mbaheshin të lidhura në zinxhirë nga prindërit e tyre në Dibër, një 26 vjeçar po ashtu mbahej i lidhur në Fier me pretekstin se ishte i dhunshëm, ndërkohë që një rast i ngjashëm u zbulua në Kavajë. Disa herë ndërkohë është denoncuar abuzim edhe në qendrat publike të kujdesit ndaj këtyre personave.

Krim pa ndëshkim
Një video e filmuar nga një telefon celular u bë virale në shtator të vitit 2017 në faqe të ndryshme interneti në Shqipëri. Video që u shit si “skandal seksual” në një sërë faqesh online, u gjet më vonë se kishte për personazh njërën prej motrave nga Lezha.

Policia e Lezhës filloi atëherë procedimin penal dhe ndoqi në gjendje të lirë një 85-vjeçar i cili u akuzua për “Marrëdhënie seksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur”. Por sipas dëshmisë së xhaxhait dhe po ashtu edhe zyrtarëve të Shërbimit Social Shtetëror dhe Shërbimit Social në Bashkinë Lezhë, ky nuk qe abuzimi i parë dhe as i fundit me gratë me probleme mendore.

Xhaxhai, emri i të cilit BIRN nuk e publikon për të mbrojtur identitetin e vajzave, tha se abuzimet filluan sapo vajzat u larguan nga qendra ditore që kujdesej për to.

“Tre motrat kanë rënë pre e abuzimeve që kur janë larguar nga qendra e trajtimit ditor, këtu e dy vite më parë. Qe prej asaj kohe ato ngelën në situatë rruge,” tha ai, ndërsa thotë se interesimit të tij të vazhdueshëm për t’u gjetur një strehë nuk i është përgjigjur njeri.

Të braktisuara, tre motrat ranë pre e abuzimeve nga persona të panjohur. Xhaxhai thotë se njëra prej tyre u dërgua prej tij të abortonte. Ndërsa një tjetër e çoi në fund shtazaninë dhe solli në jetë një vajzë, e cila ndodhen nën kujdestarinë e murgeshave në Elbasan.

Xhaxhai i vajzave i tha BIRN se kishte qenë një murgeshë që nuk kishte lejuar të kryhej aborti, edhe pse tha ai “vajzat nuk janë në gjendje të kujdesen për një fëmijë”.

Është e paqartë, për shkak të mungesës së kujdestarisë ligjore se sa i ligjshëm është qoftë vendimi për të abortuar qoftë ai për të mbajtur fëmijën. Sipas dëshmive që BIRN mblodhi, në bazë të një ekspertize mjeko-ligjore, vajza që lindi fëmijën u shpall e paaftë të merrte vetë vendime dhe po ashtu e paaftë të kujdesej për fëmijën.

Ndërkohë edhe vajza e tretë është sërish shtatzanë dhe pritet të lindë së shpejti.
Por ndërsa abuzimet seksuale ndaj tyre vijuan të ndodhin haptazi, policia e Lezhës i tha BIRN se nuk kishte pasur asnjë kallëzim dhe se askush veç 85-vjeçarit i cili rezultoi në video, nuk ishte proceduar për abuzimin ndaj tyre.

BIRN mësoi po ashtu se as në prokurori nuk ka hetime për të mësuar abuzuesit, megjithëse Kodi Penal parashikon dënime nga 5 deri në 15 vjet burg për abuzuesit, kur personi i “paaftë për tu mbrojtur” pëson dëmtime shëndetësore.

Burime nga prokuroria thanë se nuk kishte procedim edhe pse kjo e fundit zyrtarisht ka marrë dijeni për abuzimin e ftuar si palë e tretë prej janarit të këtij viti në gjyqin e filluar nga Bashkia e Lezhës për kujdestarinë e foshnjës së lindur në Elbasan.

Ndërsa nuk qe e mundur të mësohej nga prokuroria arsyet e mosfillimit të hetimeve, policia nga ana e saj u justifikua se nuk kishte pasur referime.

“Neve si polici nuk na është referuar asnjëherë nga insitucionet çështja e abuzimit të tre vajzave”, i tha BIRN Besim Palamani, shef i Komisariatit të Policisë Lezhë.

Pretendimi i Palamanit kundërshtohet nga Bashkia e Lezhës, që thotë se ka informuar policinë për abuzimet.

“Kemi iniciuar disa tryeza teknike ndërinstitucionale, për marrjen e përgjegjësive ligjore duke pasqyruar problemin deri edhe tek organet policore. Ende nuk jemi vënë në dijeni nëse ka një procedim penal ndaj personave abuzues me vajzat,” tha në një bisedë nënkryetarja e Bashkisë së Lezhës, Alfrida Dedgjonaj (Marku).

Edhe xhaxhai i motrave pretendon se ka shkuar në polici. Ai thotë se në një rast është ankuar për murgeshën që nuk kishte lejuar kryerjen e abortit, por po ashtu thotë se nuk ka marrë përgjigje.

Përkundër pretendimit të policisë se nuk ka referime, BIRN gjeti se ajo ka qenë e ftuar në “tryezat teknike” të bëra prej Bashkisë Lezhë dhe prefekturës për të zgjidhur rastin.

Avokatja Shaqe Marini, e caktuar kryesisht nga gjykata për të mbrojtur një nga motrat në çështjen e kujdestarisë së fëmijës, pranoi se institucionet ishin në dijeni të abuzimit seksual dhe se kjo kishte dalë edhe gjatë seancave gjyqësore- por ajo e justifikoi prokurorinë.

“Fakti që janë abuzuar ka dalë në gjyq, por nuk ka çfarë të bëhet. Motrat nuk e dinë se kush është. Janë pyetur në praninë time, të mjekut dhe kujdesit social dhe nuk është në gjendje të thotë kush është,” tha Marini, duke pretenduar se prokuroria nuk mund të niste hetimet pa pasur të dyshuar.

Askush nuk merr përgjegjësi
Krimi i përsëritur i abuzimeve seksuale ndaj tre motrave me probleme mendore është rrjedhojë e braktisjes së tyre në mëshirë të fatit-ndërkohë që institucionet e kujdesit social në qytetin e Lezhës justifikohen me pamundësinë për t’u siguruar atyre një strehë të sigurtë.

Xhaxhai i tyre dhe një specialiste e Shërbimit Social Shtetëror, e cila i tha BIRN se ishte marrë vazhdimisht me rastin e tyre pretenduan se abuzimet filluan menjëherë pasi ato u larguan nga Qendra e Zhvillimit Ditor.

“Deri në vitin 2016 i kishim nën kujdes pavarësisht moshës pranë qendrës ditore. Deri atëherë nuk ishin abuzuar, por më pas i nxorrën nga qendra,” tha punonjësja sociale. I njëjti pohim bëhet edhe në një memo që drejtori i SHSSH e Lezhës, Keler Sufaj, i dërgoi BIRN.

“Pas largimit nga qendra, motrat ndodhen në situatë të pafavorshme të jetës, pasi pjesën me të madhe të kohës e kalojnë rrugëve,” thuhet në dokument.

Drejtoresha e Qendrës së Zhvillimit Ditor në varësi të Bashkisë, Marjana Prenga i tha BIRN se ndonëse nuk kishte qenë në detyrë kur motrat ishin larguar prej qendrës, strehimi aty nuk mund t’i mbronte ato nga abuzimet.

“Qendra është ditore dhe pas orarit të mbylljes së saj ato do të ishin sërish në rrugë”, tha Prenga.
Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë, Alfrida Dedgjonaj (Marku) thotë se largimi i vajzave nga qendra ishte qenë i detyruar, bazuar në rregulloren e Këshillit Bashkiak për qendrën.

“Për shkak se vajzat janë të moshës 34,36 dhe 38 (vjeç) dhe për shkak se sjellja e njërës prej tyre ka qenë agresive ndaj fëmijëve në qendër, ne e kemi të pamundur akomodimin e tyre në qendrën e zhvillimit ditor,” tha Dedgjonaj.

Megjithëse tre vajzat ndodhen në një situatë të rënduar ekonomike, mes sëmundjes dhe abuzimit, BIRN gjeti se situata e tyre ishte bërë prej vitit 2016 pjesë e ping-pong-ut burokratik e politik lokal.

Palët pretenduan se kishin thirrur disa takime ndëristitucionale ku kanë qenë të pranishëm edhe Bashkia Lezhë edhe Shërbimi Social Shtetëror dhe kishin dërguar shkresa e bërë thirrje për zgjidhje të situatës, por ia lanë përgjegjësinë njëra tjetrës.

Drejtoria Rajonale e Shërbimit Social Shtetëror në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale bëri me faj Bashkinë Lezhë, e cila kontrollohet nga opozita për mosveprimin në këtë rast.

“Deri në këto momente, në dijeninë tonë nga ana e Bashkisë Lezhë nuk është marrë asnjë masë për rehabilitimin e këtyre motrave dhe zgjidhjen përfundimtare të kësaj situate”, thuhet në memo që iu dërgua BIRN nga drejtori i SHSSH-së Lezhë, Keler Sufja. Aty thuhet po ashtu se përfshirja në një qendër komunitare jo -rezidenciale do ishte zgjidhja më e mirë për tre motrat.

Sufja tha në një bisedë telefonike se bashkia nuk i njihte detyrimet që rridhnin nga reforma territoriale. Ai tha se çështja ishte delikate dhe ai nuk donte ta politizonte, por la të kuptohej se kjo nuk ndodhte sa i përket bashkisë. “Unë s’e kam parë asnjëherë këtë gatishmëri nga ana tjetër”, tha Sufja.

Në krahun tjetër, nënkryetarja e Bashkisë Lezhë mohoi se përgjegjësitë i binin institucionit të bashkisë dhe tha se ata kishin bërë gjithçka që mund të bënin në këtë rast, por problemi i tyre zgjidhej duke i përfshirë në një qendër rezidenciale. Ajo tha se bashkia nuk kishte një qendër të tillë dhe se barra financiare për hapjen e saj duhej të ndahej mes qeverisë dhe pushtetit lokal.

Ndërkohë ajo fajësoi SHSSH se nuk kishte bërë detyrën.
“Më vjen keq nëse dikush ka abuzuar duke u shprehur se bashkia nuk ka ezauruar detyrimet e saj. Sugjeroj që gjithsecili të njohë mirë kompetencat, të drejtat dhe detyrimet institucionale dhe se kompetencat burojnë nga ligji dhe jo nga eksperienca të tjera që nuk janë profesionalizmi”, shkroi Dedgjonaj në një e-mail për BIRN, ku vuri në dukje se SHSSH duhej të kërkonte strehë për vajzat, që sipas saj ishin po ashtu të rrezikuara nga trafikimi.

Institucionet të dorëzuara
Ndërkohë që vijojnë t’i nisin shkresa njëra tjetrës dhe institucioneve të tjera, si Bashkia ashtu edhe zyra lokale e Shërbimit Social Shtetëror duket se janë dorëzuar me kohë sa i përket mundësisë për të ndihmuar vajzat.

I vetmi proces i ndërmarrë prej Bashkisë Lezhë që po shkon drejt mbylljes, është marrja në kujdestari i fëmijës së njërës prej vajzave nga Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Drejtuesja e kësaj njësie, Anita Kadeli tha se procesi mund të bëhej vetëm për minorenët nën 18-vjeç. Kadeli tha se megjithëse u ishte kërkuar nga SHSSH, bashkia nuk kishte gjetur bazë ligjore për të kërkuar kujdestari për motrat që janë mes 34-40 vjeç.

“Bashkia nuk ka akses për të ndërhyrë. Nuk ka bazë ligjore për të ndërhyrë,” tha Kadeli. Ajo tha se procesi i marrjes në kujdestari të fëmijës do përsëritej sapo të lindte edhe vajza tjetër.

Xhaxhai i afërm i tyre që mund të pretendonte kujdestari ligjore, thotë po ashtu se nuk kishte mundur ta merrte atë, për shkak të kundërshtimit të nënës së tyre. Një vendim i Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (KMCAP) i cili i cakton tre motrat në kategorinë e dytë pamundëson që institucionet shtetërore të merrnin kujdestari për to, pasi komisioni gjykon se ato mund të kujdesen për veten.

Ndërkohë, sipas specialistëve të SHSSH-së, mungesa e kujdestarisë ligjore e kishte bërë situatën të pashpresë.

“Ato nuk mund të dërgohen diku me forcë, pa pasur një kujdesar ligjor që mund të vendosë për to”, tha drejtori i këtij shërbimi Sufja, i cili po ashtu pohoi se ishte e vështirë të gjendej edhe një qendër ku ato mund të strehoheshin. Nënkryetarja e Bashkisë Lezhë po ashtu sugjeron se vendimi i KMCAP është një pengesë. “Një rishikim i aftësisë mendore e fizike të këtyre vajzave, pasi një kualifikim aktual e real i aftësisë së tyre nga KMCAP do të mund t’u jepte mundësinë e shërbimit të një kujdestari”, thotë Dedgjonaj.

Të pyetur nëse mund të mbroheshin nga abuzimi, asnjë prej institucioneve nuk ishte në gjendje të propozonte një zgjidhje të mundshme, përveç kërkimit të një qendre rezidenciale apo vendosjes nën përkujdesjen e një qendre komunitare. Një përfaqësuese e bashkisë tha se i ishte kërkuar policisë të “kishte kujdes” në zonën ku qëndronin motrat, por kjo nuk duket se ka pasur ndonjë efekt deri tani.

Institucionet thonë se janë ende në kërkim të një zgjidhjeje dhe e cilësojnë situatën të rëndë, por prej tre vitesh, motrat me probleme mendore vijojnë të jetojnë në situatë rruge dhe në rrezik të vazhdueshëm abuzimi. /Reporter.al/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *