Ka përfunduar takimi i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta me Federica Mogherinin, përfaqësuesen e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në BE, takim ky që zgjatur afro 30 minuta.
Nën shoqërinë e ambasadores së BE-së në Shqipëri, Romana Vlahutin, shefja e Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, e ka përshkruar në këmbë rrugën nga presidenca deri te kryeministria.
Ajo çka ra në sy ishte fakti se Mogherini ka respektuar çdo semafor, ndërsa u prit fillimisht në hyrje të kryeministrisë nga Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati.
Pas takimit me numrin një të Qeverisë, në orën 11:15 pritet një konferencë e përbashkët për shtyp.
Vizita e Federica Mogherinit në Shqipëri vjen si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, nga 17 deri më 19 prill.
Axhenda
Federica Mogherini, përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë në BE, ka mbërritur mbrëmjen e së martës në Tiranë. Ndërkohë që paraditen e sotme ashtu siç edhe është bërë e ditur do të nisë takimet me krerët e shtetit dhe politikës, ku do t’u dorëzojë progres-raportin.
Kësisoj, mësohet se takimet e Federica Mogherinit do të nisin me Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta rreth orës 09:30, për të vijuar më pas me kryeministrin Edi Rama në 10:15, si dhe me përfaqësuesit e opozitës në 12:00 në Delegacionin e BE-së.
Ndërkohë që është parashikuar që Mogherini do të mbajë një konferencë të përbashkët për shtyp me numrin një të Qeverisë, Edi Rama nga ora 11:15-11:45 në Kryeministri.
Vizita e shefes së Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherinit në Shqipëri vjen si pjesë e turneut të saj në Ballkanin Perëndimor, nga 17 deri më 19 prill.
Dje ishte një ditë e rëndësishme për Shqipërinë, teksa Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë, ndërsa po vazhdohet puna me Bosnjë Hercegovinën dhe Kosovën. Ndërkohë, Johanes Hahn tha se KE pranon progresin që ka bërë Maqedonia dhe Shqipëria çka na çon në hapjen e bisedimeve.