‘Gjashtë sy dhe një dorë’, tërbohen në Gjermani: Si nuk e panë gjyqtarët…?!

Edhe një herë, arbitri ishte përsëri protagonisti kryesor në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, ku Real Madridi u ndihmua të kualifikohej dhe të mbërrijë tashmë në finalen e Kievit. Pas jehonës së madhe botërore që pati ajo penallti e dhënë nga kryesori anglez në kohën shtesë, në çerekfinalen e kthimit, ndaj Juventusit, në “Bernabeu”, e cila ndau edhe vetë klasën arbitrale të globit, nëse ishte apo jo, vjen gabimi i radhës i turkut Cakir.

Sërish në dëm të rivalit të “Los Blancos”. A mund të konsiderohen rastësi të tilla gabime, që u bëkan të gjitha në favor të Real Madridit? Patjetër që jo. Të martën në mbrëmje, Cüneyt Cakir dhe ekipi i tij varrosën aluzionet e përmbysjes së Bayern Munich në “Bernabeu”. Vetë Marcelo e pranoi mbas ndeshjes se e ndërpreu topin me dorë, kur ai ishte drejtuar nga Kimich për te shokët e sulmit, në zonën madrilene.

Dhe shtypi gjerman nuk ka hezituar të mërkurën të shprehë me zë të lartë shqetësimin për punën e gjyqtarit turk. “Si gjyqtarët nuk mund ta shihnin këtë”, – pyet gazeta “Bild” në faqen e saj të parë dhe shton një koment ironik: “Gjashtë sy dhe një dorë”! Gjatë lojës ka pasur disa momente, që kanë ngritur polemika, por rasti i prekjes me dorë të Marcelos, afër përfundimit të pjesës së parë, ishte më fatali.

Minuta e 44-t: Sulm nga ana e djathtë për bavarezët. Kimmich, një nga lojtarët më të mirë në lojë, e krosoi topin drejt zonës vendëse, në gjysmëlartësi, ndërsa “sfera” u pengua nga dora e shtrirë e brazilianit të Real Madridit. Penallti e qartë. Por, kryesori Cakir mbylli sytë dhe aksioni përfundoi në një goditje nga këndi. Shfaqja, në veçanti, ishte aq surreale, sa edhe disa lojtarë të Real Madridit pranuan gabimin e turkut, pas vërshëllimës përfundimtare.

Marcelo vetë tregoi se do të gënjente nëse thotë që topi nuk e kishte goditur atë në dorë. Edhe një herë, skuadra e bardhë shkon përpara dhe, përsëri, ndihmohet nga arbitri. Kjo gjë ka qenë e zakonshme në kohët e fundit. Për gjermanët, që e provuan në kurrizin e tyre së fundi, nuk duket dhe aq rastësi…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *