Shoqata e futbollistëve në MLS ka publikuar si çdo vit rrogat e lojtarëve në kampionatin amerikan të futbollit dhe rezulton se sulmuesi shqiptar ka një pagë më të lartë se ylli suedez i cili pranoi transferimin në SHBA vetëm dy muaj më parë.
Nëse Ibrahimovic përfiton fiks 1,5 milionë dollarë në vit si rrogë nga kontrata që ka lidhur me LA Galaksi, megjithatë, Ibra administron vetë plotësisht të ardhurat nga imazhi i tij dhe sponsorë të ndryshëm të LA Galaxy e paguajnë disa miliona dollarë për të marrë pjesë në reklama, që shpjegon pse suedezi ka një rrogë bazë kaq të ulët.
Mund të duket e çuditshme por Shkëlzen Gashi përfiton këtë sezon një rrogë më të madhe se Zlatan Ibrahimovic. Rroga e Gashit te Colorado Rapids është më shumë se 1,6 milionë dollarë (1.668.750).
Ndërkohë, shumë larg tyre është Jahmir Hyka. Ky i fundit ka pësuar një rritje të vogël në krahasim me vitin e kaluar, duke kaluar për herë të parë shumën e gjysmë milionë dollarë si rrogë në MLS. Këtë sezon, mesfushori shtatshkurtër shqiptar i San Jose Earthquakes do të përfitojë 539,996 dollarë.