Dënohet me burgim të përjetëshëm, autori i masakrës në Dajç: Kam marrë në qafë shumë familje

“Burg përjetë” dha gjykata e shkallës së parë në Shkoder për 28 vjeçarin Miklovan Parubi, autorin e vrasjes së dy shtetasve dhe plagosjes së 4 të tjerëve, në tetor të 2016-es në fshatin Dajç. Seanca gjyqësore u zhvillua pa praninë e mediave dhe përpara trupës gjykuese të kryesuar nga Arben Zefi, Tonin Sterkaj dhe Arber Çela, i riu duke kërkuar vetëm drejtësi, tha këto fjalë:

“Unë nuk e di çfarë ndodhi dhe si, pasi të gjithë personat i kam shokë jete. Kam qenë i dehur dhe atë natë kam konsumuar hashash. Di vetëm që  kam marrë në qaf shumë familje, e mes tyre edhe familjen time. Nuk kërkoj asgjë vetëm drejtësi. Por ju lutem Marçelin mos e merrni në qafe, sepse ai nuk ka lidhje me këtë ngjarje”.

Gjatë seancës avokatja mbrojtëse Kristina Marku, ka kërkuar ndryshimin e veprës penale nga “Vrasje në rrethana cilësuese e kryer në bashkëpunim” në ” Vrasje në kushtet e tronditjes së rëndë psikike”, ndërsa për veprën penale “Plagosje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”, në ” plagosje e lehtë me dashje”. Por organi i akuzës i përfaqësuar nga prokurori Vat Stakaj, ishte i prerë në kërkesën e tij, ku kërkoj burg përjetë për të riun, bazuar në të gjitha provat dhe faktet e mbledhura. Kërkesë kjo që gjeti miratimin e trupës gjykuese e cila lexoj edhe akuzat që rëndojnë mbi Parubin, e që janë “Vrasje në rrethana cilësuese, e kryer në bashkëpunim”,” Vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim”,  “Armëmbajtje pa leje” dhe “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”. Ndërsa për shtetasin e dyshuar si bashkëpunëtor në kryerjen e krimit Marçel Shpijati, gjykata dha dënimin me 3 vite burg duke ndryshuar veprën penale, nga “Vrasje me dashje e kryer në bashkëpunim” në “Moskallzim të krimit”. Edhe pse prokuroria kërkoi 20 vjet burg për këtë shtetas, trupi gjykues mori parasysh kërkesën e avokatit mbrojtës Blerim Bazhdari, i cili arsyetoj se Shpijati nuk ka patur asnjë dijeni për planin e shtetasit Parubi, dhe se gjatë gjithë kohës ka bashkëpunuar me policinë, duke u vetëdorëzuar dhe duke sqaruar gjitha rrethanat e ngjarjes.

Miklovan Parubi me 3 tetor të vitit 2016 në Dajç të Shkodrës ka hyrë në një nga lokalet e zonës në përdorim të shtetasit Arjet Seiti dhe ka qëlluar me breshëri automatike duke lënë të vdekur 2 shtetas, dhe duke plagosur 4 të tjerë

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *