Çmimet e banesave/ BSH: Ranë me 3.1% në tremujorin e parë

Çmimet e banesave në kryeqytet ranë përsëri në tremujorin e parë të këtij viti. Indeksi i çmimit të banesave, që llogaritet me bazë tremujore nga Banka e Shqipërisë, duke zbritur edhe efektin e inflacionit, ra në terma realë me 3.1%. Sipas Bankës Qendrore, vitin e kaluar indeksi i çmimeve të banesave në Tiranë kishte rënë mesatarisht me 5.4%. Këto të dhëna, në fakt, bien disi ndesh me një perceptim më pozitiv që ekziston mes një pjese të agjentëve imobiliarë, për ecuri më pozitive në tregun e pasurive të paluajtshme.

Banka e Shqipërisë sqaron se ndryshimet vjetore të indekseve në tregun e banesave gjatë tremujorëve të fundit kanë reflektuar, në një farë mase, edhe efektet e ndryshimit në kursin e këmbimit euro-lek. Duke qenë se çmimet e banesave kuotohen kryesisht në euro, në llogaritjen e indeksit Banka e Shqipërisë i  konverton në monedhën vendase me kursin mesatar të muajit përkatës.

Megjithatë, përtej efektit të kursit, të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë edhe njëherë se optimizmi rreth rritjes së çmimeve në tregun e pronave në kryeqytet ende nuk mbështetet plotësisht në shifra. Në fakt, rritja e çmimeve është më e prekshme në ndërtimet e reja, të nisura në vitet e fundit, ku ka ndikuar pjesërisht edhe dyfishimi i taksës për ndikimin në infrastrukturë, si edhe përqindjet shumë të larta që kërkojnë pronarët e tokës.

Një faktor tjetër që ka ndikuar pozitivisht kanë qenë normat shumë të ulëta të interesit dhe oferta e favorshme për kredi nga sistemi bankar. Megjithatë, pavarësisht nga rritja e mbështetjes me kredi për pasuri të paluajtshme, Banka e Shqipërisë ende nuk konstaton një rimëkëmbje tregu, të tillë që të çojë në një rritje mesatare të çmimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *