Qeveria Rama presion grekëve që Tirana Bank të shitet tek ABI

Qeveria shqiptare është duke i bërë presion Pireus Bank që të shesë degën e saj në Shqipëri, tek Banka Amerikane e Investimeve, në bordin drejtues të së cilës ulet bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama.

Syri.net ka mësuar nga burime të sigurta se në garën për të blerë Tirana Bank ka edhe banka të huaja, por qeveria shqiptare po bën presion që ajo të blihet nga Abi Bank, e cilësuar nga opozita si banka personale e familjes kryeministrore.

Prej kohësh Pireus Bank ka lajmëruar se do të shesë degën e saj në Shqipëri, Tirana Bank. Ky vendim është pjesë e strategjisë së Pireut për t’u fokusuar vetëm në tregun grek.

SYRI.net ka mësuar se aktualisht ka dy blerës potencialë për Tirana Bank. E para është Libank, një bankë me ekspertizë ndërkombëtare dhe lidhje të forta në Shtetet e Bashkuara dhe Angli. Ndërsa banka e dytë që ka shfaqur interes për blerjen e Tirana Bank është ABI.

Burime të sigurta thonë se grupi Pireus preferon që Tirana Bank të shitet tek Libank. Por qeveria shqiptare ushtron presion politik dhe jo ligjor, që grekët ta shesin bankën tek ABI Bank.

Banka e kryeministrit

Abi Bank përbën një precedent në sistemin bankar të Shqipërisë. Ajo është e vetmja banka, pronësia e së cilës është e pagjurmueshme, pasi vjen nga parajsat fiskale. Përtej pronësisë së pagjurmueshme, ABI përbën dhe një tjetër preçedent, pasi në bordin e saj drejtues ulet bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, zonja Lindita Rama në një konflikt të drejtpërdrejtë interesit.

Ndonëse u licencua në mënyrë të dyshimtë dhe në shkelje të ligjit, Abi Bank është zgjeruar me ritme të vrullshme në tregun shqiptar. Pak muaj më parë ajo bleu NBG bank, ndërkohë që tani po tenton të blejë edhe Tirana Bank, çka do ta bënte ABI-n, automatikisht bankën e tretë më të madhe në Shqipëri.

Zgjerimi agresiv i ABI Bank ka shqetësuar institucionet ndërkombëtare që mbikëqyrin ekonominë shqiptare, veçanërisht FMN-në.

Pak kohë më parë, FMN lëshoi një deklaratë publike duke i kërkuar Bankës së Shqipërisë të ndalë licencimin e bankave, të cilat nuk përmbushin kriteret ligjore dhe që kanë konflikt interesi.

ABi Bank është banka e vetme e ekspozuar politikisht në Shqipëri. Opozita e ka cilësuar atë si bankën personale të kryeministrit, e cila është e përfshirë në pastrim parash. Por pavarësisht shqetësimeve të FMN dhe akuzave të opozitës, ABI, banka e lidhur drejtpërdrejtë me kryeministrin shqiptare Edi Rama, nuk ndalet. Ajo vazhdon të zgjerohet me ritme të vrullshme dhe pas NBG tashmë me ndihmën e qeverisë po kërkon të blejë edhe Tirana Bank.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *